Ministria e Veliajt “harron” invalidët, por jo administratën e vet

    394
    Sigal

    Vonohet me 2 javë pagesa për personat me aftësi të kufizuara

    Personat me aftësi të kufizuara prej 2 javësh nuk po marrin pagesat e tyre. Dhe faji sipas shoqatave të personave me aftësi të kufizuara nuk është i njësive vendore, por i Ministrisë së mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila nuk ka bërë akoma të aksesueshme pagesat për secilën prej kategorive në fjalë. Shoqatat e personave me aftësi të kufizuara theksojnë se, nuk kanë zgjedhur rrugën për të protestuar për këtë situatë, pasi pagesat e paaftësisë janë miratuar me ligj dhe si të tilla janë të padiskutueshme për qindra mijëra persona me aftësi të kufizuara në shkallë vendi. Situata e shpërndarjes së fondeve për personat me aftësi të kufizuara nuk dihet se kur do të zhbllokohet nga ministria e Veliajt. Tashmë është shndërruar gati në një formë tradite zvarritja që po ndjek qeveria shqiptare për pagesat e invalidëve.

    Invalidët në luftë për mbijetesë

    Pagesat, pjesa më e rëndësishme për personat me aftësi të kufizuar, të cilët shpesh janë edhe kryefamiljarë, janë vonuar me 2 javë nga qeveria. Kjo sjell edhe përkeqësimin e cilësisë së jetesës së personave me aftësi të kufizuara. Qeveria nga njëra anë u kërkon qytetarëve të vet të paguajnë energjinë, ujin e taksat e tjera, duke i dënuar madje edhe me kufizim të lirisë (duke i futur në burg), ndërsa nga na tjetër nuk respekton detyrimet ligjore që ka për qytetarët e saj dhe për më tepër kur bëhet fjalë për një grup vulnerabël, siç janë personat me aftësi të kufizuara. Këta persona kanë të drejtë të ushqehen, të lahen, të pastrohen… por kur nuk kanë para, të cilat ua jep ligji, jo qeveria, ata nuk mund të kryejnë asnjë nga këto procese jetësore. Ka nga ata, që janë dhe me qira dhe ndoshta qiramarrësi mund t’i nxjerrë edhe në qiell të hapur, nëse ata nuk paguajnë detyrimet e tyre; ka nga ata që kanë pagesa të energjisë të mbartura dhe paguajnë me këste, përveç faturave mujore, por nëse nuk i paguajnë vjen OSHEE dhe u heq dritat, ose policia dhe i fut në burg; ka nga ata që duhet të paguajnë detyrimet që kanë në listat e dyqaneve ushqimore të lagjes, por nëse nuk i paguajnë biznesmenët e vegjël nuk u japin më bukë; ka nga ata që marrin me lista medikamentet e tyre të përmuajshme, por nëse nuk i paguajnë, atëherë nuk mund ta marrin mjekimin në kohë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

    Veliaj “harron” invalidët

    Një nga ndryshimet që është bërë për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar lidhur me pagesat, është hedhja e tyre në bankë. Nëse më parë merreshin në sportele, sot pagat dhe të gjitha paratë invalidët i tërheqin nga banka, ose nëpërmjet postës. Por, edhe për këtë shërbim ata paguajnë, pasi si komision dhe shërbim bankar u mbahen 50 lekë apo 100 lekë për çdo pagesë mujore apo komisione të tjera postare në rastet, kur pagesa bëhet nëpërmjet postës. Gjithashtu vonesat e pagesave të personave me aftësi të kufizuara ndodh edhe për shkak të procedurave të lëvrimit të fondeve deri në mbërritjen përfundimtare në llogarinë e secilit prej tyre. Dhe për këtë përgjegjëse është Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Porse Veliaj nuk harron veten, stafin e tij që t’i marrin në kohë rrogat e tyre, apo për shpenzimet ministrore për udhëtime, dieta e rregullime zyrash…