Një komb me kaq shumë gra të shquara në fushën ushtarake, dëshmon vitalitet dhe fuqi për të vrapuar edhe më shpejt

211

Respekt për vajzat e para që përgatitëm për oficere!

Robert Topi
Komandant i kursit të parë të vajzave kursante për oficere, në vitin 1967

 

Unë isha bir i një familje të thjeshtë, lindur në Vithuq të Korçës, më 12 Prill 1943. Pas viteve të fëminisë e periudhës shkollore, vazhdova studimet në shkollën ushtarake për skënderbegas dhe, më vonë, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha“ në Tiranë. Natyrisht, për vlerësim të lartë në rezultatet e studimeve, disiplinës së hekurt dhe karakterit të shëndoshe moral e politik, më emëruan komandant te grupit të vajzave të para që erdhën kursante dhe hynë në radhët e ushtrisë shqiptare. Mosha ime e re 24 vjeçare, si dhe një eksperience jo e plotë jete, më vunë në dilemë për të realizuar këtë detyrë sa të vështirë aq dhe me përgjegjësi. T’i vendosje ato vajza nën diktatin e jetës ushtarake, do të thoshte të ndryshoje karakterin e tyre femëror, në një karakter të fortë burrëror, do të thoshte t’i nënshtroheshin një disipline të padiskutueshme dhe zbatimin e çdo urdhri ushtarak me orar e pa orar, duke mposhtur kështu delikatesën femërore, duke ndikuar në anën fizike e psikologjike të tyre. Njëkohësisht, vetë uniforma ushtarake, e cila zëvendësoi ndoshta dhe fustanin e bardhe për ’to, ishte një subjekt më vete, për t’i bërë ballë forcës së shpirtit të tyre femëror. Sipas programit shkollor, ata u caktuan me tri grupe, sipas nevojave të ushtrisë së asaj kohe, duke iu referuar dhe lëndët përkatëse, toga e këmbësorisë, ajo e ndërlidhjes dhe toga e financës. Unë nuk mund të flas e të veçoj asnjërën prej tyre, ndonëse ato u përkisnin krahinave, feve e mentaliteteve të ndryshëm, veç moshës ndonjëherë, sepse seicila pasqyronte dhe kishte një veçori karakteri më të vyer se tjetra. Tek të gjitha ekzistonte një cilësi e vetme, shpirti luftarak i pamposhtur, me rreshtat standarde ushtarake në atë qiell të madh e të lirë të asaj kohe dhe që i dallonte nga femrat e tjera, që nuk i përkisnin radhëve të tyre. Ata u mësuan me jetën ushtarake përkrah shokëve të tyre kursantë të asaj kohe, me të cilët një pjesë krijoi familje… Ata krijuan një miqësi midis tyre dhe kolegëve të tyre, duke i shtuar karakterit virtytet më të bukura të dashurisë, sinqeritetit, modestisë, bashkëpunimit e besnikërisë ndaj atdheut, me të cilën u edukuan. Ishin ata që qëndruan krenare e të papërkulura në poligonet e qitjes, në transhe, me alarme… Ishin ata që zhvilluan e realizuan me sukses çdo detyrë të caktuar në lojërat e vështira luftarake në mjaft vende e rrethe, mes trashësisë së dëborës, acareve të dimrit, shiut e breshërit që u binte mbi kapotë, duke rënduar shpatullat e tyre të njoma deri me palcë me pushkën krahut, gjerdanin e fishekëve në qafë dhe kundragazin në kokë. Të tilla ishin këto vajza! Një ndërthurje e jashtëzakonshme e vitalitetit e miqësisë ushtarake. Ato e ruajnë dhe sot miqësinë ushtarake si rrallëkush, pavarësisht se askush nuk foli e shkroi për uniformat e blerta të këtyre sorkadheve deri sot. Kjo krenari e tyre më tërhoqi dhe mua të lidh jetën me një prej tyre, kursante e togës së financës,Vasilika Babo me origjinë nga Korça, ku të dy vazhduam karrierën tonë ushtarake. Në vitin 1992 shkuam në emigracion në Greqi ku vazhduam një jetë akoma më të vështirë. Edukimi im personal më detyroi përsëri të rikthehem në vitin 1997 në radhët e ushtrisë, duke i lënë bashkëshortes përsëri detyrën si grua e nënë, por dhe detyrat burrërore në familje, si shumë vajza të tjera që morën bashkëshortë ushtarakë. Ju uroj gjithë vajzave të para ushtarake, sot nëna e gjyshe dhe atyre që sot kontribuojnë në këtë sektor të rëndësishëm, jetë të gjatë e shëndet me familjen e tyre, lumturi dhe edukim të përsosur me brezat e ardhshëm, me idealet më të pastra që u dhuroi jeta e tyre; dashurinë e pakufishme për këtë popull të shumëvuajtur si traditë e vyer e këtij kombi, për të mos e shkatërruar atë. Një falënderim të madh ju kolegë, i nderuar Kujtim Boriçi Suzana Jahollari, bashkëpunëtorëve tuaj për këtë nisiativë, e cila nuk pasqyron vetëm valera artistike, historike e dokumentare, por një drite jetëdhënëse, edukuese e njerëzore që përcjell virtytet më të shkëlqyera vajzave e grave oficere të Ushtrisë sonë Popullore ndër vite.

