Nisin sot kërkesat për punësimin e 5.500 zanatçinjve në Itali

    564
    Sigal

    ITALI/ Flukset e punësimit. Nisen kërkesat për hyrjet e reja dhe konvertimet

    Deri më 29 gusht të plotësohen formularët e punësimit për zanatçinjtë

     Është botuar në Gazetën Zyrtare dekreti i flukseve me 17.850 kuota. Gjithçka bëhet on line përmes faqeve internet të Ministrisë së Brendshme. Ja formularët që përdoren

    Nisin flukset 2014. Dekreti që autorizon 5.500 hyrje dhe 12.350 konvertime është botuar në Gazetën Zyrtare e nga 30 dhjetori 2014 është e mundur të paraqiten kërkesat.

    Vështirë që kuotat të mbarojnë në pak ditë, por kush përmbush kriteret është mirë të lëvizë, sepse kërkesat do të shqyrtohen në rend kronologjik të paraqitjes. Dita e fundit e vlefshme për paraqitjen e kërkesave, nëse nuk do të ketë shtyrje afati, do të jetë 29 gushti 2015.

    Ashtu si vitet e shkuara, pjesa më e madhe e kërkesave paraqiten online në faqet internet të ministrisë së Brendshme, personalisht apo me ndihmën e patronateve dhe shoqatave të kategorive. Për t’u futur në sistem është e nevojshme të regjistrohesh, më pas të zgjedhësh formularin e duhur:

    Formulari A për kërkesa autorizimesh për bashkëpunëtorë familjarë me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguai, Venezuelë dhe Brazil;

    Formulari B për kërkesa autorizimesh për punë të varur për punonjës me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguai, Venezuelë dhe Brazil;

    Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;

    Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;

    Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;

    Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;

    Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi në BE, për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;

    Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;

    Formulari BPS për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve të futur në projekte speciale.

    Kujdes, për hyrjen e punonjësve të pavarur parashikohet një procedurë e veçantë, ndërsa për të sjellë punonjës për EXPO Milano 2015 duhet hyrë në një tjetër hapësirë të rezervuar të portalit të ministrisë së Brendshme italiane.

    ITALIA /A mund të shkoj të marr patentën në Shqipëri e ta konvertoj këtu?

     Kur dhe si mund të bëhet konvertimi i patentës shqiptare në ITALI

    Jetoj në Pisa. A mund të shkoj të marr patentën në Shqipëri e më pas ta konvertoj e të qarkulloj në Itali?

    Për të konvertuar një patentë shqiptare, para së gjithash, duhet treguar që ajo është marrë në Shqipëri para vendosjes së rezidencës në Itali dhe se kërkuesi i konvertimit të patentës ka një dokument qëndrimi në Itali, leje apo kartë qëndrimi, të vlefshëm.

    Kështu, nëse emigranti ka tashmë rezidencën në Itali nuk mund të shkojë në Shqipëri, të marrë atje patentën, më pas të kthehet e të kërkojë konvertimin në Itali.

    Kjo theksohet në pikën 5 të marrëveshjes së lidhur mes dy shteteve dhe kujtohet në qarkoren e Ministrisë italiane të Transporteve të 29 korrikut 2009 nisur zyrave periferike të Motorizimit Civil: “Nënvizohet se nuk është e mundur të pranohen kërkesat për konvertim të patentave të marra në vendlindje pasi i huaji ka marrë rezidencën në Itali”.

    Marrëveshja për konvertimin e patentave shqiptare në Itali ka ardhur në fuqi në 15 gusht 2009 e ishte e vlefshme për pesë vjet, pra deri më 15 gusht 2014. Marrëveshja është përtërirë sërish nga 25 dhjetori 2014 për pesë vjet të tjerë, deri në 25 dhjetor 2019.

    Sh. Italisë