Mehdi Pogaçi: Përmirësimi i Statusit të Ushtarakut, një nga synimet e Qeverisë së re

    400
    Sigal

    Intervistë/Flet Mehdi Pogaçi, president i SHKURSH-it, për Programin e Rilindjes

    Programi i Rilindjes, tashmë publik, ka ngjallur interes edhe në kategorinë e ushtarkëve.  “Kështu, sipas programit, Qeveria do të mundësojë kryerjen e një reforme të thellë në Forcat e Armatosura nga pikëpamja doktrinare, konceptuale dhe strukturore, me qëllim që të rrisë profesionalizmin, të sigurojë depolitizimin e strukturave dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit” shprehet, në një intervistë për “Telegraf”, Mehdi Pogaçi, Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë. Sipas tij, programi i Qeverisë së re synon integrimin tërësor të Forcave të Armatosura, që sipas Pogaçit do të thotë trajtim të njëjtë të ushtarakëve tanë me ata të vendeve aleate. Sa e gjejnë veten të përfshirë në program ushtarakët në rezervë dhe lirim apo dhe Statusi i Ushtarakut, gjithashtu janë pjesë e analizës së Pogaçit në këtë intervistë.

     Z. Pogaçi besoj jeni njohur me programin e rilindjes të qeverisë së re. Çfarë synon për ushtarakët ky program?

     Po, sigurisht që jam njohur me programin. Programi i Qeverisë së re për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë e mbrojtjes, si pjesë e saj, prezanton në esencë synimin e Qeverisë për atë çfarë duhet bërë në drejtim të reformimit të forcave të armatosura në përputhje me standardet e NATO-s, duke synuar rritjen e shkallës së profesionalizmit, dinjitetit dhe integritetit të tyre për t’i kthyer ato në një forcë aktive në shërbim të vendit dhe të denja për standardet e vendeve anëtare të Aleancës.

     Çfarë do të thotë kjo, më konkretisht?

     Kjo do të thotë që të shikohen dhe përpunohen me një frymë të re të gjithë elementet që kanë të bëjnë me përmirësimin e këtyre cilësive, duke filluar nga përgatitja aktive e serioze, deri te përmirësimi i detyrave dhe të drejtave të tyre, në përputhje me statusin e ushtarakut për të patur forca të armatosura në nivelin e atyre të forcave të armatosura të vendeve të tjera të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kështu, sipas programit, Qeveria do të mundësojë kryerjen e një reforme të thellë në Forcat e Armatosura nga pikëpamja doktrinare, konceptuale dhe strukturore, me qëllim që të rrisë profesionalizmin, të sigurojë depolitizimin e strukturave dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit.

     E si do të arrihet kjo?

     Kuptohet që Qeveria, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm duhet të rishikojnë dhe ripërpunojnë të gjitha dokumentet për doktrinën e mbrojtjes dhe atë ushtarake, në përputhje me konceptet aktuale të strategjisë së re të NATO-s. Këto vite është vënë re se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm u janë shmangur përputhjes së koncepteve tona të mbrojtjes me ato të Aleancës, duke i cunguar ato, ose duke i zbatuar ashtu siç ata i kanë kuptuar (keq). Programi përcakton hartimin e një platforme solide për rritjen e bashkëpunimit me NATO-n, me vendet anëtare dhe ato partnere, për një mbështetje më të madhe të tyre në arritjen e standardeve të kërkuara dhe realizimin e kontributit tonë në misionet e mbrojtjes kolektive dhe ato paqeruajtëse të drejtuara nga Aleanca. Pra, siç vihet re, synimi i programit është integrimi tërësor i Forcave tona të Armatosura, edhe nëpërmjet bashkëpunimit me forcat e armatosura të vendeve partnere, si dhe pjesëmarrjes aktive në misionet e mbrojtjes kolektive dhe ato paqeruajtëse apo paqebërëse.

     Çfarë nënkupton kjo?

     Kjo nënkupton gjithashtu, mendoj unë, edhe trajtimin e ushtarakëve tanë në mënyrë të njëjtë, apo sa më të përafruar me ato të ushtrive të vendeve aleate, duke filluar nga përgatitja, pajisja me teknikë e armatim të njësuar e deri te trajtimi ekonomiko-financiar. Realizimi në një shkallë sa më të lartë i tërësisë së stanag-eve (standartization agreements) të NATO-s, mbetet detyrë e vazhdueshme e Forcave tona të Armatosura për të qenë gjithmonë në të njëjtin nivel dhe në të njëjtën shkallë bashkëpunimi e bashkëveprimi me forcat e tjera të armatosura.

     A e parashikon programi mënyrën se si do realizohen këto?

     Për të arritur këto, programi i Qeverisë parashikon hartimin e një plani afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit të FARSH, për periudhën 2013-2020, me anën e të cilit do të synojë krijimin e një strukture të re organizative të FA, duke ulur në mënyrë graduale numrin aktual të personelit, si dhe rishikimin e tërë sistemit të edukimit, arsimimit dhe trajnimit të Forcave të Armatosura, me qëllim përgatitjen e ushtarit profesionist, nënoficerit, oficerit të trupës dhe shtabit të Forcave të Armatosura, në përputhje me nevojat e strukturës së re të kësaj force.

