Prioriteti i këtij buxheti, vjedhja edhe e thërrimeve të fundit

    356
    Sigal

    Bashkia Rrëshen miraton buxhetin 2015

    Këshilli i Bashkisë Rrëshen, organizoi mbledhjen e parë dhe të radhës për këtë vit, e cila ishte e veçante për nga mënyra se si u zhvillua. Ishin shpërndarë dy rende dite, njëri me nënshkrimin e kryetarit të bashkisë dhe tjetri me atë të kryetarit të këshillit të bashkisë, pra secili për hesap të vet, ndërsa nuk ishte realizuar as detyrimi ligjor minimal, për njoftimin dhe dërgimin e relacioneve e projektvendimeve, këshilltarëve, 7 ditë përpara ditës së mbledhjes. Gjatë diskutimeve në mbledhje rezultoi se të gjithë këshilltarët janë njoftuar vetëm dy ditë përpara. Me urgjencë ishin nisur dy rende dite, ku spikatnin në njërin projektvendimi për taksat dhe tjetri për buxhetin. Kjo mbledhje nuk duhej të ishte zhvilluar fare, e jo më të miratonte dy vendimet më të rëndësishme për vitin 2015. Mbledhja nisi me diskutim në rendin e ditës dhe në pak minuta ka degraduar në akuza të ashpra në mes kryetarit të këshillit dhe kryetarit të bashkisë për abuzime me fonde. Kryetari i këshillit të bashkisë, megjithëse i përket koalicionit të majtë, ashtu si kryetari i kësaj bashkie, ka akuzuar hapur këtë të fundit për vjedhje të fondeve publike. Pas akuzave të forta që i bënë njëri-tjetrit, titullarët e këtij institucioni, kryetari i këshillit deklaroi mbylljen e mbledhjes për shkak të mungesës së konsensusit, edhe në mes grupeve të këshilltarëve dhe u largua nga salla e mbledhjeve.

    Por mungesa e kryetarit të këshillit nuk ka qenë aspak problem për një pjesë të këshilltarëve të cilët nën kërcënimin e kryetarit të bashkisë kanë arritur të bëjnë një mbledhje farse. Kryetari i Bashkisë, pasi dështoi edhe në thirrjen e n/këshillit të bashkisë, me gjithë kërcënimet e bërë ndaj bashkëshortit të saj për heqjen nga puna, duke u shprehur me një fjalor prej rrugaçi, arrin të gjejë një zgjidhje të re, duke zgjedhur një drejtues seance, për arritjen e objektivit të tij, që nuk është gjë tjetër vetëm vjedhja e fondeve të këtij buxheti. Nisur edhe nga ky debat i bërë, ndërmjet kryetarit të këshillit dhe atij të bashkisë si dhe bërja e mbledhjes me urgjencë e në kundërshtim të hapur me ligjin, të bën të dyshosh fort për motive të pandershme në miratimin e këtij buxheti. Vlen të theksohet se nuk është respektuar asnjë nga fazat paraprake të cilat janë të përcaktuara në ligjin organik për paraqitjen e projekt-buxhetit në këshill. Shifrat e këtij buxheti nuk u diskutuan as me përfaqësues të komunitetit, as me përfaqësues të grupeve të interesit dhe as në komisionin përkatës të ekonomisë, ku dyshohet se edhe kryetari i këtij komisioni është i përfshirë në këtë lojë të pandershme në lidhje me buxhetin e kësaj bashkie.

    Vetëm nga mënyra se si është detajuar ky buxhet, flet qartë për qëllimin që ka kryetari i bashkisë. Bashkia, qëllimisht, ka krijuar një borxh ndaj kompanive private e shtetërore si për shërbimin e pastrimit, gjelbërimit, energjisë elektrike, ujin etj., ku për më shumë se një vit nuk paguan faturat për këto shërbime. Planifikohen fonde për investime pa emërtim të qartë, ose për punime të kryera dhe mbetet thjeshtë për të bërë dokumentacionin dhe për t’i çuar ato fonde, atje ku “duhet”. Të gjitha fondet e mundshme i orienton në zërin e investimeve, pasi ato janë më me “bereqet” për kryetarin. Planifikohet privilegje për telefon celular, karburant etj.. Në këtë buxhet, shkohet aq larg sa planifikohet 200 litra karburant për një automjet që ka të paktën 6 vite, që nuk është në qarkullim e ndoshta nuk dihet, mund të ketë përfunduar i shitur edhe për skrap. Planifikohen 600 litra karburant për mjetet e transportit dhe nuk planifikohet asnjë litër karburant për kaldajën e sistemit të ngrohjes së konviktit dhe shkollës së mesme.

    Se fundi, si gjatë tre viteve të kaluara, ky kryetar edhe këtë vit, nuk planifikon asnjë lek për 14 fshatrat e Bashkisë Rrëshen, pasi veten e konsideron qytetar dhe si të mos mjaftonte kjo, nxjerr edhe batuta ofenduese nga më të ndryshmet për fshatin dhe fshatarët. Të gjitha shkeljet procedurale, siç duket, kanë patur vetëm një objektiv, i cili është abuzimi me fondet e këtij buxheti ose gjysmë buxheti. Pra, objektivi është i qartë, vjedhja e thërrimeve të fundit të këtij institucioni nga kryetari i bashkisë në ikje, pasi për fatin e tij të keq, por të mirë të komunitetit, mbushh moshën e pensionit dhe nuk do të ketë më mundësi të vjedhë fondet publike…

     Alban Ndoja