Prof. Dr. Bajram Hysa: “Trysnia” mbi botën akademike në projektligjin e arsimit të lartë

810
Sigal

“Kjo është padyshim reforma më e papolitizuar në këto 20 vjet dhe çdo tentativë për ta ndryshuar këtë, është mjerane”. Ky ishte reagimi nervoz i MAS, pas vërejtjeve të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, i cili u mblodh më 30 janar 2015. Pas përpjekjeve për depersonalizim të mjekëve dhe mësuesve, nëpërmjet testimeve absurde, kjo është një tjetër përpjekje për depersonalizim të demokracisë dhe standardeve të Kartës së Bolonjës. Përpjekje të tilla tregojnë se politikat demokratike duket se po shndërrohen ditë pas dite në një biznes të specializuar të një minoriteti shumë të vogël profesional, politikanësh, ekspertësh dhe servilësh civilë.

Lapsus apo anakronizëm?

Për ironi të situatës, ngutja për reagime të tilla bie në kundërshtim me dinjitetin e arsimit të lartë, me dinjitetin e vetë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ta konsiderojmë këtë një lapsus apo anakronizëm? Por, toni, me të cilin u shqiptua, dukej krejtësisht i kthjellët. Debati për ligjin e ri të arsimit të lartë duhej të gjente zgjidhje pikërisht nga vlerësimi i opinionit akademik mësimdhënës e shkencor dhe nën oponencën e grupeve të interesit. Në çdo sistem demokratik është detyra e politikëbërësve të këshillohen me udhëheqësit shkencorë dhe universitarë. Ndryshe nuk mund të arrihet asnjë vizion bashkëkohor. Ndryshe nuk mund të konsideroheshin legjitimë ligje të tilla.

Injorimi i Kartës së Bolonjës

“Trysnia” akademike për këtë projektligj po e asgjëson përfundimisht atë dhe ky nuk është thjesht një shpirt rebelimi që po përhapet rrezikshëm, por një oponencë realiste, shkencore e kushtetuese, për të cilën ministria duhet të jetë mirënjohëse, pasi i jepet një mundësi për të ofruar një mënyrë kurimi më të mirë për lëngatën e arsimit të lartë në Shqipëri.

Senati Akademik i këtij Universiteti, në dokumentin e mosaprovimit të këtij drafti, dorëzuar MAS-it, konstaton se: “P/Ligji i AL bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë Neni 57/7 i Kushtetutës së RSH, ku thuhet se: “Autonomia e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”. Projekt Ligji i AL përbën regres flagrant në arritjet e siguruara nga stafet universitare, si dhe cenon sigurinë juridike të fituar të të gjitha grupeve të interesit. Ai shkel parimet themelore të Kartës së Bolonjës dhe Deklaratës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Arsimi i Lartë në Republikën e Shqipërisë është pjesë e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë. Shteti, nga njëra anë, kontrollon maksimalisht vendimmarrjen dhe lirinë akademike, nga ana tjetër kufizon fondet publike për IAL publike duke rrezikuar ekzistencën e tyre. Studentët përjashtohen nga procesi i vendimmarrjes”.

Regresi i IAL-ve

Siç shihet, Senati i UT ka akuzuar hartuesit e projektligjit se nuk i janë afruar aspak problemeve të vërteta të arsimit të lartë, pasi kërkojnë të kthejnë një sistem arsimor që është tejkaluar me kohë. Mendimet e senatorëve të UT-së kanë të drejtën e patjetërsueshme të gëzojnë respekt e mirënjohje. Fjalët dhe sugjerimet e tyre, ta pasuara nga shumë pedagogë e punonjës të arsimit të lartë në vend, nuk mund të paragjykohen, sepse asnjë komision, asnjë qeveri nuk mund të mohojë meritat e tyre. Përse duhet të shkojë puna deri te ngritja e akuzave për këtë dokument, që mund të arrijë deri në Gjykatën Kushtetuese? Përse duhet të shpërfillen akademikët dhe themeluesit e vërtetë të arsimit të lartë në Shqipëri? Përse duhet të paragjykohet kjo forcë vitale e arsimit shqiptar? Në projektligjin e ri për arsimin e lartë duhet t’i referohemi domosdoshmërisht Deklaratës së Përbashkët të Ministrave të Arsimit të BE-së për rritje të autonomisë institucionale dhe të përfaqësimit në vendimmarrje e qeverisje (me studentë dhe personel akademik). Projektligji i paraqitur sanksionon në mënyrë absurde dhe krejtësisht të papranueshme dobësimin e kësaj autonomie dhe përfshirjen e aktorëve të jashtëm, të caktuar nga qeveria në qeverisjen e institucioneve të arsimit të lartë.