     Po “statusi i ushtarakut”, për të cilin ju kaq herë keni ngritur zërin për zbatimin e tij, a përmendet?

     Ripunimi i kuadrit ligjor, i cili rregullon veprimtarinë e Forcave të Armatosura është një nga synimet e këtij programi, ku në thelb parashikohet të jetë përmirësimi i Statusit të Ushtarakut, si dokumenti themelor për Forcat e Armatosura, nga ato aktive deri te ato rezerviste e në pension, me synim rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur dhe rritjen e besimit të tyre tek shteti. Statusi i Ushtarakut përmban detyrat dhe të drejtat e të tre kategorive të ushtarakëve, aktive, në rezerve dhe në pension, ku përmirësimi i trajtimit financiar të ushtarakëve aktivë konsiderohet një domosdoshmëri për mbajtjen dhe tërheqjen e burimeve njerëzore cilësore në Forcat e Armatosura për të ardhmen.

     Po ushtarakët në rezervë dhe në lirim, kategori të cilën ju përfaqësoni, a janë pjesë e këtij programi?

     Natyrisht, edhe trajtimi dinjitoz i ushtarakëve në rezervë dhe lirim është një nga synimet e këtij programi, duke u konsideruar si pjesë e trajtimit tërësor të Forcave të Armatosura dhe që rrit besimin e ushtarakëve aktivë për një trajtim dinjitoz të tyre, pas largimit nga Forcat e Armatosura. Pra, ushtarakët aktivë nuk do të kenë më frikë se mos largohen nga Forcat e Armatosura, kur ata plotësojnë kushtet ligjore të moshës dhe kohës së qëndrimit në gradë.

    Programi i Rilindjes dhe ushtarakët

     Programi për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare do të vazhdojë të mishërojë standardet dhe parimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ndër parimet bazë të saj, siguria kombëtare përbën themelin për një zhvillimin demokratik dhe rritje të qenësishme ekonomike të vendit.

    Reformimi i forcave të armatosura në përputhje me standardet e NATO-s, do të synojë rritjen e shkallës së profesionalizmit, depolitizim, dinjitet dhe integritet, duke e kthyer atë në një forcë aktive në shërbim të vendit dhe të denjë për standardet e vendeve anëtare të Aleancës.

    Hapat kryesorë për arritjen e këtyre objektivave do të fillojnë nga angazhimi i institucional për përgatitjen e Dokumentit të Strategjisë Kombëtare. I mbetur i paripunuar që nga viti 2004, ky dokument i rëndësishëm do të hartohet në përputhje me kushtet e reja të mjedisit të sigurisë, si dhe bazuar në “Konceptin e ri Strategjik” të Aleancës, të vitit 2010. Pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, qeveria do të përgatitë Dokumentin e Ri të Strategjisë Ushtarake, për të realizuar përputhjen e nivelit të ambicieve kombëtare,

    me burimet financiare në fushën e mbrojtjes, të parashikuara këto në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes. Qeveria do të mundësojë kryerjen e një reforme

    të thellë në Forcat e Armatosura nga pikëpamja doktrinare, konceptuale dhe strukturore, me qëllim që të rrisë profesionalizmin, të sigurojë depolitizimin e strukturave dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit.

    Një platformë solide do të hartohet për rritjen e bashkëpunimit me NATO-n, me vendet anëtare dhe ato partnere, për një mbështetje më të madhe të tyre në arritjen e standardeve të kërkuara dhe realizimin e kontributit tonë në misionet e mbrojtjes kolektive dhe ato paqeruajtëse të drejtuara nga Aleanca.

    Do të hartojë një plan afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit të FARSH për periudhën 2013-2020. Synimi i hartimit e zbatimit të planit afatgjatë të zhvillimit do të jetë:

    • Krijimi i një strukture të re organizative të FA, duke ulur në mënyrë graduale numrin aktual të personelit;

    • Rishikimi i tërë sistemit të edukimit, arsimimit dhe trajnimit të Forcave të Armatosura, me qëllim përgatitjen e ushtarit profesionist, nënoficerit, oficerit të trupës dhe shtabit të Forcave të Armatosura, në përputhje me nevojat e strukturës së re të kësaj force.

    Prioritet do të marrë realizimi i gatishmërisë operacionale të Grup Batalionit të Këmbësorisë së Mekanizuar si dhe Grupit të Forcave Tokësore për Operacionet Speciale, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimet ndaj NATO-s në kapacitetet ushtarake, të kërkuara për mbrojtjen kolektive dhe operacionet e ruajtjes së paqes.

    Ne do të ripunojmë kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Në thelb të kësaj pune do të jetë përmirësimi i Statusit të Ushtarakut me synim, rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur dhe rritjen e besimit të tyre tek shteti. Rishikimi i kuadrit ligjor për përmirësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve aktivë është një domosdoshmëri për mbajtjen dhe tërheqjen e burimeve njerëzore cilësore në Forcat e Armatosura për të ardhmen, por edhe për trajtimin dinjitoz të ushtarakëve në rezervë dhe lirim.