Male me plehra në aksin rrugor Durrës-Shijak. Agjencia Rajonale e Mjedisit gjoba komunave: Nuk kanë pastruar rrugët!

    363
    Sigal

    Aksi rrugor nacional Durrës-Rrushbull-Xhafzotaj-Shijak, prej disa muajsh ka mbetur i mbuluar me male plehrash të llojeve të ndryshme, nga ato inerte deri tek ato organike. Mjafton një shesh çfarëdo dhe plehrat bëhen pjesë e dekorit që paraqesin një pjesë e rrugëve tona. Kjo ka ndodhur në dy akse rrugore mjaft të rëndësishme, të cilat lidhin Durrësin me Shijakun, si dhe këtë të fundit me fshatin Romanat. Kushdo që ka kaluar këto ditë nëpër rrugët, të cilat lidhin Kodrën e Rrashbullit me 4 Rrugët e Shijakut dhe 4 rrugët me Romanatin, ka vënë re se, tonelata të tëra me mbeturina urbane kanë pushtuar disa prej shesheve anësore që përshkohen prej këtyre rrugëve. Segmenti i parë rrugor është nën juridiksionin e Komunës së Rrashbullit, ndërsa i dyti në vartësi të Komunës Xhafzotaj. Ndërkohë që, përgjatë këtyre rrugëve ka mjaft shtëpi banimi, nuk gjendet asnjë kosh metalik, ku banorët e zonës të depozitojnë plehrat e tyre. Ndërkohë, janë ngritur disa dhjetëra biznese, të cilët i kanë bërë mjaft të rëndësishme këto zona. Është njëra nga detyrat funksionale të pushtetit vendor që të kujdeset, si për grumbullimin e plehrave në vende të caktuara, ashtu edhe për evadimin e tyre në qendra strategjike. Në fakt kjo është një sëmundje e vjetër, plehrat pasi lihen të bahen male largohen me goditje të përqendruara. Kjo ngjet në një kohë kur Qarku i Durrësit përgatitet për të hyrë në sezonin e ri turistik. Ndërkohë, pak kohë më parë, “Telegraf” dha alarmin për plehrat në rrugët që të shpien në bregdetin e Lalëzit e të Hamallajt. Situata atje nuk ka ndryshuar,  ndaj kërkohet ndërhyrje urgjente e forcave dhe mjeteve të ushtrisë që sezoni veror të ofrojë një tjetër situate të pranueshme. Agjencia Rajonale e Mjedisit ka gati gjobat që variojnë nga 500 mijë deri 1 milion lekë për komunat problematike që kanë toleruar ndotjen e këtij aksi rrugor.