Llogaridhënia në Berat, Rama: Objektivi ynë, punësimi i 25 mijë personave deri në fund të vitit

    155

    Vazhdon turi i llogaridhënies së qeverisë dhe dje kryeministri Rama u ndodh në Berat. “Janë 10 mijë individë të punësuar nga zyrat e punës dhe objektivi ynë është punësimi i 25 mijë personave deri në fund të vitit, pa përfshirë projeksionet për punësim që bëjnë kompanitë private”, deklaroi kryeministri Edi Rama, në ‘Panairin rajonal të punës 2018’, në Berat, ku mori pjesë dhe bashkëbisedoi me sipërmarrësit. Në këtë Panair përfaqësuesit e biznesit kanë afishuar 300 vende të lira pune të kategorive e profileve të shumëllojshme. Në takim me drejtuesit e kompanive në Berat, kryeministri Rama komunikoi me ta për problematikat që kanë dhe agjendën e punësimit që paraqesin përfaqësuesit e biznesit. Përfaqësuesit e biznesit në këtë panair i shprehën kryeministrit Rama, shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Kryeministri Edi Rama tha se “në Berat ka një transformim të rëndësishëm të gjithë procesit që zhvillohet nga zyrat e punës. Kemi zyra pune shumë aktive, kanë realizuar objektivat, presim rezultatet e majit, por bazuar në muajin mars dhe prill kur filloi një proces i organizuar me objektiva për çdo zyrë pune dhe me projeksionet e majit, deri tani prekim tavanin e 10 mijë individëve të punësuar vetëm nga zyrat e punës, kështu që objektivi ynë është për 25 mijë të punësuar, vetëm nga zyrat e punës, pavarësisht ç’farë bëhen jashtë këtij procesi, ku kompanitë bëjnë proceset e tyre. “Ky objektiv është i realizueshëm dhe është një objektiv domethënës, për të thënë se kush vërtetë do punë dhe nuk pret në kafe një punë në shtet mund të fillojë një punë”, tha Rama. Më tej Rama shtoi se “natyrisht, një pjesë e këtyre vendeve të punës janë me paga më të ulëta, por ama fillohet me pagë të ulët dhe pastaj fillon e rritet siç kemi parë në eksperiencat e gjithë këtyre panaireve, që pastaj pas një pune si fillestar, pas përfitimeve të aftësimit në punë ka rritje pagës”.