Mbi romanin “ Shënime nga shkolla e Partisë ” e shkrimtarit të shkrimtarit Daut Gumeni

    475
    Sigal

    Me romanin “ Shënime nga shkolla e Partisë” shkrimtari D. Gumeni fuqizon kolonat e letërsisë shqiptare, vepër kjo që qëndron denjësisht përkrah arritjeve më të mira në këtë fushë, e denjë edhe për peshën e rëndë të realitetit që trajton, e thellë për mendimet në dritën e një këndvështrimi origjinal e të një filozofie racionaliste, në një ndërthurje interesante e tepër tërheqëse me filozofinë dhe mençurinë popullore, me një stil të rrjedhshëm e gjuhë të shkathët e të zhdërvjellët, me një humor sa zbavitës e shplodhës aq edhe shpotitës, me mision dhe mesazhe të fuqishme të dashurisë njerëzore e të triumfit të saj mbi çdo urrejtje, servilizëm e karrierizëm, që sjellin ndasi e përçarje, dhunim të lirisë e të personalitetit njerëzor.

     Realiteti që përshkruan autori vjen te ne me mjaft vërtetësi, e cila spikat edhe në shqetësimin e madh dhe real të ngjashmërisë së pushteteve  në marrëdhënie me njeriun dhe lirinë e tij, pavarësisht formave dhe zhurmës që bëhet rreth kësaj lirie. Në këtë kuptim shkrimtari në romanin e vet përshkon kohët : të shkuarën dhe të tashmen, gjithmonë me vështrimin në të ardhmen, duke qenë i kujdesshëm në harmonizimin e tyre, sipas sentencës : “Që të vlerësosh të tashmen, duhet të njohësh të shkuarën dhe që të besosh në të ardhmen, duhet të njohësh të tashmen !”

             Në roman nuk ka sajesa, por ka një gërshetim të hoveve shpirtërore, nga njera anë, dhe mllefeve e vrerit helmues, nga ana tjetër, një ndeshje midis djallit të lirë e ëngjëllit të prangosur, mes djallit të rrudhosur e plot plasa dhe ëngjëllit të dëlirë e të brishtë, mes djallit që shtrëngohet e mbytet ngatërruar  rrudhash në zgjatim litarësh dhe ëngjëllit çliruar hekurash e makthesh  me vështrim profeti e gurgullimë shpresash për të ardhmen. Liria është lajtmotivi kryesor i romanit. Çdo pjesëz e humorit, e spicave, e zemërimeve, romuzet, qyfyret, konkurset, si ai i gënjeshtrave e gënjeshtarëve, ëndjen e të cilave e shton spërkatja me erëza pushtetarie, të gjitha këto i shërbejnë ruajtjes së ekuilibrave  për të mos u dhënë  dhe rrëzuar nga realiteti tjetër i dhunshëm e poshtërues. Këto janë njëherazi shkëndija akoma të pafikura nga diktatura, të cilat nuk mund të shuhen, sepse liria është pjesë organike e njeriut, sa shpirtërore, aq dhe materiale! Por, thotë autori, vdekjen e paska marrë uria ! T’i mohosh lirinë njeriut, ia ke mohuar të gjitha , trup e shpirt, ke mohuar ekzistencën e tij. Diktaturat, sado të fuqishme  të jenë, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë të plotfuqishme, sepse liria nuk ka të bëjë vetëm me njeriun, por me njerëzimin. Diktatorët e urrejnë lirinë, ata dashurojnë pushtetin. “Në diktaturë më pak i lirë nga të gjithë është diktatori”. Sentencë kjo e autorit, që kërkon ta bëjë të të gjithëve, për të mos u joshur nga  liria false e diktaturave, sepse “liria u vjen atyre që e dëshirojnë  dhe e kërkojnë   dhe nuk mund t’u afrohet atyre    që e dhunojnë  me krimet që kryejnë kundër njeriut”. Kush nuk kupton lirinë, nuk i kupton gjë botës, as jetës. Kush kërkon më shumë liri, që nuk mund ta sigurojë ndryshe  veç duke ua rrëmbyer të tjerëve, edhe ai nuk kupton se qysh në këtë moment ka humbur lirinë e vet, por jo si i dhunuar, por si dhunues i lirisë, si armik i shoqërisë e i zhvillimit.  Eshtë rrënqethëse thirrja e të verbërit : “ O njeri ! O njeri !”. I verbri u drejtohej njerëzve.  Ata s’e ndihmonin. Sepse nuk ishin njerëz, sepse nuk e njihnin lirinë ! Dukej sikur edhe murlani e vërshëllente këtë thirrje ta dëgjonin brenda hekurave të veshur me heje  akulli. I zhgënjyer nga njeriu, thotë shkrimtari, i verbri vdes pa e gjetur dot njeriun,  ndihmën e të cilit kërkonte . Sepse të gjithëve u ishte privuar liria, edhe atyre brenda hekurave që u çahej zemra duke dëgjuar britmën ngjethëse të të verbërit, por edhe të atyre që e kishin shitur lirinë  dhe që harronin se çka fituan me atë shitje  shumë shpejt do t’u shpenzohej dhe do të mbeteshin si një këllëf pa gjë brenda tij. Autori, dhe pikërisht këtu qëndron dhe një nga vlerat e librit, llurbëtirën e jetës së burgut, me një durim për t’u admiruar, e kullon dhe e rikullon nga njera enë në tjetrën, duke i ndërruar radhazi jashmakët, duke nxjerrë prej saj pak, aq sa pak shtrydhja e mundimit mund të rridhte shpresë e besim që ushqente shpirtin dhe shumëfishohej brenda tij madhërishëm, duke mundësuar përballime të fuqishme fizike, mendore, psikologjike e shpirtërore. Janë të shumta pasazhet në vepër që formëzojnë transformimin e të burgosurve, por sëmbues e mbresëlënës është shkatërrimi mendor i tyre, deri në përdorimin e pavullnetshëm të tingullimitimeve të kafshëve, shpesh edhe njëherazi, si në një kor, që jo rrallë  hutojnë e turbullojnë edhe ata që e ushqejnë këtë metamorfozë, pa më të voglën ndjenjë të keqardhjes. Gjithë kjo natyrë kafshërore e shpërfytyrimit njerëzor futet në mjediset e kësaj bote marrake e perverse nëpërmjet hekurave të zhurmshëm shulash e e llozash, prej baltovinës, llumishtes së labirinteve të katakombeve që sjellin skëterrën e mundimeve të ferrit, ku vetëm mund të zhgërryhesh, dhe jo prej hekurave të dritares, ku shikimi merr drejt qiellit, hapësirës pa fund, ku vetëm mund të fluturosh i lirë, ku zogjtë ulin krahët e të joshin me cicërimën e tyre, ku kërkojnë t’u japin pak liri të burgosurve ; por ata s’kuptojnë ç’kërkon fluturaku, ata thuajse kanë harruar si jetohet i lirë. Të mësohesh me të keqen ! Kjo është e trishtueshme, e dhimbshme !

