Berisha me gratë në Berat: “Nuk ka krim më të shëmtuar se dhuna në familje”

459
Sigal

Qytetarët beratas denoncojnë qeverinë e tanishme për nepotizëm dhe klane institucionale

Do t’u japim kredi vetëm grave dhe vajzave sepse ato dinë t’i administrojnë lekët, nuk i luajnë në kumar. Kështu është shprehur Kryeministri Sali Berisha, gjatë një sërë takimesh që ka zhvilluar dje në Berat. Takimin e parë Kryeministri e zhvilloi me gratë demokrate të Beratit, në ambientet e bibliotekës “Vehxhi Buharaja”. Në këtë takim Berisha u shpreh se gratë, kanë dhënë një ndihmesë të madhe në qeverinë demokratike në të gjitha sferat. Më tej kryeministri e ka vënë theksin tek roli i gruas, e cila është një lëvizje e fuqishme, por është për të ardhur keq që kohët e fundit ndaj grave dhe vajzave është shtuar dhuna. “Dhuna në familje është bërë një problem në shoqërinë tonë, vajzat dhe gratë kanë shtuar denoncimet e tyre në polici dhe gjykata. Ne në lidhje me këtë fenomen do të bëjmë më të mirën. Gratë duhet të ngrihen dhe të denoncojnë këtë fenomen. Nuk ka krim më të shëmtuar se dhuna në familje”, ka thënë Kryeministri Berisha. Dje 36 për qind e grave paguheshin më pak se burrat ndërsa sot kjo shifër ka zbritur në 17. 7 për qind. Në sektorët privatë është rritur disa herë më shumë numri i grave biznesmene, presidente firmash etj.. Më tej Berisha është shprehur se, “ne do të rrisim mundësinë e kreditimeve për vajzat e gratë që të hapin bizneset e tyre, qofshin këto në fshat apo qytet. Dhunuesi ynë kryesor sot është pabarazia gjinore, ku gratë nuk kanë marrë mbështetjen e duhur për veprimtari që konsiderohen vetëm për burrat. Ndaj dhe ne jemi këtu sot që të marrim dhe mendimin tuaj për ngushtimin gjinor. Më pas Berisha ka vijuar takimet e radhës në Komunën e Lumasit, ku ka inauguruar urën e re të komunës si dhe një rrugë.

Polikseni Zoto: “Zoti Kryeministër, klanet dhe nepotizmi kanë mbërthyer Partinë Demokratike dhe Drejtorinë Arsimore!”
Në takimin e zhvilluar me gratë demokrate, në përfundim të takimit, kryeministri është shprehur se, jam në dispozicion të pyetjeve tuaja. Një punonjëse e zyrës së regjistrimit, Polikseni Zoto, ngriti një pyetje dhe pakënaqësinë e saj ndaj qeverisjes së tanishme. “Zoti kryeministër unë të përgëzoj për punën që ju keni bërë dhe vazhdoni të bëni për gjininë femërore. Por unë po ju them se nepotizmi dhe klanet kanë mbërthyer Partinë Demokratike dhe Drejtorinë Arsimore. Unë vij nga një familje intelektuali, por e persekutuar nga regjimi komunist. Motra ime ka mbaruar studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për mësuese. Partia Demokratike në Berat ka nepotizëm dhe klane të ndryshme. Ajo na i ka mbyllur dyert dhe po ashtu ka bërë edhe Drejtoria Arsimore. Ata i mbyllin dyert një familje intelektualësh, të cilët kanë qenë të persekutuar një jetë të tërë nga regjimi komunist. Unë si një intelektuale ju bëj me dije për këtë klan dhe nepotizëm në Partinë Demokratike dhe Drejtorinë Arsimore”, ka thënë Polikseni Zoto. Kryeministri Berisha nga ana e tij ka garantuar se do ta shikojë me përparësi këtë fenomen të denoncuar.