Ambasadori Lu: Gjyqtarëve u janë afruar ryshfete për çështjen “Tahiri”

589
Sigal

Ish-ministri i Brendshëm Tahiri sot në Gjykatën e Apelit kërkon ndryshimin e dënimit “Arrest në shtëpi”

Sot gjykohet në gjykatën e Apelit të Tiranës kërkesa e ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama, Saimir Tahiri për të ndryshuar masën e sigurisë, që i dha gjykata e Tiranës “Arrest shtëpie”, deri sa të përfundojnë hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kujtojmë se Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar më 12 maj 2018, masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin Habilaj. Vendimi i gjykatës urdhëron Tahirin të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në Tiranë, tek Rruga “Kodra e Diellit”.

Akuza ndaj ish-ministrit Tahiri

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar hetimet ndaj ish-ministrit Tahiri “Për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”. Më 19 tetor 2007 Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit deputetit Tahiri, për të filluar hetimet. Siç dihet, deputetët socialistë e rrëzuan këtë kërkesë të Prokurorisë, mirëpo faktet e reja të sjella nga Greqia dhe Italia, të cilat dëshmojnë për bashkëpunim të ish-ministrit Tahiri me persona të botës së krimit, e detyruan deputetin Tahiri të jepte dorëheqjen nga mandati i deputetit në fund-prillin e 2018-s.

Ambasadori Lu: Kemi dëgjuar për presione ndaj gjyqtarëve

Në një kohë kur sot pritet të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit mbi kërkesën e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kërkon heqjen e masës “arrest shtëpie” dhënë nga Gjykata e Krimeve të Renda, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione. Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu i ka bërë thirrje Shoqërisë Civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, pasi sipas tij ka raportime nga burime te pavarura për presione dhe ryshfete ndaj gjykatësve. “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime, apo para. Askush nuk është mbi ligjin”- ka thënë Donald Lu.