               Në momentin kur duket se mizoritë e përditshme ia presin fuqitë autorit dhe se pena nuk i ecën  më në dorën e këputur prej trishtimit, pikërisht atëhere fjala merr forcë të magjishme për lëvizje të fuqishme  e thyerje hekurash e diktaturash, pa britma e ulërima, pa betime e përbetime, sikurse ndodh me dhimbjen për shuarjen e të burgosurit që provoi dhunën e të gjitha burgjeve politike për më shumë se njezet vite me radhë që, siç thotë autori, ishte një ikje “ më shumë nga goditja me bisht e përbindëshit të përrallave, para se të ngordhte”. U hapën shumë plagë, disa u gangrenizuan ; u rrëzuan dhe lisa. La vragë diktatura. Por shpresat nuk u shuan, optimizëm  që të habit për shtrojën nga xixëllon ; në kulmin e territ dhe në tmerrin e ferrit, poeti ynë qesh, ngacmon, ironizon, këndon dhe, pas përballjes rraskapitëse e triumfit mbi të keqen, gjen një çast t’i jepet shfrimit të dhimbjes për ata që s’mundën t’u shpëtojnë dot kthetrave  të djallit, çatajve të përbindshit të përbetuar se “do t’u hajë zemrën çika-çika, do t’i bluaj pak nga pak, derisa të luajnë nga mendja,  të çmenden e t’u hidhen telave me gjemba”. Rrjedh dhe ndonjë  pikë loti, por jo dëshpërues, lot i mirënjohjes, i respektit, i dashurisë, i besës së madhe dhe premtimit për të mos i harruar kurrë, për të vazhduar luftën, për të fituar dhe mbrojtur atë, pa të cilën njeriu nuk mund të quhet njeri : Lirinë !

                Romani i shkrimtarit  D. Gumeni nuk është një rrëfim për të shuar kuriozitetin e bëmave brenda hekurave të burgjeve. Romani nuk rreh me pulsin e ndrydhjes, por me ritmin e hapësirës së lirë, duke e apeluar atë fort, me guxim, pa u tutur aspak nga vitet e tmerrshme të izolimit, të cilat i përballoi me dinjitet dhe që siguron se do të vazhdojë të jetë në radhët e para të përpjekjeve, për ta vendosur njeriun në piedestalin e lirisë, në vendin që i takon dhe e meriton. Romani ka një ndërthurje të harmonishme të kohëve : të së shkuarës  dhe të së tashmes. Logjikë burgu dhe në liri ? ! Ata që mposhtën frikën në diktaturë, që përballuan nga njerëzit tërbimin  antinjerëzor, nuk mund të pajtohen me këtë logjikë dhe duket sikur ata shpërthyen hekurat e burgjeve të diktaturës, për t’u vendosur në një burg çadër në mes të kryeqytetit, duke refuzuar dhe “supën”, për t’u flijuar e shpëtuar nga kjo marrëzi njerëzore, e cila nuk mendonin se do t’i ndiqte edhe jashtë këtyre hekurave. Shpresat e tyre nuk u ngrohën. Dhe ata do të ndizeshin flakë njeri pas tjetrit, për të ndriçuar të tjerët  me dritën e flakës nga djegia e trupit të tyre. Jemi dëshmitarë të kësaj sakrifice sublime të këtyre njerëzve që janë dhe personazhet e veprës së  shkrimtarit D.Gumeni, që mundën të dalin prej rreshtave të librit të tij, për t’u futur në rreshtat e një libri tjetër të këtij lloji, po kaq të vërtetë sa edhe ky, me “shënime nga shkolla e demokracisë shqiptare”, me përshtypjet dhe qëndrimin për të cilat  jemi njohur nëpërmjet publicistikës së shkrimtarit, i etur për lirinë dhe vazhdimisht në kërkim të saj, luftëtar i vendosur dhe  pa asnjëfarë kompromisi, për të fshirë njëherë e përgjithmonë nëpërkëmbjen, indiferentizmin, përbuzjen ndaj njeriut dhe lirisë së tij.