 

Lefteri Çako, 38 vite oficere aktive në strukturat e Forcave të Armatosura

 

Lefteri Çako ka lindur në vitin 1950. Banon familjarisht në Tiranë. Pas përfundimit me rezultate të mira të shkollës së mesme, i miratohet e drejta për të vazhduar studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Studimet në këtë institucion ushtarak i nis në shtator të vitit 1968 dhe në korrik të vitit 1970, përfundoi studimet dhe u diplomua oficere aktive në specialitetin e këmbësorisë. Pas diplomimit, nis karrierën në strukturat e Forcave të Armatosura.

Lefteria ka kryer këto detyra: Në periudhën 1970-1974, shefe sekretarie në Tiranë; në periudhën 1974-1978, nëndrejtoreshë për përgatitjen ushtarake në shkollën e mesme të Kamzës në Tiranë; në vitet 1978-1990, komandante batalioni në strukturën e Forcave Vullnetare të Vetëmbrojtjes në Tiranë; në vitet 1990-1997, komandante toge në repartin e Zall Herrit në Tiranë; në periudhën 1997-2000, kryen detyrën e shefes së stërvitjes në batalion; në periudhën 2000-2003, shefe personeli në batalionin kundërajror në Yzberisht të Tiranës; në periudhën 2007-2008, shefe e stërvitjes në batalion. Aktualisht, është në pension. Lefteri Çako ka punuar si oficere aktive 38 vite.

 

Besnike ndaj betimit ushtarak

Flutura Pasho Shabani

 

Kam lindur në qytetin e Elbasanit, më 3 janar të vitit 1950. Pas shkollës shtatëvjeçare, në vendlindje kreva dhe arsimin e mesëm në gjimnazin e njohur “Dhaskal Todri” të këtij qyteti. Arsimin e mesëm e kam kryer në periudhën 1964-1968. Unë kisha zgjedhur tri degë të cilat preferoja për shkollën e lartë, ku një prej tyre ishte dhe mjekësia, një kërkesë pothuaj e të gjithë maturantëve të kohës që aplikonin për universitet. Por një ditë të javës së parë të muajit gusht të vitit 1968, kur më njoftojnë se më ishte miratuar e drejta të studioja për në Shkollën e Bashkuar të oficerëve, kuptova se dëshirat e mia tashmë do të mbeteshin vetëm dëshira dhe se jeta ime tashmë do të ndërtohej nën uniformën e gjelbër e në fushën ushtarake. Në shtator të vitit 1968, me disa vajza dhe nga Elbasani, nisëm së bashku studimet në shkollën ushtarake në Tiranë. Më caktuan në degën e këmbësorisë, e cila ishte dega ku studionin pjesa më e madhe e djemve dhe vajzave që ishin thirrur në këtë shkollë. Kam shumë kujtime nga vitet e shkollës, ku mbi të gjitha do të veçoja shoqërinë e sinqertë mes nesh, kushtet e mira të mësimit, stërvitjes dhe akomodimit, si dhe mbi të gjitha, kujdesin e vazhdueshëm të të gjithë personelit të shkollës, pedagogë, komandues etj… Studimet ushtarake i kryhej në periudhën 1968-1970. Pas diplomimit më emërojnë në Grupimin e Elbasanit (njësi ushtarake si korpuset e kohës). Gjatë afro dy dekadave në këtë njësi kam kryer detyra të ndryshme si instruktore, shefe e sekretarisë e shifrës, shefe personeli në Forcat Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore etj. Kam dalë në lirim në vitin 1991 me gradën “Kapiten i Parë”. Gjatë karrierës ushtarake, kam vënë të gjitha aftësitë e mia në përmbushje të betimit ushtarak, duke shënuar dhe rezultate në punë. Për këtë, nga Kuvendi Popullor dhe instanca të larta të shtetit, jam vlerësuar për punë të mirë me disa dekorata, urdhra e mirënjohje të ndryshme.

