Lista e barnave gati në prill, Beci: Këtë vit, do të shtojmë numrin e përfituesve nga skema

    431
    Sigal

    Fondi i Sigurimeve Shëndetësore zhvilloi dje analizën vjetore, ku merrnin pjesë drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dr. Astrit Beci, ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj si dhe drejtuesit e shërbimeve shëndetësore në vend. Drejtori i Fondit, dr. Astrit Beci theksoi në fjalën e tij se, përdorimi i skemës gjatë vitit 2013, ku recetat me rimbursim janë rritur me 500 mijë vetëm gjatë këtij viti, duke arritur në 4.2 milion receta të rimbursueshme në vit, nga ana tjetër nuk ka sjellë një efikasitet më të lartë në cilësi shërbimi për disa tregues, krahasuar me vendet e rajonit. “Për këtë arsye – theksoi z. Beci – fokusi këtë vit do të vihet te ofrimi i shërbimeve me cilësi, përmes kostove të matura drejt”. Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore lajmëroi në këtë konferencë, pilotimin e afërt të kartës së shëndetit në disa qendra shëndetësore në Tiranë, duke bërë të mundur çlirimin e mjekut të familjes nga ngarkesa burokratike e plotësimit të fletëve të librezës, e duke i kthyer kohën dhe rolin e tij, në funksion të vizitës më efikase për pacientët.

     Lista e barnave të rimbursueshme

    Gjithashtu drejtori i Fondit, deklaroi se ka nisur puna për listën e barnave të rimbursueshme nëpërmjet diskutimeve me të gjithë mjekët ekspertë të të gjitha katedrave kryesore, me synim mirëpërdorimin e fondit të rimbursimit për të përfituar më shumë pacientë dhe me më shumë cilësi. Lista e re e barnave te rimbursueshme do të hyjë në fuqi në fillim të muajit prill.

     Paketat e shërbimit

    Lidhur me paketat e shërbimit, drejtori i Fondit, z. Astrit Beci tha se: “Ne jemi duke finalizuar tashmë, punën për paketën e dializës e më tej, në përmbushje të afateve që kemi paravendosur, në fillim të muajit prill, do të kemi gati 5 paketat e para të shërbimeve shëndetësore. Pra, do të dimë saktësisht në fund të këtij procesi, shifrat e ndërhyrjeve kardiovaskulare, të dializës dhe transplantit të veshkave, heparit dhe implantit koklear për fëmijët me probleme të dëgjimit.

    Në fund, drejtori i Fondit, z. Astrit Beci u shpreh se do të rakordohet puna me të gjitha institucionet audituese, për një kontroll efikas të dhënësve të shërbimeve shëndetësore. Ai deklaroi gjithashtu, se: “Do të përpiqemi të ndryshojmë situatën problematike, të medikamenteve dhe materialeve të mjekimit, posaçërisht në spitalin e Traumës dhe kjo bëhet duke patur parasysh problematikën e këtij sektori”.

     Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

    Në fjalën e tij, ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj inkurajoi punën e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për përllogaritjen e kostove të pesë paketave të para të shërbimeve, por deklaroi se, për të kostuar të gjitha shërbimet, puna do të jetë voluminoze dhe kemi rrugë të gjatë për të bërë.

     Drejtoresha e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu

    Ndërsa, drejtoresha e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu vlerësoi gadishmërinë e drejtuesve të Fondit për të intensifikuar bashkëpunimin me QSUT-në, në funksion të shkëmbimit të të dhënave lidhur me kartelat klinike sipas shërbimeve.