    .   Fjalët e autorit janë të thjeshta, rrjedhin si ujët nëpër zeje, pa kumbime dhe enigma labirintesh, sepse ato vijnë prej andej, vijnë prej shkëmbinjsh që piklojnë  e që të rrënqethin e drithërojnë në ato biruca zgavra lagështie dhe derdhen shpërthim, kapërthyer ndjenjash në trillet e kapriçiot e jetës. Fjala dhe shpirti janë shkrirë  në një tretësirë të habitshme. Fjalët nuk duket se janë të përpunuara, por të latuara brenda ndërgjegjes së autorit. Kujdesi dhe interesi për më shumë grim do të cënonte sinqeritetin dhe vërtetësinë në atë sharm e sqimë, të cilat nuk mund të rrudhen, myken e squllosen. Eshtë meritë e autorit që diti t’i ruajë në inkubatorin e shpirtit të tij ku u formëzuan e u konturuan dhe që, me hapjen e portave të shpirtit, vuajtja dhe brenga  i përcillen lexuesit si shpëlarje prej së keqes, për të ardhur tek ta sa më pastër, natyrshëm dhe bindëse. Mesazhi që përcjell autori  për mosqasje diktaturash i shpërthen hekurat  e burgut për përmasat  dhe diapazonin në kohë dhe hapësirë.  Në qendër të ferrit e tmerrit, prej thelbit të shpirtit e të mendimit buron shpresa e lirisë, si një çmpirje prej asaj tulatje që thyente e prishte ëndrra. Nga hekurat e dritares hyn vetëm  drita e yjeve të natës. Simbolikë, për të vazhduar gjithkush rrëfimin. Ra perdja e hekurt. Dielli përsëri i zënë. Ndriçimi i butë i yjeve  i jepte udhë vajit prej pabesisë vrastare  e ftohtësia e natës a mund t’i shkrijë hekurat e dritares prej nga shihet të shkelë synë lojcakja hënë ? ! Po pak diell ? ! Ky është kumbimi i fuqishëm i zërit të shtruar të autorit, zë i burrëruar në vitet  e mundimeve të mëdha, për të mos lejuar  më idhuj të ndërkryer, se s’mund të jenë tjetër, veç tiranë e diktatorë. Popullit ! Të vetmit që mund t’i falemi ! I vetmi që kupton  urimin në thirrjen: “Kurrë mos harro !”.

     Daut Gumeni merr titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”

     Dy ditë para 100 vjetorit të Pavarësisë, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, z. Shpëtim Gjika, u organizua në Pallatin e kulturës “Labëria” ceremonia e promovimit të librit të fundit të shkrimtarit dhe ish diplomatit, z.Daut Gumeni, “Shënime nga shkolla e partisë”, si dhe dhënia e titullit “Mirënjohja e Qytetit të Vlorës”. Ishte një veprimtari dinjitoze për formën e organizimit dhe pjesëmarrjen në të. Për vlerat, rëndësinë dhe mesazhet e këtij libri folën: shkrimtari i njohur vlonjat Hiqmet Mecaj, specialistët e letërsisë Mihal Kalia dhe Aleksandër Mita si dhe korresp. i ATSH Harilla Koci.

    Daut Gumeni, një periudhë të gjatë të jetës së tij e ka kaluar i mbyllur në burgjet e diktaturës komuniste si kundërshtarë politik i atij sistemi. Për këtë arsye, botimi i krijimtarisë së tij ka filluar të botohet pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, kohë në të cilën ai fitoi lirinë.

     Letërsia është “dashuria” e tij, kurse publicistikën e shfrytëzon si mision për konsolidimin e demokracisë në vendin tonë. Edhe në këtë libër ndërthuret në mënyrë të natyrshme e kaluara me aktualitetin, ku mbi vuajtjet dhe zhgënjimet triumfojnë mesazhet njerëzore dhe shpirti i madh.

     Për disa vite ka shërbyer në fushën e diplomacisë si konsull dhe ambasador.