Agim Toro: Pas 1 nëntorit, pronarët do ndjekin rrugën ligjore, nëse nuk lirohen banesat

    302
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro për lirimin e banesave

    Për sekretarin e përgjithshëm të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro, lirimi i banesave brenda datës 1 nëntor është mjaft i rëndësishëm pasi do u kthehet e drejta e mohuar 20 -vjeçare pronarëve. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Toro ka bërë të ditur se pas datës 1 nëntor do të ndiqen rrugët gjyqësore për lirimin e banesave. Sipas tij, zërat për protesta të familjeve që jetojnë në këto shtëpi, po bëhen më shumë për shkaqe politike.

    -Zoti Toro, si po shkon procesi i lirimit të banesave pasi po vjen 1 nëntori që shënon e lirimit të tyre?

    -Unë nuk kam informacione shumë në këtë periudhë pasi janë familjet ato që duhet të shkojnë dhe të kryejnë procedurat për marrjen e kredisë. Por pronarët marrin urdhrat e ekzekutimit pas datës 10 nëntor, kështu që deri më tani pronarët nuk kanë asgjë në dorë, për të ndjekur çështjen apo gjëra të tjera.

    -Në disa qytete si në Vlorë, në Durrës, apo dhe qytete të tjera familjet që jetojnë në këto shtëpi kanë paralajmëruar protesta se nuk duan të largohen, ju si e vlerësoni situatën?

    -Është një problematike dhe është një kundërvënie ndaj ligjit dhe ndaj rregullit dhe në këtë aspekt ato kanë përgjegjësitë e tyre. Prandaj edhe akti normativ ka parashikuar që kur nuk lirohen banesat pastaj ndërhyhet me përmbarim për të lëvizur. Aty ka një ndërhyrje politike nga kryetari i bashkisë i cili jo vetëm që u thotë mos dilni, por edhe shtëpitë që ka për banesa sociale nuk do që t’ja japin këtyre dhe nuk do që t’ja japin këtyre. Ato janë të fryrë nga politika, sepse ato mendojnë që do të qëndrojnë në shtëpi duke shkelur në mënyrë brutale të drejta e pronarëve.

    -Cilat janë masat që do të merren nga pronarët nëse nuk u është liruar banesa pas datës 1 nëntor?

    -Pas datës një nëntor ato familje që nuk janë larguar do të largohen jo nga pronarët, por do të largohen nga Enti i Banesave dhe në gjykatë do të dali urdhri i ekzekutimit për t’i larguar këto. Ato po mohojnë një të drejtë pronarëve që u ka dhënë ligji. Dhe ligji nuk ka hapësira të tilla që po u shkelet ndonjë e drejtë këtyre familjeve. Po zbatohet ligji i 2004-s që i përjashton këto familje si kategori dhe u thotë që mund të marrin kredi. Por nuk janë pronarët që po u shkaktojnë padrejtësi këtyre familjeve, ato nëse mendojnë se po u shkelen të drejtat le t’i kërkojnë të drejtat e tyre, por jo në kurriz të pronarëve.