Një drejtor në Ministrinë e Ekonomisë, “fiton” tenderin e murit rrethues të spitaleve

    152

    Drejtorët e ministrive, marrin tenderat në Elbasan

    Nuk ndalet furia e pushtetarëve, duke mos kursyer as (dy) punësimet për veten e tyre dhe familjarët, as edhe tenderat, duke mos pyetur për ligjet dhe rregulloret e institucioneve. Në pothuajse çdo institucion, tenderat sot fitohen nga njerëz me pushtet, nga drejtorë drejtorish, zv/ministra dhe ministra, duke futur në konkurrim persona, që nuk kanë lidhje fare me bizneset e tyre, duke përdorur emra të rremë, apo që nuk kanë ekzistuar kurrë. Kjo po ndodh edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila përmes drejtorit të Drejtorisë së Prokurorimeve (dhe tenderimeve) zotit Raimond Cimbi, i ka dhënë “OK” prej disa muajsh një drejtori në Ministrinë e Ekonomisë, për të qenë fitues në tenderin për 4 ndërtimin e murit të ri rrethues të rrjetit spitalor të Elbasanit. Prej afro 4 muajsh, drejtori, që ka fituar tenderin në Ministrinë e Shëndetësisë (duke nxjerrë jashtë loje Drejtorinë Spitalore Elbasan) nuk duket fare në terren, nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk ka kontaktuar asnjë drejtues vendor, nuk ka kontaktuar as zyrën e INUK në këtë qytet, për prishjen e 36 lokaleve që janë bërë pengesë. Mungesa e murit rrethues të Spitalit Rajonal Elbasan, ka sjellë dhe vazhdon të sjellë problematika të rënda në punën normale të bluzave të bardha, pasi janë dhjetëra e dhjetëra  makina që bllokojnë çdo minutë trafikun, duke rrezikuar jetën e pacientëve, që vijnë në Urgjencë. Ngritja e murit  rrethues të Spitalit Rajonal të Elbasanit, duhet të ishte mbaruar, pasi afati i ka kaluar çdo procedure, por kaosi vazhdon të mbetet prezent në sheshet e spitaleve, ndërkohë që pronarët e objekteve pa dhe me leje, dirigjojnë situatën. Në zyrën vendore të INUK-ut thonë se “jemi gati të veprojmë me fadromat tona në rast se firma që ka fituar tenderin e ngritjes së murit të gjatë rrethues na njofton”, kurse përfaqësuesi firmës (drejtori i Ministrisë Ekonomisë) ose dërgon një përfaqësues të tij pranë Drejtorisë Spitalore  Elbasan, ose nuk vjen fare prej muajsh. Fati i këtij investimi kaq të rëndësishëm, po mbahet peng nga vonesat e pajustifikuara të atij që edhe ka fituar tenderin, nuk ka ndërmend të nisë punimet, ndoshta edhe për vitin 2015. Kjo ka sjellë kaos në rrjetin e spitaleve të Elbasanit, ku dhjetra automjete bllokojnë oborret, rrugët e brendshme dhe pengojnë autoambulancat të kryejnë detyrën në shërbim të pacientëve. Mjekët dhe shefat e pavioneve ankohen se “kemi pengesa në kryerjen e detyrës tonë, sheshet e spitaleve janë kthyer në parkime makinash, madje në shumë raste edhe në servise, ku ata që sjellin të sëmurin, u bëjnë shërbime motorëve, ndërrojnë pjesë, goma, etj. Kjo situatë duhet të marrë fund, duhet të ngrihet muri rrethues sepse spitalet po kthehen në pazare dhe tregje”.  Duke i dhënë njerëzve me poste dhe pushtet tendera në rrethe, ministritë kanë nxjerrë jashtë loje drejtoritë rajonale, dhe njëherësh kanë eleminuar llogaridhënien, për nisjen e punimeve, respektimin e afatit të punimeve, cilësinë e tyre, etj. Drejtuesit lokalë shprehen se “ne jemi kthyer thjesht në robotë, po bëjmë rolin e sekretarit dhe jo drejtorit, pasi gjithçka e dirigjojnë shefat në dikastere, por ama pasojat i vuajmë dhe përballojmë ne”. Kjo histori po ndodh edhe me tenderat e  rrugëve dhe investimeve të tjera publike, ku milionat e tyre po i marrin drejtorët e drejtorive, deputetët dhe “kodoshët” e ministrave.

    Ben Delimeta