Mehdi Pogaçi: “Marrëveshja e nënshkruar me PS-në dhe rrugët për fitimin e të drejtave të ushtarakëve”

    408
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Mehdi Pogaçi, Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë

    Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë është e rreshtuar brenda koalicioneve, për të garantuar  dhe për të realizuar të drejtat e masës së ushtarakëve, nga ata në pension e deri te ata në rezervë dhe në shërbim aktiv. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë Mehdi Pogaçi.

     -Zoti Pogaçi, tani që partitë politike janë pozicionuar në koalicione si paraqitet situata për ushtarakët?

    -Është e vërtetë se partitë politike, tashmë përfunduan afatin ligjor zgjedhor dhe u organizuan e u regjistruan pranë KQZ në aleanca politike, si dhe në parti, të cilat do të paraqiten të vetme në zgjedhje. Në këto rreshtime, Shoqata jonë, nuk bën pjesë, pasi nuk është parti politike, por që është e interesuar të rreshtohet, brenda koalicioneve, për të garantuar  dhe për të realizuar të drejtat e masës së ushtarakëve, nga ata në pension e deri te ata në rezervë dhe në shërbim aktiv. Një qëndrim indiferent i saj, as majtas dhe as djathtas, do ta penalizonte, sepse nuk do t’i ngjallte interes asnjë grupimi politik apo asnjë partie politike. Dihet tashmë se ushtarakët, sidomos ata në pension të plotë pleqërie dhe në pension të parakohshëm, në shumicën e tyre janë të majtë dhe votën ia kanë dhënë gjithmonë, kryesisht PS, por edhe partive të tjera të aleancave të majta. Edhe pse shpesh të zhgënjyer nga qëndrimet dhe veprimet e disa politikanëve të majtë, për shkak të sjelljes së tyre ndaj ushtarakëve e më gjerë, ushtarakët gjithmonë kanë qenë garanci e fitores së të majtës. Sidoqoftë, për shkak të qëndrimeve që thashë më lartë, tashmë ushtarakët janë bërë më pragmatiste në qëndrimet e tyre. Shoqata e jonë, siç e kam thënë edhe më parë, i është ofruar dhe i ka propozuar PS një bashkëpunim të gjerë, për të realizuar e firmosur një marrëveshje, me qëllim që angazhimet reciproke të jenë të përcaktuara në një marrëveshje bilaterale, ashtu si PS ka vepruar me partitë politike. Ndryshimi nga marrëveshja me partitë politike qëndron në faktin se ne, si  pjesë integrale e PS, kërkojmë përfshirjen e problematikës sonë brenda programit të saj.

    -Çfarë u është premtuar ushtarakëve dhe sa mendoni se do të realizohen premtimet e bëra?

    -Në tranzicionin tonë mbi 20-vjeçar, ndryshe nga vendet e tjera të NATO-s dhe ato europiane, ushtarakët kane realizuar ligjërisht shumë, por, realisht, pak të drejta dhe këto vetëm nga qëndrimet e tyre ndaj politikës. Asnjë grupim apo parti politike nuk është e interesuar direkt për të drejtat e ushtarakëve, por këto të drejta janë lidhur me qëndrimet e tyre politike, me votën e tyre  pro ose kundra. Aktualisht, për deri sa nuk kemi realizuar ende një marrëveshje konkrete me aleancat politike, nuk mund të flasim për realizimin e premtimeve. Ndërkohë ne nuk kërkojmë premtime, por marrëveshje konkrete. Sidoqoftë, nga takimet që kemi pasur ditët e fundit me drejtues kryesore të partive kryesore politike të koalicionit të majtë, kemi rënë dakord që të japim sugjerime për programet e tyre lidhur me problematikën e të drejtave financiare, por edhe për probleme që kanë të bëjnë me forcat e armatosura, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, në kuadrin e NATO-s e më gjerë.

    -A do të kenë ushtarakët kandidatin e tyre në këto zgjidhje, pasi është diskutuar mjaft për këtë?

    -Jemi përpjekur dhe po përpiqemi vazhdimisht për këtë, si një kusht ”sine qua non” në garantimin e realizimit, si të premtimeve ashtu edhe të angazhimeve konkrete me marrëveshje. E dimë se asnjë subjekt, grup apo shtresë interesash nuk i realizon dot aspiratat dhe të drejtat e veta pa një përfaqësim të mundshëm politik në parlament, ku vota e përfaqësuesve të tyre të detyrojë ekzekutivin të realizojë premtimet elektorale të partive politike. Kjo  është pika dhe kërkesa më e vështirë për partitë politike kryesore, të cilat ndodhen nën presionin e anëtarësisë së tyre, ndërsa partitë jo kryesore të koalicioneve na ofrojnë çdo ditë mundësinë për të kandiduar nën siglën e tyre dhe mendoj se mjaft ushtarakë kanë filluar t’i pranojnë këto oferta.

