Pashko Vasa, emblema e krenarisë kombëtare

    2713
    Sigal

    Krijuesi i lajtmotivit të bashkëjetesës shqiptare: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”

    Pashko Vasa u lind më 17 shtator 1825 në lagjen “Arra e Madhe”, Shkodër në një familje të mesme qytetare. Baba Mëhill Gjokë Vasa dhe nëna Drande Gjergji treguan kujdes të veçantë për arsimimin e djalit të tyre në shkollat fetare të qytetit. Që në rini u edukua me ndjenjat patriotike dhe liridashëse, përfaqësoi idetë e demokracisë e të përparimit dhe urreu dasitë fetare, duke parë tek ato një rrezik real për lirinë dhe të ardhmen e Atdheut. Në moshën 17- vjeçare, për disa vite, kreu detyrën e sekretarit të Konsullatës Britanike në Shkodër. Kur ishte 22 vjeç emigroi në Itali, ku luftoi me armë në dorë, trimëri e heroizëm për mbrojtjen e Republikës së Venedikut kundër pushtuesve Austriak. E burgosen pabesisht, por më vonë i dhanë pafajësinë. Te “Burgimi im”shkruan:”E ardhmja u takon popujve”. Në Stamboll ndjeu vetminë, i pa punë, pa bukë, strehë, miq dhe të afërm. Shpesh flinte në varrezat e armenëve, në kuartierin Pankaldi. Në saje të gjuhëve të huaja që zotëronte zuri vend në shoqërinë e tramvajeve të qytetit. Që këtej në Ministrinë e Jashtme. Shërbeu në detyra të rëndësishme të Perandorisë. Sipas historianit libanez, Lahat Hater, në muajin maj të vitit 1883, kur u  emërua Guvernator i Përgjithshëm, populli i Libanit mësoi se Pashko Vasa është shqiptar nga një fis i Mirditës, se zotëronte italishten, frëngjishten, anglishten, greqishten, turqishten e arabishten, që shkruante ese letrare nëpër gazeta, poema në italisht e libra në frëngjisht si edhe gëzonte titullin e nderit të anëtarit të Akademisë së Shkencave të Londrës. Në vitet e qeverisjes së tij u ndërtuan shumë rrugë, shkolla, spitale etj., të cilat ndikuan në zhvillimin ekonomiko shoqërore të vendit. Kujtimi i jetës dhe i veprës së udhëheqësit të shquar ruhet me respekt dhe mirënjohje në ndërgjegjen historike të kombit Libanez. Aktiviteti  politik, ideologjik, organizativ dhe letrar i Pashko Vasës përfshinë një kuadër të gjerë, të thellë e të jashtëzakonshëm. Së bashku me Sami Frashërin, Jani Vreton  etj., punoi me përkushtim e profesionalizëm për Alfabetin Shqip dhe krijimin në  vitin 1879 të”Shoqërisë së Shtypurit të Shkronjave Shqip”, e cila nxori”Alfabetare”e  parë. Dha një kontribut të veçantë për krijimin e “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë Shqiptare” me anëtarë Abdyl Frashëri, Zija Prishtina etj.. Vepra më e rëndësishme: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, u botua me 1879 në frëngjisht, gjermanisht dhe greqisht. Në këtë vepër Pashko Vasa ngre lartë historinë e Shqipërisë, figurën legjendare të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, origjinën e lashtë dhe traditat e shkëlqyera shekullore. Pashko Vasa ishte ideologu dhe organizatori kryesor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Qershor 1878, e cila ndezi një “zjarr”të fuqishëm në shpirtrat e shqiptarëve kundër sundimi otoman dhe vendimeve armiqësore të Traktatit të Shën Stefanit e Kongresit të Berlinit  të Fuqive të mëdha të Evropës për copëtimin e trojeve shqiptare në favor të shovinistëve fqinj. Edhe mbas disfatës ushtarake të Lidhjes së Prizrenit rezistenca e Shqiptarëve nuk u shua. Vaso Pasha u përket atyre njerëzve të mëdhenj që natyra i kishte pajisur me cilësi të radha. Ai ishte edhe poet. Në vëllimin” Trëndafila dhe gjemba” lexojmë vjersha të  frymëzuara nga malli për vendlindje, ndërsa të tjerat pasqyrojnë urrejtjen ndaj tiranëve si edhe vuajtjet e mëdha shpirtërore për fatkeqësitë e njëpasnjëshme që goditen pjesëtarët e familjes së tij. Në romanin “Bardha e Temalit”, botuar në frëngjisht, ”takojmë”një personazh tipik, i cili në të vërtetë duhet të jetë një “alter’ego”e autorit. Ai bie në ndeshje të forta luftarake duke treguar trimëri dhe heroizëm. Por, nga ana tjetër, vepron”ligji” barbar i gjakmarrjes i lidhur ngushtë me  burrërinë, mikpritjen dhe besën e shqiptarit. Pashko Vasa ka merita të mëdha për shkrimin e gjuhës shqipe në bazë të alfabetit latin. Shqipes i shkonte më shumë për shtat alfabeti latin. Ai hartoi një alfabet të ri mbi bazën e shkronjave latine, i cili ndryshon shumë pak nga alfabeti i sotëm. Në pranverën e vitit 1880 në ndihmë të luftëtarëve trima të Hotit e të Grudës të Malësisë së Madhe, të ndezur flakë nga ndenjët e atdhedashurisë, erdhi një “pushkë” krejtësisht e veçantë, me fuqi shpërthyese të jashtëzakonshme, e cila çoi peshë zemrat e shqiptarëve në luftë kundër pushtuesve shekullorë turq e shovinistëve fqinj, të cilët kërkonin copëtimin dhe grabitjen e trojeve shqiptare. Heroizmi i pashoq i trimave legjendarë të kreshnikut Ded Gjo Luli dhe gjaku i derdhur për liri kundër sundimit obskurantist anadollak 450 vjeçar, u kurorëzua me ngritjen e flamurit të Skënderbeut, për herë të parë në histori, në Bratilë të  Deçiqit të Malësisë së Madhe me 6 prill 1911. Pashko Vasa, duke parë rrezikun e madh të ndasive fetare theksonte: “Por jemi vllazen more të mjerë….” Shqiptari kurdoherë, pavarësisht nga  stuhitë, ciklonet dhe rrebeshet e  historisë, ka vënë idealin kombëtar mbi çdo ideal, botëkuptim dhe fe. Edith Durham te “20 Vjet Ngatërresa Ballkanike” shkruante: “Kudo në Rumeli njerëzit përgjigjen:  jam ortodoks apo katolik, ndërsa në Shqipëri edhe bariu më i thjesht me krenari thotë: unë jam shqiptar…” . Vaso Pasha mbi të gjitha ishte shqiptar.

