Pashkë Bardhi:Ambasada Greke në Tiranë rrethohet nga sekserë

    618
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Pashkë Bardhi, nënkryetar i Shoqatës Unioni i Kombit Shqiptar

     Ka plot 22 vjet në Greqi dhe tashmë në kushtet e papunësisë nuk din se çfarë të bëjë. Të kthehet apo të vazhdojë të qëndrojë në Greqi? Sa herë vjen në Shqipëri has një korrupsion të paparë. Sipas tij, që nga Kakavija dhe deri në Tiranë duhet të kesh dorën në xhep që të paguash kërkesat e pabazuara të policëve dhe të nëpunësve në administratën shtetërore. Për legalizimin e një certifikate në Ambasadën Greke duhen 50 euro, po ashtu për legalizimin e shtëpisë nuk të japin asnjë sqarim. Aktualisht në Greqi, sipas tij, ka 110 mijë emigrantë të papunë që enden mes Greqisë dhe Shqipërisë pa ditur se ç’të bëjnë. Para disa ditësh gazeta “Telegraf” bëri publike keqtrajtimin e të burgosurve të emigrantëve shqiptarë në burgjet greke. Pas këtij denoncimi Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet ambasadorit shqiptar në Athinë bëri prezent për këtë keqtrajtim Ministrinë e Drejtësisë së qeverisë greke. Ky problem është në ndjekje. Problemet e emigrantëve tanë në Greqi duket se s’kanë të sosur.

     Mund të bësh një prezantim për lexuesin e gazetës Telegraf?

    Una jëm Pashk Bardhi punoj për 22 vjet në Kallamat të Greqisë, jam  Nëkryetar i Shoqatës, Unioni Kombëtar Shqiptar  për të drejtat e emigrantëve tanë në Greqi.  Kam 10 vjet që kam blerë shtëpi në Manëz dhe e kam të palegalizuar.

     Çfarë keni në fokus të punës tuaj?

    Ne në fokus të punës tonë siç e shprehim dhe në Status jemi në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve, në luftë kundër korrupsionit në ambasadë dhe luftën kundër racizmit. Më duket diçka  shumë e çuditshme. Kam ardhur dje në Shqipëri për një certifikatë për vajzën time, që tashmë po bën dokumentet për të marrë nënshtetësinë greke. Dhe kur shkoj në Ambasadën Greke këtu në Tiranë, veprimet e legalizimit të certifikatave, nuk bëhen sipas ligjit, sipas normave dhe rregullave, por nëpërmjet sekserëve.

      Ç’do të thotë kjo?

    Për një pasaportë apo certifikatë që ka lindur fëmija në Greqi s’di ku të drejtohet. Edhe për pasaportat 10-vjeçare që na janë dhënë në përdorim nga shteti ynë, në Greqi nuk po na jepet leja e qëndrimit 10-vjeçar.  Këtu ka një korrupsion  aq të madh sa se marr vesh, si nga organet shtetërore shqiptare po ashtu dhe nga Ambasada Greke. Nuk dimë, ku të përplasemi për të zgjidhur problemet tona. Pra, n.q.s unë dua të legalizoj një certifikatë të fëmijës tim në Ambasadën Greke, polici na ndalon, duke na thënë s’kemi orar, apo justifikime të tjera duke na adresuar tek sekserët.

     Cilat janë problemet e emigrantëve sot?

    Është papunësia e madhe. Pra shumica e emigrantëve sot janë të papunë dhe ne nuk dimë se ç’të bëjmë.  Vijnë shumë prej emigrantëve në atdheun e tyre ne Shqipëri, qëndrojnë disa ditë, shikojnë që nuk kanë asnjë lloj përkrahje, s’dinë si të orientohen, nuk kanë një status të veçantë, s’dinë, ku të rrinë dhe kthehen sërishmi në Greqi. Pra ata ecin të paorientuar.  Shumë prej tyre tashmë në zona të thella të Greqisë, duke mos përballuar papunësinë, kanë dërguar familjet në atdhe dhe vetë kanë filluar të jetojnë në çadra si romët. Kjo për arsye që të kursejnë lekët dhe tua dërgojnë familjeve në atdhe. Pra tashmë jemi shumë më keq se në fillimet e emigracionit.  Pra ku ta vajtojmë ne. Ku të përplasim kokën? Kujt t’i qajmë hallin? Në Greqi sot ka 110 mijë emigrantë të papunë. S’kanë me se të paguajnë qiranë e shtëpisë.

     Po problemi i autobusëve a u zgjidh?

    Ky ishte një problem që do të flisja edhe pa më bërë pyetjen. Aktualisht nuk funksionon asnjë linjë Tiranë – Kallamata, në Peloponez. Ishin dy linja të tilla me pronarë shqiptarë ndërsa tani nuk ka asnjë. Pra për të ardhur në Shqipëri ne duhet të bëjmë disa lëvizje boshe në Athinë, duke humbur dhe dy ditë pune, pasi në mënyrë arbitrare janë hequr këto linja. Kemi bërë disa kërkesa për këtë problem po nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk kemi asnjë informacion. Mendoj se është një korrupsion midis dy qeverive që diku janë prekur interesat dhe faturën e paguajmë ne emigrantët e thjeshtë. Për mua ky është një racizëm i paparë.

     Pse ishe sot në Ambasadën Greke?