 

Servete Kulla, oficerja nga Pogradeci

 

Servete Kulla është një tjetër oficere që ka ndërprerë ndër të parat shërbimin e karrierës si pasojë e reformave në Forcat e Armatosura që pasuan ndryshimet politike të vitit 1990 në Politikë. Ajo është nxjerrë në rezervë në vitin 1992. Servetja ka lindur në vitin 1950 në Pogradec, vend në të cilin ka kryer me rezultate të mira shkollën tetëvjeçare dhe shkollën e mesme të përgjithshme. Në shtator të vitit 1969 së bashku më një grup vajzash nga disa rrethe të Shqipërisë, nisi studimet ushtarake për oficere në Tiranë. Në korrik të vitit 1971 përfundon me rezultate të mira studimet ushtarake dhe titullohet oficere aktive me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes. Pas diplomimit, e emërojnë në detyrën e komandantes së batalionit me rininë e shkollës “Muharrem Çollaku” në Pogradec. Në këtë detyrë (njëkohësisht dhe nëndrejtoreshë për anën ushtarake në shkollë), ajo qëndron deri në vitin 1975. Në vietet 1975-1983, caktohet instruktore në Shkollën e Lirë Ushtarake (SHLU) të Pogradecit. Në vitet 1983-1985, është shefe e sekretarisë dhe shifrës në repartin ushtarak Nr. 4001 në Pogradec. Në periudhën 1985-1992, është shefe personeli në Degën Ushtarake të Pogradecit. Në këtë vit nxirret në rezervë. Banon familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë oficerja dhe edukatorja e skënderbegasve

Nexhmije Hysa-Zoto

 

Ndër oficeret e karrierës që është diplomuar në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, është edhe Nexhmije Hysa-Zoto. Ajo ka patur një karrierë të suksesshme, përfshi dhe vitet e punës si komanduese e mësimdhënëse në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Pas detyrave të rëndësishme në Forcat e Armatosura, ajo ka punuar dhe në administratën shtetërore, përkatësisht në sistemin e drejtësisë…

Unë kam lindur më 1951 dhe banoj në Tiranë. Në vendlindje kam kryer dhe shkollën e mesme mjekësore. Pas përfundimit të shkollës së mesme me rezultate të mira, më del e drejta për të studiuar në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Në shtator të vitit 1969, nis studimet për oficere në kryeqytet. Kujtoj se ditët e para, deri dhe 2-3 muajt e parë ishin të vështirë, pasi çdo gjë atje ishte me orar, me rregull dhe disiplinë të fortë. Por falë shoqërisë, përkujdesjes së komanduesve e pedagogëve, u ambientuam dhe përpiqeshim që të mësonim e stërviteshim sa më shumë, duke na u shtuar më tej dashuria për profesionin e bukur dhe të vështirë të oficerit. Në korrik të vitit 1971 kam, mbaruar Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, Fakulteti Këmbësori me rezultate të mira. Ditët e emërimit prisnim me ankth se ku do të na dërgonin, në cilin rreth e njësi ushtarake. Më emëruan në Shkodër, me detyrën e instruktores të stërvitjes në Brigadë. Pas një viti jam transferuar në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake ” Skënderbej ” me detyrën instruktore. Më pas më transferojnë në Batalionin e Sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes, që në atë kohë, ishte një repart elitar e shumë i rëndësishëm. Këtu kam punuar tre vite, ku veç të tjerave, përfitova një përvojë të rëndësishme në punën me trupa dhe në fushën e drejtimit. Pas tre vitesh jam transferuar në Shkollën e Lirë Ushtarake Krujë në detyrën e shefes së stërvitjes dhe instruktore. Dhe dy vite më vonë jam transferuar në repartin Nr. 1390 me detyrën e Shefes së Sekretarisë dhe Shifrës. Më vonë më dërgojnë në Repartin ushtarak nr. 4225 me detyrën e Shefes së Personelit me gradën ‘Major’. Në vitin 1994 kam dalë në reformë. Nga viti 2009, deri në vitin 2011 kam punuar në Gjykatën e Rrethit me Detyrën Shefe Protokolli. Në tetor të 2011 kam mbushur moshën dhe kam dalë në pension pleqërie si ushtarake. Gjatë gjithë karrierës sime ushtarake, është e pamundur të mos kesh pasur episode e ngjarje që të mos kenë ngelur në kujtesë. Mbi të gjitha, janë sakrificat, edhe pse nënë me tre fëmijë, kemi qenë model në detyrën e ngarkuar dhe nuk i jemi shmangur asnjë vështirësie, si ditën ashtu dhe natën e në kushte atmosferike të vështira.

