Mitrush Kuteli/ Poezi

    880
    Sigal

    Dhimitër Pasko, i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli u lind më 13 shtator 1907Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj.. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-‘34 Kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Konstancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Ka një trashëgimi me vlerë në poezi e publicistikë.

     

    Mitrush Kuteli –

     Qëndrimi

    Jam shqiptar
    e kosovar:
    Zot e krenar,
    -Zot e bujar-
    mbi këtë Dhe,
    që e kam fe
    e përmbi fe:
    e kam Vatan!
    E kam Atdhe!
    Që gjysh stërgjysh,
    që brez pas brez,
    që gjithmonë!
    Ti shkja thërret
    ti shkja bërtet,
    deri lart në retë:
    se jam barbar.
    Jo, s’jam!
    si bërtet ti,
    si buçet ti,
    ti, Mal i Zi.

    Po Vendin tim e dua,
    lirinë e dua,-
    e s’dua
    zot
    mbi mua.
    Se jam këtu kur s’kish njeri,
    kur s’kish kufi
    as fqinjëri,
    as shkja të zi.
    Se jam këtu kur Mal i Zi
    ish Iliri:
    kur nga një det në tjatrin det
    isha zot vetë!
    Unë jam këtu nga moti
    kur vetë Zoti
    e bëri fushën fushë
    e malin mal.
    Unë jam këtu e do të jem
    -dem baba dem-
    sa mali të bëhet hi
    e hiri mal përsëri

     

    Sulmi

    Ta shemba shkjah kufirin
    që ngrite ti
    në vendin tim e përmbi varr
    të babës tim.
    Ta shemba,
    ta dogja,
    me zjarrin e shpirtit,
    të vuajtjes
    dhe të urrejtjes.
    Me zemërim,
    me vrull të madh,
    e bubullimë
    që s’ka mbarim
    Se vjete ti më çave,
    më ndave,
    më vrave,
    armik – lugat,
    armik -xhelat!
    Ti bëre azape:- s’u tremba.
    Ti ngrite kufire me gjemba,
    fortesa ti ngrite:
    t’i shemba!
    Tani!
    Tani!
    Atje ku ti
    o Mal i Zi
    ngrite kufi
    që ndanin,
    e çanin
    vëllazëri:
    Hej!
    Sot,
    shkon
    e valon,
    parmenda!
    T’i bëra të gjitha rrëmujë
    dhe ty
    gjyrma t’u çduk
    si në ujë.
    Ta shemba armik kufinë
    –derë burgu–
    dhe është tani
    si ish!
    –si do të jetë–
    përjetë:
    Lëndinë!

     

    Qëndrim

    Tani!
    Tani!
    Unë jam gati
    të vdes që sot –
    se rroj përmot;
    mbytur me gjak
    po jo me lot,
    për këtë Dhe
    që e kam si fe
    e përmbi fe.
    E kam Vatan!
    E kam Atdhe!
    Hej!
    po buças me zë kaba
    sa të dëgjohet në qiell la
    sa të dëgjojë fund e kryej
    kush gjak shqiptari ka në dej.
    Shaban- vëlla!
    Destan- baba!
    Hej!
    Komb i lirë kosovar,
    ti komb shqiptar,
    ti Zot krenar
    ti djalëri- ti pleqëri
    bëju gati!
    Bëju gati
    për vrull të ri;
    ta djegësh botën
    ta bësh hi:
    për Liri’
    Për Shqipëri!
    Tani,
    tani!
    – O Mal i Zi
    ja unë
    ja ti!
    Po unë – jo ti,
    se jam këtu kur s’kish njeri
    dhe as kufi
    as fqinjëri…
    Unë jam këtu kur Mali i Zi
    Me Shumadi,
    Me Dallmati –
    Sa mban e gjitha Shqehëri
    Ish ILIRI!
    Kur nga një det në tjetrin det
    isha Zot vetë.
    Se jam këtu nga moti
    kur vetë zoti
    e bëri fushën- fushë
    e malin mal!
    Unë jam këtu
    e do të jem
    – dem baba dem –
    Sa mali të bëhet hi
    E hiri mal përsëri.