Në arsimin fillor dhe të mesëm stu­diojnë 80.000 fëmijë emigrantë

    800
    Sigal

    GREQI/Kodi i ri i Emigracionit. Konsultim publik deri më 29 tetor

    Në konsultimin publik, ku mund të mar­rin pjesë edhe emigrantët shqiptarë që njohin gjuhën greke, disponohet i plotë Kodi i ri i Emigracionit dhe Integ­rimit Social. Klikoni në faqen elektron­ike ëëë.ypes.gr dhe merrni pjesë në diskutimin e hapur, ose thjesht merrni një shije paraprake nga sa do të hyjnë në fuqi së shpejti. Karakteristika më e veçantë e Kodit të ri është zbatimi, më në fund, i udhëzimit të “Lejes Afatg­jatë”, që konkretisht ofron statusin e rezidentit në BE, domethënë punësim i ligjshëm për një periudhë 5-vjeçare, pa kryer asnjë procedurë shtesë. Ministri i Brendshëm, Janis Mihelakis, në konfer­encën për shtyp pak ditë më parë, ka deklaruar shpalljen e konsultimit pub­lik në faqen elektronike. Me një vësh­trim të parë, nuk ka asnjë parashikim për pajisjen me pasaportë greke të fëmijëve të lindur apo rritur në Greqi. Këtë e ka theksuar dhe vetë z. Mihela­ki, gjatë deklaratave pozicionuese e shpjeguese në lidhje me Kodin.

    ***

    Në Kodin e ri të Emigracionit, përfituesit kryesorë të udhëzimit, që në fakt është miratuar në Greqi nga viti 2006, do të jenë disponuesit e lejes 10-vjeçare ose lejes pa afat. Kështu, të gjithë emi­grantët që do të ndryshojnë statusin e lejes së qëndrimit, nga 10-vjeçare (ose pa afat) në Lejen Afatgjatë 5-vjeçare, sipas Udhëzimit Komunitar, përfitojnë të drejtën e qarkullimit dhe punësimit në mënyrë të ligjshme në të gjitha vendet anëtare të BE-së.

    Sipas ministrit Mihelaki, ky fakt përbën risinë bazë të ligjit të ri, shtyrja e emi­grantëve të ligjshëm, me një status me afat të gjatë në Greqi, të punësohen në vende me treg të fuqishëm pune, të BE-së. Kodi i Emigracionit parashikon dhe pajisjen e prindërve të fëmijëve të lindur apo të rritur në Greqi, që kanë qenë të ligjshëm për një periudhë të gjatë kohore në Greqi. Kështu, anash­kalohet nënshtetësia tek brezi i dytë i emigrantëve, edhe pse konkretisht familjet prisnin që ky Kod i ri të jepte një zgjidhje të re bllokimit të nën­shtetësisë së fëmijëve. Mesa duket, për nënshtetësinë do duhet të kalojnë disa vite apo qeveri akoma në pushtet. Për periudhën e afërt, të ardhshme, fëmijët e lindur apo rritur e shkolluar në sistemin arsimor vendas, do të pa­jisen me Leje Afatgjatë, domethënë do të jenë rezidentë të BE-së, me të drejtë punësimi e qëndrimi 5-vjeçar. Lejen e qëndrimit Afatgjatë do të kenë të drejtë ta rinovojnë edhe një herë nga Greqia, ndërsa në vijim, kur të plotëso­het 10-vjeçari me Leje Afatgjatë, nëse dëshirojnë të qëndrojnë në Greqi, do të pajisen me pasaportën greke. Por, e theksojmë edhe njëherë, nuk mbulon boshllëkun e shkaktuar nga anulimi me vendim të Këshillit të Lartë të ligjit Ragusis, nuk parashikon asgjë për mar­rjen e nënshtetësisë greke.

    ***

    Projektligj për nënshtetësinë e fëmijëve

    Pavarësisht sa parashikon Kodi i ri i Em­igracionit për fëmijët e emigrantëve, ministri i Brendshëm, Mihelakis, ka deklaruar se ka dorëzuar në zyrën e Kryeministrit një projektligj posaçër­isht për nënshtetësinë greke.

    ***

    Të ardhurat për lejet Afatgjatë

    Veçanërisht për brezin e dytë, nuk do të vlejnë kriteret e të ardhurave, të do­mosdoshme për të gjithë të rriturit që do të ndjekin procedurën e pajisjes me leje afatgjatë. Në ligj përfshihen dhe fëmijët, prindërit e të cilëve kanë hum­bur të drejtën e pajisjes me leje qën­drimi për mungesë ditë pune-ensima.