Skuadër oficerësh në familje, babai, unë, motra dhe vëllai

Ilirjana HYSENI

 

Kam lindur në Tiranë në vitin 1954. Ëndrra ime për t’u bërë oficere karriere a ka që në moshën e parë të adoleshencës. Kjo ëndërr, do të bëhej realitet pas përfundimit të shkollës së mesme e, unë do të isha një nga katër oficerët aktivë në familje, përkatësisht babai, motra dhe vëllai.

Isha në vit të parë në shkollë të mesme kur u hap kursi i parë për vajzat që do të bëheshin ushtarake. I shikoja me zili, e më dukej diçka e mrekullueshme. Çdo mëngjes dilja herët nga shtëpia e prisja në rrugën që shkonte në Kino-Studio të kalonin vajza kursante duke ecur me hap rreshtor e duke kënduar këngë partizane. Babai im ishte oficer e unë kisha qejf t’i lustroja çizmet e tij dhe të shkëlqeja kopsat e verdha. Shpesh i thosha: “Kur të rritem edhe unë do të bëhem oficere.” Të njëjtën dëshirë e kishin edhe motra ime e madhe Jeta dhe vëllai im Tomorri. Motra ime e madhe, doli 2 vjet para meje, ndërsa unë me vëllanë dolëm në një vit. Ishim bërë si një skuadër oficerësh në një familje, babi dhe ne tre fëmijët. Shkollën e lartë ushtarake e filluam në viti 1972 dhe e përfunduam në vitin 1976. Stazhin e bëra në Brigadën e pare si komandante toge me ushtarët. Në vitin 1977 u emërova si instruktore e kurseve në shkollën e lirë ushtarake “Misto Mame” dhe punova deri më 1989. Momenti im i bukur në shkollën e Lartë Ushtarake është hedhja me parashutë, e cila ishte diçka e rrallë në atë kohë.

Unë oficerja nga Mati që përgatita vajzat luftëtare të UÇK

Hatije Ymeri-Toci

 

Kam lindur më 3 janar të vitit 1958, në Klos të Burrelit. Në qytetin e Klosit kam kryer me rezultate të mira shkollës tetëvjeçare dhe shkollën e mesme. Pas diplomës së shkollës së mesme, në korrik të vitit 1976, pasi kamë bërë kërkesën për të drejtë studimi për në shkollën e lartë, njoftohem se më është miratuar ndjekja e studimeve për në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Pasi paraqitem në ditën e parë të shtatorit në këtë shkollë dhe vishem, nisa jetën e re të studentes ushtarake. Pas pak ditësh na rreshtojnë dhe na komunikojnë degët ku do të vazhdonim mësimet. Mua më caktojnë në Fakultetin Gjitharmësh. Pas katër vitesh (në vitin 1980), mbroj diplomën e shkollës së lartë dhe emërohem oficere aktive. Po këtë vit më emërojnë në Burrel në detyrën e instruktores në degën operative të Brigadës së Burrelit. Këtu punoj plot një vit, në periudhën 1980-1981. Në vazhdim, në periudhën 1981-1989, kryej detyrën e komandantes së batalionit për shkollat e mesme të Burrelit. Në këtë repart përfshiheshin shkollat e mesme në Derjan, Bruç, Lis dhe Macukull. Në vitet 1989-1996, kreva detyrën e shefes së edukimit në Brigadën e Këmbësorisë në Burrel. Në periudhën 1998-2006 në këtë brigadë, kryej detyrën e shefes së marrëdhënieve civile e ushtarake. Periudha prill-maj e vitit 1999, është një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës sime si oficere aktive. Në këtë periudhë, unë kam dhënë mësim dhe kam përgatitur dy toga vajzash si luftëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke bërë maksimumin që këto vajza-ushtare, të shkonin sa më të përgatitura në front dhe dita e lirisë së Kosovës martire të vinte sa më shpejt. Ndërkohë, krahas kryerjes së kurseve e trajnimeve të ndryshme, jam marrë dhe me studime e aktivitet shkencor. Në periudhën 2003-2004, përgatita dhe botova një libër për “Gjendjen ekonomike-ushtarake të Prfekturës Dibër-Burrel-Peshkopi” si dhe në vazhdim, edhe “Studimi i zonës së veprimeve të Brigadës së Këmbësorisë Burrel”.

Grada më e lartë në Forcat e Armatosura për mua ka qenë grada “Major”.