MASH: Studentët e viteve të para, kujdes me dorëzimin e dokumenteve! Ja masat penalizuese

    85

    VITI AKADEMIK/Universitetet publike në mbarë vendin nisin procesin mësimor

    Në mbarë universitetet publike të Shqipërisë sot fillon viti i ri akademik 2012-2013. Ky vit akademik vjen pas një risie për regjistrimin on-line që u bë për studentët fitues të viteve të para. Edhe pse regjistrimi on-line i fituesve u bë për arsye të lehtësimit të procedurave dhe të eliminimit të radhëve nëpër sekretari, duke filluar nga dita e sotme studentët e viteve të para janë të detyruar sërish që të presin radhën nëpër sekretaritë e fakulteteve për të bërë dorëzimin e dokumenteve përkatëse. Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur për “Telegraf” se: “Nga data 8 tetor që fillon viti i ri akademik deri në datën 13 tetor çdo student i vitit të parë duhet që të dorëzojë në sekretari: Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një  prej  dokumenteve. b)2 fotografi. c)Mandat  arkëtimi  i  tarifës  së  regjistrimit  prej  1.600  lekë,  paguar  pranë  zyrave  të  Postës Shqiptare, për llogari të IAL-së Publike përkatëse”. Ndërkohë që, po sipas të njëjtave burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bëhet e ditur se afati është i vlefshëm vetëm për javën e parë të fillimit të shkollës që korrespondon me datën 8 tetor deri në datën 13 tetor. Pas këtij afati do të ketë penalizime për të gjithë ata studentë të viteve të para që kanë fituar të drejtën e studimit në të gjitha universitetet publike të Shqipërisë. “Nëse pas mbylljes së fazës së dorëzimit të dokumenteve nëpër sekretaritë e fakulteteve nuk janë bërë të gjitha dorëzimet e personave fitues, atëherë fituesi e humbet të drejtën e tij për të studiuar”bëjnë të ditur burimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për gazetën “Telegraf”. Çdo student i vitit të parë duhet të jetë vigjilent në dorëzimin në kohë të dokumenteve të kërkuara dhe më e rëndësishmja është që këto dokumente të dorëzohen në afatin e caktuar kohor të nxjerrë dhe nga ministria në bashkëpunim me institucionet e tjera.

    Procedurat e regjistrimit

    Gjatë kryerjes se  procedurës së dorëzimit  të  dokumentacionit plotësues, sekretaritë mësimore të fakulteteve  mbajnë  regjistër  të veçantë me  të  dhënat mbi  datën  dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve fitues dhe sekretarisë mësimore. institucionet Publike të Arsimit të Lartë të  dorëzojnë pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, deri  në datën 14 Tetor 2012, listat  përfundimtare  të  studentëve  të  regjistruar,  për  çdo  program  studimi,  të  ciklit  të  parë  me kohë të  plotë. Më pas institucionet e Arsimit të Lartë të  përpilojnë një raport të hollësishëm  në  lidhje me regjistrimet e studentëve në  afatet dhe formatet  e  kërkuara sipas udhëzimit  Nr. 9, datë 25.02.2010. ndërkohë që Ministri i arsimit Myqerem Tafaj ditën e sotme do të jetë në Universitetin e Vlorës, “Ismail Qemali”. Ministry do të jetë i pranishëm atje për të bërë përshëndetjen e rastit për fillimin e vitit të ri akademik 2012-2013.