Agim Toro: “Qeveria nuk po jep paratë e kompensimit, ja përse nuk jepen informacione”

477
Sigal

Flet Agim Toro, sekretari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për problemet me pronat

Edhe pse është miratuar harta e çmimeve për kompensimin e pronarëve, sërish nuk ka filluar shpërndarja e parave për pronarët. Dhe ende nuk ka ndonjë informacion se kur do të fillojë shpërndarja e parave. Vonesat e krijuara për shpërndarjen e parave sekretari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro i cilëson të pajustifikueshme. Duke u shprehur për “Telegraf”, zoti Toro është shprehur se: “Shpërndarja e parave për kompensimin e pronarëve nuk ka filluar ende dhe nuk kemi asnjë informacion se kur do të fillojë”. Por pronarët nuk kanë marrë paratë e kompensimit as për vitin 2012 dhe sipas një përllogaritje paratë e 2012 duhet të shpërndahen së bashku me fondin e 2013. Por as kjo nuk është e sigurt, pasi nuk u është dhënë asnjë informacion shoqatave të pronarëve nëse do të shpërndahen paratë e 2012-ës apo jo. Në lidhje me këtë sekretari i shoqatës Toro, është shprehur se: “Po ashtu duhet të theksojmë që nuk janë shpërndarë as paratë e vitit 2012 dhe nuk na është thënë nëse do të shpërndahet apo jo dhe asnjë nuk e ka komentuar. Ka dalë vetëm një vendim i Këshillit të Ministrave në 2012, për kriteret e shpërndarjes, por vetëm aq është bërë, nuk ka asnjë gjë më shumë. Unë nuk e di arsyen se përse nuk i shpërndajnë”.

Harta e çmimeve

Ndërkohë që kalimin në heshtje nga ana e qeverisë të çmimeve të miratuara zotit Toro, e justifikon me çmimet e ulura me disa herë. “Çmimet që u vendosën nga qeveria për kompensimin e tokave, ishin thjesht çmime politike, dhe nuk janë çmime reale. Prandaj edhe qeveria i kaloi disi në heshtje. Metodika që doli nuk e arriti qëllimin që i është përcaktuar në ligj dhe prandaj themi që çmimet që dolën janë qesharake. Dhe ne e shohim që çmimet që janë përcaktuar janë vendosur sa për të kaluar radhën dhe me këto çmime vetëm sa është zbatuar porosia e qeverisë” u shpreh zoti Toro. “Fatura për kompensimin e ish-pronarëve shkon në pikiatë pas hyrjes në fuqi të çmimeve të reja të trojeve që ka miratuar qeveria pak ditë më parë për kompensimin e ish-pronarëve. Nga 20 miliardë dollarë që llogaritet borxhi që shteti iu ka ish-pronarëve për tokat e zëna, me çmimet e reja kjo vlerë nuk do të jetë më shumë se 4 miliardë dollarë”, – tha sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro. Harta e re e çmimeve ul disafish çmimet e pronave në disa zona në Tiranë, por më së shumti ato në zonat turistike. Por në tërësi çmimet e tokave vijnë me ulje në të gjithë vendin. Kështu çmimi i një metri katror në zonat më të kërkuara të Tiranës, që përfshin ish–Bllokun, Kryeministrinë dhe vilat rrotull Piramidës, aktualisht është 180 mijë lekë. Ky çmim është vendim qeverie i miratuar në korrik 2008, ndërsa me vlerat e reja të miratuara nga qeveria ky çmim është 55 mijë lekë të reja. Gjithashtu, ulje e madhe e vlerës është hasur edhe në zonat turistike, sidomos në zonën e Jugut, ku çmimi zyrtar i trojeve për efekt kompensimi varijon aktualisht nga 35 mijë lekë në 140 mijë lekë për metër katror, ndërsa çmimi i ri i miratuar pak ditë më parë nga qeveria, parashikon një vlerë 1-3 euro për metër katror.

Problematikat e metodologjisë

Sipas zotit Toro nuk janë marrë në konsideratë kontratat e këmbimit që tregojnë edhe çmimet reale. Në Tiranë toka nuk para shitet por jepet për ndërtim me një koeficient kthimi 40 për qind të vlerës së objektit. Ai theksoi se këto kontrata nuk janë marrë parasysh për të llogaritur çmimet e reja të pronave. “Duke marrë në konsideratë vetëm transaksionet e tjera, ka një hile. Për t’iu shmangur taksave, shpeshherë kontratat e shitblerjeve të pasurive rezultojnë me çmime shumë të ulëta. Mirëpo këto çmimeve janë të vërteta për hipotekat, duke ndikuar kështu në vlerat e reja të pronave. Harta e re e vlerave të pronave e ul ndjeshëm faturën për ish- pronarët, por nga ana tjetër krijon një problem shumë të madh edhe me kompensimin fizik të pronave”, – u shpreh Toro.

Kompensimi fizik jashtë vëmendjes

Toro tha se vetëm në Tiranë janë për t’u kompensuar edhe 21 milionë metër katror tokë. Ndërkohë që, fondi fizik i tokave të bëra publike deri më tani nuk është më shumë se 16-17 mijë hektarë. Por edhe këto nuk dihet se ku janë. Por nga ana tjetër ka një edhe një vështirësi të madhe për vetë faktin se qeveria i ka dhënë kompetenca maksimale pushtetit lokal për ndarjen e tokave të shtetit. Toro theksoi se, filozofia e qeverisë për kompensim fizik është pylli kundrejt tokës. Por harta e re e çmimeve nuk i ka ende të afishuara çmimet e pyjeve. Janë afishuar vetëm çmimet për tokat bujqësore dhe livadhet. Nëse do të ketë vlera më të larta për pyjet, pyetja shtrohet ku janë pyjet që do të kompensojnë ish-pronarët. E zëmë se rrethi i Pukës ka sasinë më të madhe, por sa realisht do të mund të bëhen prona të ish-pronarëve, pasi në ato zona ndarjet e pronave janë bërë me Kanun.

Gjykata e Strasburgut

Në lidhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut, sekretari i shoqatës u shpreh se: “Që nga korriku i vitit të kaluar ju vendos një afat kohor prej një viti e gjysmë qeverisë shqiptare që të rregullojë situatën ligjore dhe zgjidhjen e çështjes ligjore në lidhje me pronat”. Ndërsa në lidhje me çështjet që janë dorëzuar para datës 31 korrik vazhdon shqyrtimi i çështjeve dhe nuk janë të bllokuara. Janë rreth 80 vendime që do të dalin shumë shpejt. Ndërkohë që sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” zoti Agim Toro është shprehur se: “Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, lë shumë detyra qeverisë shqiptare në këtë vendim. Midis të cilave kjo gjykatë ka konstatuar që shkelja e të drejtave të njeriut përsa i përket atyre detyrimeve që shteti shqiptar ka marrë përsipër për pronarët është evidente, dhe shumë shqetësuese”.