Nuk ka arsim pa kërkim shkencor

Se çfarë absurditetesh përmban tjetër projektligji në fjalë, mjafton të sjellim në vëmendje nenin 62, pika 2, ku thuhet: “personeli akademik mund të jetë me orientim mësimor ose kërkimor shkencor”. Se si mund të ndahet mësimi nga kërkimi shkencor, autorët e kësaj mbrapshtie e dinë! Si çdokush që ka administruar një fakultet të madh me mijëra studentë, që ka vëzhguar çdo lëvizje dhe progres të arsimit të lartë, personalisht e di çdo të thotë të biesh në rrezikun e të njëjtave gabime që janë bërë në kohën e epokës së socializmit. Arsimi i lartë sot i ka të gjitha mundësitë për të mos rënë në kurthe tragjike e komike, në pengesa e gremisje. Nuk ka arsim të lartë, pa iu dedikuar kërkimit shkencor, nuk mund të ndahen dot kurrë këto dy koncepte. Çdo gjykim tjetër, është kokëfortësi, është fatalizëm. Ne, komuniteti i pedagogëve dhe drejtuesve universitarë, mbështetur nga shoqëria civile dhe segmente të tjera progresive të arsimimit dhe edukimit, duhet të jemi të përgjegjshëm për sistemin e arsimit të lartë që po përpiqemi të moderojmë, të mundohemi të ndërgjegjësojmë, edhe ata që na qeverisin, që të mos përmendemi si njerëz që dështuan në një projekt kaq të rëndësishëm njerëzor, kombëtar dhe jetik për të ardhmen dhe demokracinë tonë. Prandaj, duhet të angazhohemi të gjithë për këtë projektligj, që ai të përsoset për të funksionuar realisht, si në zhvillimin e demokracisë, ashtu edhe në konkurrimin global.

Kur humb pasioni për arsimin

Nga ana e tyre, liderët dhe drejtuesit qeveritarë duhet të përsosin komunikimin me bashkësinë akademike shkencore e mësimdhënëse, me gjithë bashkësinë arsimore e kulturore, për të qenë të aftë të lidhin interesat dhe aftësitë tona me komunikimin, edukimin dhe kulturën civile të demokracisë. Kjo është nevojë jetike për demokracinë shqiptare.

Inkompetenca e drejtimit të MAS është bërë e dukshme, dekurajon dhe humb pasionin për arsimin. MAS, dhe grupi për reformën kanë organizuar një sërë takimesh formale, por mosmarrja në konsideratë e mendimit të stafit akademik, aq më tepër akademikëve dhe drejtuesve universitarë e shkencorë, nuk mund të besohet prej askujt. Sado subjektive të jenë idetë dhe mendimet akademike, ato duhet të jenë detyrimisht subjekte të debatit të lirë, ashtu siç duhet të jenë edhe mendimet e lira të studentëve. Kultura e demokracisë është në radhë të parë kulturë për arsim dhe zhvillim të vazhdueshëm. Në qoftë se brezi i ri do të humbasë ndjenjën e përfshirjes në çështjet universitare dhe do të ndjehet i shtypur prej një administrate burokratike të rutinizuar, e ardhmja e demokracisë është në rrezik. Anëtarët e kabinetit, qeveritarët kanë mandat nga zgjedhësit për të qenë menaxherë të institucioneve, për të qenë nxitës të palodhur të ndryshimeve dhe jo të kapërthehen në interesat e pafundme që u kundërvihen ndryshimeve bashkëkohore.

Universiteti Mjekësor pa status!