    Për të rriturit, të ardhurat e kërkuara do të vërtetohen nga deklarata tatimore. Gjithçka në legjislaturën për të rriturit bazohet në Udhëzimin Komunitar, ku parashikohen qartë kriteret: Të ardhu­ra vjetore, Sigurime shoqërore, numër i caktuar vitesh të ligjshme në Greqi.

    Kodi i Emigracionit synon në forcimin e lidhjes së qëndrimit të ligjshëm në Greqi, si emigrant ekonomik, domethënë në varësi të kontratës së punës, që në këtë moment në vend gjen zbatim në modelin 120 ensima në vit. Ndërkohë që përfshihet dhe një dispozitë kalimtare, ku parashikohet dhe kriza ekonomike dhe papunësia aktuale, kështu që do të lehtësohen përkohësisht emigrantët që kanë qenë prej vitesh të ligjshëm, por për momentin nuk kanë punë. Periudha e lehtësimit, sipas Sekretarit të Përgjith­shëm të Emigracionit, Angjelos Sirigos, nuk është vendosur akoma. Kategoria e emigrantëve, që nuk disponojnë kontrata pune, do të përshihet në le­galizimin për arsye humanitare, arsye të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për dispozita ligjore që do të mbrojnë të drejtën e vazhdimit të qëndrimit të ligjshëm në Greqi, për familjet emi­grante që kanë investuar shumë vite në vend.

    Duhet theksuar se për këtë kategori lejesh qëndrimi, nga fundi i vitit 2012 e deri më sot, theksoi z. Sirigos në kon­ferencën për shtyp, janë mbledhur rreth 10.000 kërkesa. Nga muaji Maj 2012, në Sekretarinë e Përgjithshme të Emigracionit janë ngritur komisione të posaçme për shqyrtimin e këtyre kërkesave: deri tani janë shqyrtuar 7.600 prej kërkesave dhe janë pajisur me këtë leje rreth 50% e tyre. Të tjerat do të shqyrtohen deri në fund të vitit 2013. Ndërkohë që me nenin e ri në Kodin e Emigracionit parashikohet një valë e re kërkesash, përderisa emi­grantët e papunë shtohen nga dita në ditë.

    -Së fundi, Kodi i ri i Emigracionit stabi­lizon dhe procesin e shërbimeve One Shop Stop. Në vendet e tjera të BE-së ka hyrë në fuqi këtu e 10 vjet. Sipas z.Sirigos, në Greqi janë krijuar nga 30 shtatori, në Athinë e Pire do të punëso­hen me 40 punonjës, në periferi me 420 punonjës (në gjithë vendin), plus dhe 20 punonjës në sektorin e shqyrtimit të kërkesave për Lejen për Arsye Hu­manitare-të Jashtëzakonshme. Shërbi­met one stop shop janë, me pak fjalë, shpresa e fundit e emigrantit për leje qëndrimi pa radhë të gjata e pak më shpejt (jo pas skadimit).

    Statistika Emigracioni

    Sa është numri i emigrantëve të ligjshëm në Greqi?

    Sipas z. Aggelos Sirigos, në Greqi këtë moment janë dhënë 540.000 leje qëndrimi, janë në pritje për shqyrtim 160.000 kërkesa të tjera, për rinovim të lejes së qëndrimit.

    Në arsimin fillor dhe të mesëm stu­diojnë 80.000 fëmijë dhe nxënës të huaj, më shumë se gjysma e të cilëve janë emigrantë. Nga 40.000 fëmijë dhe studentë të ligjshëm, 80% janë shqiptarë.

    I.Londo

    Realiteti grek, shkojnë në shkollë pa ngrënë, ikin nga shkolla akoma më të uritur

    Ushqim FALAS për 50.000 nxënës

     Statistikat e MKO Prolipsi rezultojnë: 6 në 10 fëmijë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm në shtëpi. Vetëm 35,8% e familjeve, me fëmijë të regjistruar në shkollat pjesëmarrëse në program, mund të sigurojnë kërkesat bazë të fëmijëve të tyre.