    “O MOJ SHQYPNI, E MJERA SHQYPNI” OSE “MARSEJEZA” E POPULLIT SHQIPTAR

    Poema e famshme “O Moj Shqypni, e mjera Shqypni” është vepra më e shkëlqyer e Pashko Vasës. Ajo u dërgua nga Stambolli në frontin e luftimeve me fletë të veçanta, kaloi dorë në dorë dhe u këndua me një muzikë sa prekëse aq mobilizuese. Autori u frymëzua nga atmosfera luftarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…Gjendja e mjerueshme e popullit, veçanërisht figura simbol e Nanës Shqipëri, i jepte asaj forcë të madhe emocionuese dhe mobilizuese në luftë për liri e pavarësi. Me 20 shkurt 1881 Sami Frashëri i shkruante Jeronin de Radës: “Të dergonj edhe një këngë patriotike nga vëllait tonë Pasko Vasës…”O moj Shqypni…” u bë “Marsejeza” e popullit Shqiptar:”Këtë nanë të dashtun a do ta lamë/që njeri i huej ta shkelë me kambë/ para se të hupë kështu Shqypnia/ me pushkë në dorë le të desë trimnia”.

    ……………………………………………….

    O moj Shqipni, e mjera Shqipni

    kush te ka qitë me krye në hi?

    Ti ke pas kenë një zonjë e rande

    burrat e dheut te thirshin nanë

    Ke pasë shumë t’mira e begati

    me vajza t’bukra, me djem t’ri

    Gja e vend shumë, ara e bashtina

    me armë të bardha e pushkë ltina

    me burra trima, me gra të dlira

    ti ndër gjithë shoqet ke kenë ma e mira

    ……………………………………………….

    Çoniu shqiptarë prej gjumit çoniu

    të gjithë si vllazën n’një besë shtrëngoniu

    e mos shikoni kisha e xhamia

    feja e shqiptari asht shqiptaria

    Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë

    gjithkund lshon dielli vapë edhe rrezë

    asht toka jone, prind na e kan lane

    kush mos na e prekë se desim t’tanë