    E thashë paksa më lart. Doja të vulosja një certifikatë të vajzës time. Por policia greke nuk më la për një mijë e një arsye të pabaza. Më thanë që nuk lejohet të hysh brenda në ambasadë, jo orari, jo koha, jo personeli, se mora vesh. Polici më adreson tek një person tjetër që ishte në një kabinë disa metra larg ambasadës.  Shkoj aty dhe personi të cilit i qava hallin më thotë që ta bëj unë legalizimin e certifikatës, me 50 euro. Pra, vetëm për një vulë. Kjo është një certifikatë e thjeshtë familjare ose personale që vajzës time ia kërkojnë në Greqi për të marrë nënshtetësinë, pasaportën e greke. Por Kartat e Identitetit që na japin neve në Gjendjen Civile, në kundërshtim me kërkesat e qeverisë greke mund të themi se ne figurojmë ose e jemi “kopilë”.

     S’e kuptoj këtë, të lutem më saktë…

    Po. Ju a keni karta identiteti? Besoj se keni, pra ne në këto Karta nuk kemi të shkruar atësinë. Pra jemi pa babë. Këto qeveria greke për të marrë nënshtetësinë nuk i njeh të mirëqena.  Pra, ne nuk kemi as emër babe, as në emër nëne. Madje këto nuk janë as në pasaportë.  Pra për të bërë kërkesë për marrje nënshtetësie, krahas pasaportës dhe Kartës së Identitetit duhet dhe certifikata.

    Pse duhet kjo?

    Pasi vetëm në certifikata ekziston emri i babës dhe i nënës. Pra, ata ballafaqojnë identitetin n.q.s je i vërtetë, duke shikuar pasaportën ose Kartën e Identitetit me certifikatën. N.q.s kanë përputhje mund të vazhdosh procedurat për legalizim, ose marrje nënshtetësie. Pra, në çdo legalizim ose nënshtetësi duhet patjetër certifikata kur dihet që pasaporta është dokumenti më i saktë.

    Po keni pasur probleme dhe me pasaportat?

    Tashmë problemi i pasaportave sikur  s’na vjen më për mbarë që ta zëmë në gojë. Por sërishmi ka polica që kur shikojnë se, vendlindja e fëmijëve në Greqi nuk është shkruar në greqisht, apo sipas theksit grek, ata të kthejnë. Probleme pa fund.

      D.m.th pasi merr certifikatën në Gjendjen Civile këtu, e konfirmon në Ministrinë tonë të Jashtme, sërishmi duhet legalizuar apo vulosur në ambasadën greke?

    Po. Patjetër. Pra duhen dy vula legalizimi. Një në Ministrinë tonë të Jashtme një në Ambasadën Greke. Secila nga këto legalizime bën 20 euro, të dyja 40 euro. Por shikojmë se duhet të shkosh tek sekserët para Ambasadës Greke dhe nga 20 të paguash 50 euro.

     A do të vijnë emigrantët për të votuar?

    Askush nuk paraqet interes. Shikojmë përpjekje të të dyja partive të mëdha për t’u lidhur me emigrantët, por aty ku punoj dhe banoj unë, askush nuk do të votojë dhe pse duan që të ndërrohet kjo qeveri e korruptuar deri në thonj.  Partitë përpara se të na thërresin për vota, të na zgjidhin disa probleme elementare. Korrupsioni i kësaj forme në Shqipëri  ka bërë që emigrantët të mos dinë si të orientohen. Unë kam 48 orë këtu dhe më duket se kam 48 muaj pasi s’kam zgjidhur asnjë problem.

     Pse kaq probleme ka këtu?

    Shumë. Shumë probleme dhe korrupsion i paparë. Këtu korrupsioni fillon që nga polici në doganë që vëren mos i jep 10 euro dhe deri tek administrata e të gjitha niveleve. Këtu për një dokument n.q.s nuk hodhe lekë të mbyllet çdo derë.

    Po me “Agimin e Artë” a keni probleme kohët e fundit?

    Në Peloponez sikur e kanë ulur tempin. Pasi deklarimit të tyre për dëbimin e emigrantëve shqiptarë ne u bëmë bllok dhe ju kundërvumë. Ata s’e prisnin këtë lëvizje. Madje, ua bëmë të qartë se do reagojmë dhe më fort. Që atëherë s’janë dukur më tek ne. S’janë aq trima sa duken. Po ua vure kufirin tek thana, ëhë…Por për sa thamë më lart unë mendoj se të dyja qeveritë kanë marrëveshje të fshehtë për emigrantët, pra që ata të ngelen pa identitet, sepse s’ka arsye që të ketë këtë heshtje shteti ynë. D.m.th është një korrupsion i dyanshëm.

    Po Ambasada Shqiptare në Athinë a ju kanë gjendur afër?

    Asnjëherë.  Ambasada Shqiptare në Athinë është kthyer në një ambient privat. Pra ambasadorët bëjnë çfarë u do qejfi dhe as pyesin njeri. Korrupsioni është i paparë. P.sh, do të marrësh një pasaportë apo një certifikatë, duhet të lësh punën disa ditë, duhet të zësh radhë, por mbi të gjitha radha vonohet me qëllim që të përplasesh tek sekserët përpara portës.  Sekserët të bien në kokë. Të marrin trefishin se sa kushton një pasaportë apo një certifikatë. N.q.s nuk ke një njeri të njohur e ke të humbur davanë. Kjo nuk ka ndodhur sot, por ka shtatë vjet që kur ishte ambasador zoti Minarolli i mëparshëm, qoftë edhe tani me zotin Dashnor Dervishi. Asnjë emigrant nuk është i kënaqur. Si anëtari i kryesisë së shoqatës unë kam bërë disa përpjekje për takime, disa takime, për të ardhur në Peloponez për të diskutuar për hallet tona, por kam hasur në heshtjen e tyre. Kjo heshtje vjen se ata nuk mund të mbulojnë korrupsionin. Ai shkon dhe takon disa shoqata plastike, anonime, pa emër. Ne jemi shoqatë e formuar në bazë të ligjeve greke, jemi të rregullt me shtetin grek.