     Përveç problematikës së drejtorive arsimore në lidhje me shkurtimin e mësuesve, uljen e rrogave, mbylljen e programeve studimore, në përgjithësi të përfshirjes së Arsimit në memorandumet e miratuara dhe kërkesat e vazhdueshme të Trojkës, vjet dhe sivjet shoqëria në vend duhet të përballet dhe me një tjetër fenomen, thuajse tragjik. Urinë e fëmijëve. Sipas sondazhit të fundit të MKO Prolipsis, 10,6% e nxënësve kanë të dy prindërit pa punë, 46.3% e nxënësve kanë të paktën një prind pa punë, 8.1% e nxënësve nuk kanë siguracion shëndeti, 64.2% e nxënësve nuk u sigurohet ushqimi nga shteti (janë apo jo të ushqyer në shtëpi), 26.9% e fëmijëve nuk kanë asnjë lloj sigurimi të ushqimit di­tor nga shkolla dhe janë në kategorinë e të uriturve, përderisa prindërit nuk sigurojnë të ardhurat për t’i ushqyer normalisht. Sit­uata është rënduar akoma më tepër pasi dhe shumë nga kioskat që shesin ushqime brenda shkollës janë mbyllur për arsye të ndryshme (ekonomike, nuk plotësojnë kri­teret e kërkuara në cilësinë e produkteve ushqimore). Mësuesit, sidomos në shkol­lat veriore dhe Peloponez kanë bërë mjaft fushata brenda shkollës, duke kërkuar nga familjet që akoma kanë mundësi, të ofroj­në ushqime dhe rroba tek bashkëmosha­tarët e tyre. Vitin e kaluar akademik, MKO Prolipsis shpalli një program ushqimor për nxënësit, në të cilin deklaruan menjëherë pjesëmarrjen 124 shkolla dhe brenda një muaji pranuan 500 kërkesa të tjera. Sivjet programi vazhdon përsëri, me 300 shkolla të tjera, të regjistruara në muajin shtator. Numri i nxënësve në shkollat e veriut të Greqisë dhe Peloponez, që sivjet do të përfitojë nga programi ushqimor falas i MKO Prolipsis arrin në 50.000. Në Athinë, zonat ku është paraqitur më shumë in­teres janë Kipseli, Nikea dhe Agios Pan­teleimonos, të njëjtat zona ku, sipas statis­tikave, jetojnë shumica e emigrantëve dhe një përqindje mjaft e lartë e emigrantëve shqiptarë. E meqenëse kriza ekonomike dhe uria nuk bëjnë dallime, fëmijët që do të ushqehen në shkollë do të jenë sa kanë vërtet nevojë (uria tek fëmijët dallohet lehtë), vendas apo të huaj.

    Programi subvencionohet nga Institucioni Bamirës “Stavros Niarhos”, drejtoria e të cil­it sivjet dyfishoi shumën e subvencionimit për vetë faktin se kërkesat janë shumëfi­shuar në lidhje me vitin e kaluar. Plot 80% e familjeve që kanë kërkuar ndihmë për ushqimin e fëmijëve kanë të ardhura mjaft të ulëta dhe 50% e familjeve kanë të paktën një nga prindërit papunë për kohë të gjatë. Në një tjetër sondazh, në 152 shkolla pjesëmarrëse, rezultoi se 26.5% e nxënësve nuk sigurojnë dot ushqimin në shtëpi dhe janë të uritur, ndërsa 37,3% nuk kanë ushqim të siguruar, por pa arritur në kategorinë e “i uritur”, domethënë siguroj­në deri diku pak ushqim. Më qartë, e më tragjikisht, sot në shkollat fillore greke, 6 në 10 fëmijë rrezikohen të mos ushqehen fare në shtëpinë e tyre, thjesht të mos kenë të hanë, ndërsa vetëm 35,8% e familjeve mund të sigurojë sot se janë në gjendje të mbulojnë nevojat bazë të fëmijëve të tyre. Përqindjet e larta të urisë tek fëmijët sot në Greqi janë më tragjiket nga fundi i Luftës, ndër më të lartat në vendet e tjera që po kalojnë krizën ekonomike, ndërsa zonat me varfërinë më të theksuar janë ato të Atikës, me 30%, kryesisht zonat e mbi­populluara nga emigrantë, si Pl. Viktorias, Ampelokipi, Aspropirgos, Nikea, Pl.Atikis, Pl. Vathi, Pl. Koliacu, Kipseli.

    Në Selanik, problemet më të mëdha i ndeshin në zonën Menemeni, ndërsa në të njëjtin fat janë dhe familjet që banojnë në Paralia të Patra, Tragano të Ilia, në Pelo­ponez.

    Greqia veriore po ashtu ka shumë fëmijë të uritur, sidomos në Komotini, Ksanthi, Pa­leohora, Kulura, Kapsohora dhe Korifi Ima­thias. Madje, në një prononcim në lidhje me papunësinë dhe urinë tek fëmijët, zv/ kryetari i Bashkisë në Ksanthi, Dhimintris Benis, deklaroi se “çdo ditë ushqehen në mensën e Bashkisë falas rreth 150 persona të papunë, ky numër vjen duke u rritur va­zhdimisht. Marrim pjesë në programe të ndryshme për ushqimin e fëmijëve, për të siguruar edukimin e tyre të detyrueshëm sepse prindërit as këtë nuk e sigurojnë dot më, por sa do vazhdojmë kështu? Papunë­sia është një plagë e madhe e Thrakës dhe Epirit, prej shumë vitesh. Sa do durojmë akoma ne të periferive?”

    Përgatiti I. Londo