    -Pozicionimi i ushtarakëve në krahun e opozitës së sotme a garanton se do të plotësohen kërkesat që ka kjo kategori?

    -Përvoja mbi 20- vjeçare ka treguar se ushtarakët janë stigmatizuar e trajtuar vazhdimisht si të majtë, gjë e cila është e vërtetë. Kjo ka bërë që, ndërsa e majta premton dhe ka bërë ligje të mira, e djathta nuk premton dhe nuk i ka zbatuar ato ligje, por i ka përkeqësuar vazhdimisht, duke e mbyllur me Aktin Normativ, si ligjin më të zi për të drejtat e ushtarakëve. Dhe nëse e djathta ka zbatuar diçka e ka bërë e detyruar nga ligjet e miratuara nga e majta dhe nga lufta e vazhdueshme e Shoqatës sonë për ta detyruar t’i zbatojë ato qofte edhe pjesërisht. Prandaj, nëse e majta do të bëjë  programe të sakta e të drejta për çështjet e ushtarakëve, në bashkëpunim me Shoqatën tonë, mendoj se do t’i realizojë patjetër ato. Mendoj se, duke qenë dy parti kryesore të majta, PS dhe LSI, kërkesat për të drejta të ushtarakëve do të fillojnë të zbatohen gradualisht, pas fitores së koalicionit të majtë.

    -Programet e paraqitura nga partitë për ushtarakët si u duket dhe a janë prekur çështjet kryesore?

    -Për sa kemi njohuri ne, deri tani, trajtime të pakta  ka vetëm në programet e PS, por mendoj se edhe këto duhet të qartësohen e  përcaktohen më mirë për të mos qenë kontradiktore me njëra-tjetrën. Në këtë kuadër ne kemi ofruar ndihmesën dhe konsulencën e  Shoqatës tonë, si pala direkt e interesuar. Përveç kësaj, mendoj se në programet e tyre, partitë politike, duhet të paraqesin edhe vizionet e tyre për forcat e armatosura, të cilat kanë ende mangësi  për t’iu përafruar atyre të vendeve të tjera të NATO-s.

    Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, fton qytetarët në protestë

    Ditën e sotme me datë 1 maj në orën 9:30, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) me në krye presidentin e saj z.Kol Nikollaj do të zhvillojë një protestë masive në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve shqiptar, dinjitetit të tyre dhe për të ngritur zërin për këtë gjendje katastrofike që ka mbërthyer sot vendin tonë! Drejtuesi i konfederatës Kol Nikollaj, është shprehur se: “I bëjmë thirrje të gjithëve, punëtorëve, të papunëve, të rinjve, pensionistëve, studentëve dhe çdokujt që nuk e duron me këtë situatë të mblidhen për të drejtat tona, për një jetë më të mirë, te sheshi Ushtari Panjohur në orën 10:00”.

    Valentin Macaj: “Duhet të protestojmë për të drejtat tona, jo të festojmë në 1 Maj”

    Ditën e një Majit në Shqipëri, qytetarët më shumë e quajnë si ditë feste sesa si ditë proteste për të kërkuar të drejtat e tyre. Në lidhje me ditën e 1 Majit, ka reaguar në një njoftim për shtyp edhe Sindikata e shërbimeve policore të Shqipërisë, e cila e quan të patolerueshëm faktin që në Shqipëri nuk protestohet siç bëhet në vendet e tjera të botës. Kreu i sindikatës Valentin Macaj, është shprehur: “Sot është dita kur punonjësit, të rinjtë, studentët, të papunët, nëpunësit shtetërorë e pensionistët dalin nëpër rrugët e qyteteve evropiane dhe mbarë botës demokratike për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, jetesës e të drejtave sociale. Sot të gjithë qytetarët ballkanas dalin në rrugë për të drejtat e tyre, madje në Athinë do protestojnë edhe punonjësit e policisë, të cilët kanë humbur 20% të pagës së tyre gjatë vitit ne vijim. Po në Shqipëri?!-Ne jemi ndryshe nga të tjerët, a thua se jemi me të pasur se danezët e suedezët, ndoshta jemi unikale në botë për nga mënyra e kërkimit të së drejtës”. Sipas zotit Macaj, shqiptarët, i kërkojnë të drejtat tona para një gotë në lokal, i kërkojnë duke folur vesh me vesh. Ai shprehet se: “Jemi pa punë, jemi pa pagë të denjë, jemi pa uniforma, jemi pa trajtim ushqimor, jemi pa transport, jemi pa pagesë gatishmëri, jemi pa pagesë ore natë, jemi pa pagën e 13, jemi pa garanci të vendit të punës”