MPPT zbardh emrat me 3289 persona në të gjithë vendin që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që përfitojnë kredi.

    457
    Sigal

    Dërgohet në bankë lista e personave të pastrehë që banojnë në shtëpi të ish-pronarëve, për të përfituar kredinë për strehim

    Në përputhje me Aktin Normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve, Enti Kombëtar i Banesave, dorëzoi sot pranë Bankës Kombëtare Tregtare listën e të gjithë personave që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që përfitojnë kredi me interes zero për një afat deri në 30 vjet për të zgjidhur problemin e strehimit të tyre dhe për të liruar ambientet ku banojnë aktualisht. Lista me 3289 persona që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve, ku peshën kryesore e zënë Bashkia Tiranë, me 908 raste, Durrës ,me 869 dhe Shkodër me 605, u dorëzua në bankë sot në mesditë. Nga ky moment, të gjithë personat që gëzojnë statusin e të pastrehut dhe që banojnë në shtëpi të ish-pronarëve, duhet të aplikojnë pranë kësaj banke, për të përfituar kredinë për strehim. Në përputhje me Aktin Normativ, ata duhet që brenda datës 1 nëntor 2012, të përfundojnë procedurat e kredisë, të zgjidhin përfundimisht problemin e strehimit dhe të lërojnë banesat e ish- pronareve. Ftojmë të gjithë pronarët që ende nuk disponojnë pronën e tyre që të mbikqyrin këtë proces dhe, nëse brenda datës 1 nëntor 2012, shtëpitë e tyre nuk janë liruar, të bëjnë njoftimin përkatës pranë Entit Kombëtar të Banesave që, në përputhje me autorizimin që Akti Normativ i jep këtij institucioni (EKB), të bëjë verifikimin respektiv dhe t’i drejtohet gjykatës për lëshimin e Urdhërit të Ekzekutimit për lirimin e banesës. E gjithë procedura pranë gjykatave për llogari të ish-pronarëve do të kryhet nga Enti Kombëtar i Banesave. Lista e personave që banojnë në shtëpit e ish –pronarëve do të publikohet në faqën zyrtare të MPPT-së dhe Entit Kombëtar të Banesave Duke ftuar që të gjitha ata që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve të aplikojnë pa humur kohë për kredi dhe duke ftuar ish-pronarët të ndjekin me vëmendje procesin, Ministria e Punëve Publike njofton se Enti Kombëtar i Banesave dhe degët e tij në rrethe do të jenë në dispozicion të të gjithë personave të interesuar për çdo sqarim të kërkuar. Ne besojmë se ky është një veprim shumë i rëndësishëm për rikthimin e një të drejtë brutalisht të shkelur për dekada dhe për ta bërë shoqërinë tonë më të drejtë dhe më të paqtë.