Në kontekstin e debatit për projektligjin e arsimit të lartë, do i kujtoja drejtuesve të MAS se nuk duhet të bëjnë sikur harrojnë që ka disa ditë që ka skaduar statusi i Universitetit Mjekësor të Tiranës. Në datë 15 Maj, 2014, në Kuvendin e Shqipërisë u miratuan ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë (2007), të cilat prekën kryesisht qeverisjen dhe administrimin e Universitetit Mjekësor. Për këtë amendim, në funksionin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, unë kam paraqitur objeksionet dhe kundërshtimet e mia në komisionin parlamentar, i bindur se ato ishin në kundërshtim me politikat e qeverisë dhe ligjin e arsimit të lartë, për garancinë e autonomisë së institucioneve arsimore. Kam argumentuar se Projektligji, që u kthye në ligj, cenonte një normë të vendosur prej më shumë se një dekadë në praktikën legjislative të vendit tonë, sipas së cilës kriteret bazë, që duhet të plotësojnë kandidatët që konkurrojnë për anëtarë të organeve drejtuese, ose për postet e autoriteteve drejtuese në IAL (grupi mësimor kërkimor, departamenti, shërbimi, fakulteti dhe universiteti), vendosen në ligj dhe nuk i lihen në dorë ekzekutivit, çka garanton realizimin e autonomisë (institucionale, qeverisëse dhe akademike) së IAL, e parashikuar kjo në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në ligjin në fuqi. Projektligji i jepte të drejtën Këshillit të Ministrave të përcaktonte me vendim kriteret e përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit. Gjithashtu, absurditeti më i madh ishte se Projektligji mund të ndërpriste mandatet e autoriteteve të fituara përmes zgjedhjes me votë direkte ose përzgjedhjes përmes konkursit.

Ndërsa, sipas përfaqësuesve të qeverisë, projektligji synonte të përmirësonte raportet midis institucionit të arsimit të lartë dhe QSUT-së, si pjesë përbërëse e tij, duke krijuar kushtet për një mirëfunksionim të shërbimeve spitalore që ofrohen nga QSUT-ja. Sipas tyre, qëllimi i këtij projektligji ishte përmirësimi sa më i shpejtë i shërbimit, por edhe i situatës së mësimdhënies, gjë që nuk ka ndodhur këto 6 muaj.
Projektligji synonte gjithashtu të rregullonte veprimtarinë e Universitetit Mjekësor të Tiranës (UMT) vetëm për pak muaj (rreth 6 muaj), pasi periudha kalimtare e funksionimit të UMT, si një institucion i ri i arsimit të lartë, ka përfunduar me 23 janar 2015. Pas këtij afati, ai duhet të zhvillojë veprimtarinë e tij si çdo IAL tjetër publike e vendit. Por, askush nuk po kujtohet për këtë. Koha provoi se ky Universitet provoi atë që përmendi pak më parë Kryeministri, duke u shndërruar në një “shqiponjë me dy kokë”, vatër konfliktesh, arenë e luftës së karrieristëve për pushtet, që nuk kanë provuar ndonjëherë kënaqësinë që të jep fitorja e postit me rrugë demokratike, me anë të votës dhe jo me anë të emërimeve politike. Krahasuar me Universitetin e Tiranës, UMT është gati 20.000 vende larg në rankimin botëror, ( duke e cenuar rëndë vlerën e diplomës në treg, sidomos në atë ndërkombëtar) duke ekzistuar thjesht si një shkollë bolshevike profesionale dhe me shpenzime, të cilat jo vetëm janë të tepërta dhe luks për shpatullat e taksapaguesve shqiptare, por e vërteta është se po rrënohen e shkatërrohen edhe ato vlera e infrastrukturë e ngritur me shumë mundim e përkushtim për vite e dekada të tëra.
Me qëllim që Fakulteti i Mjekësisë, bazuar në orientimet e dhëna në dy konferencat e fundit të Ministrave të Arsimit në Europë sa i takon përfaqësimit në strukturat e Arsimit të Lartë, si dhe duke patur parasysh parimet që udhëheqin deklaratën e Bolonjës, do ishte me rëndësi të harmonizoheshin të dy aspektet e veprimtarisë së stafit, që nga njëra anë kryen pranë QSUT-së funksione diagnostikuese dhe trajtuese dhe nga ana tjetër funksione arsimore dhe kërkimore-shkencore pranë Fakultetit të Mjekësisë. Po në këtë status të dyfishtë, në raport me Institutin e Shëndetit Publik, duhet parë edhe stafi akademik i angazhuar në Shëndetin Publik.