Libri “20 Vjet OBVL” dhe Rahman Parllaku

    542
    Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe ndryshimet demokratike në Europën Lindore u reflektuan edhe në Shqipëri me përmbysjen e diktaturës komuniste duke sjellë ndryshimin e sistemit shoqëror dhe kalimin në demokracinë e bazuar në pluralizmin partiak dhe sigurimin e lirisë së njeriut. Por, drejtuesit e shtetit të ri mbetën politikanët me prejardhje nga diktatura komuniste, më e egra në Europën Lindore dhe rrjedhimisht qeverisja e re nuk mund të ishte plotësisht demokratike.
    Komiteti i Veteranëve të Luftës, levë e PPSH që kishte kryer krime të shumta edhe ndaj veteranëve të luftës, nuk ishte shpërbërë, por vazhdonte të shërbente si levë e PS. Në këto kushte veteranët e luftës që nuk kishin marrë pjesë në këto krime të PPSH dhe Enver Hoxhës, u mblodhën dhe në vitin 1994 krijuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës(OBVL), që kishte për qëllim të mbështeste proceset demokratike dhe shtetin ligjor dhe t’í bashkonte veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar në një organizatë të vetme, për të ruajtur më mirë traditat e luftës dhe të drejtat e tyre. Unë isha një nga anëtarët e Komisjonit Nismëtar për krijimin e OBVL dhe gjithashtu më pas edhe anëtar i kryesisë së OBVL. Në një takim me Kryetarin e OBVL-së Durrës, Genc Ballanca më 20 prill 2015, ky më dha një libër të madh me ilustrime me titullin “20 VJET OBVL”. Sa e pashë librin më pëlqeu paraqitja dhe u gëzova shumë. Por mbasi e lexova atë, u zhgënjeva plotësisht. Në libër nuk kishte pothuajse asgjë për arritjet e OBVL-së. Konkretisht aty paraqitej lavdia e biografisë së Rahman Parllakut, gjeneral-leitnant, komandant i Divizionit V, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit si dhe e disa prej përkrahësve të tij. Emri i Rahman Parllakut përmëndej thuajse në çdo faqe të librit, ndërsa unë, Dhimitër Ndrenika, Genc Ballanca dhe shumë të tjerë, që jemi përpjekur pa u kursyer për të vënë jetë programin e organizatës (OBVL) duke u konfliktuar edhe me Kryetarin e OBVL-së, nuk përmëndemi fare, si njerës të padëshiruar për Rahman Parllakun. Në këtë shkrim do të mundohem të hedh dritë mbi qëndrimin e Kryetarit të OBVL Rahman Parllaku, mbi ato që ai nuk i përmënd në librin “20 VJET OBVL” apo edhe në librat e shumtë që ka shkruar, si dhe mbi ato që ai mundohet t’ja fshehë publikut të gjërë. Duke e shfletuar me kujdes librin “20 VJET OBVL”, që të kujton veprat “madhore” të Enver Hoxhës, vihet re se ai është përgatitur me shumë kujdes nga Rahman Parllaku me të vetmin qëllim të mohimit dhe të fshehjes së pjesëmarrjes së tij në krimet dhe tradhëtitë e Enver Hoxhës, duke i atribuar vehtes lavdinë e Luftës Nacional Çlirimtare, e cila i përket komandantëve të korpusve, që çliruan Shqipërinë si Dali Ndreu, Tuk Jakova, Tahir Kadareja, Spiro Moisiu, etj. Kur këta luftonin me heroizëm, Enver Hoxha fshihej në malet e Martaneshit pa adresë për më shumë se katër muaj. Të gjithë këta heroj legjendarë të luftës, Enver Hoxha i likujdoi një nga një dhe përvehtësoi lavdinë e pamohueshme të tyre. Por cilat kanë qënë përgjegjësitë e Rahman Parllakut në luftën nacional-çlirimtare? Në fillim ai ka qënë Komandant i njësive guerrile të Vlorës. Më pas kalon komisar batalioni dhe zv/Komisar i Brigadës VIII Sulmuese dhe nga qershori 1944 Komisar i Brigadës III Sulmuese deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, pra ka marrë pjesë vetëm në drejtimin e luftimeve të Brigadës ku bënte pjesë dhe jo në drejtimin e Luftës Nacional-Çlirimtare në tërësi. Pas çlirimit të Kosovës Rahman Parllaku u emërua Komandant i Divizionit V dhe i graduar nënkolonel ka marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Sanxhakut. Si Komandant i Divizionit V, ai nuk mund të mos ketë dijeni, sikurse mohon, të masakrës së mbi 3000 kosovarëve në poligonin e rrethuar të Tivarit në vitin 1945. Rahman Parllaku mburret se mban dekoratën “Hero i Popullit”. Por po këtë dekoratë e ka marrë edhe Hito Çako, i cili me urdhërin e Enver Hoxhës ka vrarë mbas shpine në pritë Mustafa Gjinishin. Rahman Parllaku mburret gjithashtu se ka marrë dekoratën “Nderi i Kombit”, por dekorata tilla të larta, të pamerituara, ka marrë edhe Enver Hoxha dhe i mban akoma. Rahman Parllaku mburret se është ushtarak i kualifikuar me përgjegjësi të larta, ish Zv/Ministër i Mbrojtjes dhe Zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm, por ai kurrë nuk është marrë dot me artin ushtarak dhe për këtë ai nuk mund të jetë ushtarak i kualifikuar. Për këtë pa aftësi kritikohej edhe nga Petrit Dume.
    Rahman Parllaku, në kundërshtim me programin e OBVL-së, që e dënon rëndë diktaturën komuniste dhe krimet e tradhëtitë e Enver Hoxhës, në asnjë nga librat e tij të shumtë që ka shkruar, nuk i ka dënuar kurrë ato, duke lënë pështypjen se ka qënë pjesëmarrës në to. Dihet që Rahman Parllaku ka qënë një ndër më të preferuarit e Enver Hoxhës, i cili e thërriste me pseudonimin “Krajli”. Vetë Enver Hoxha, që organizoi goditjen e kuadrove kryesorë të ushtrisë, me sebepin e organizimit të “puçit ushtarak”, mbas një mbledhje në Vilën e Zogut Durrës në verën e vitit 1974, ku hetohej veprimtaria e “armikut” Beqir Balluku, porosiste Mehmet Shehun e Hysni Kapon: “Rahman Parllaku të mos preket sepse është me partishmëri të lartë”, duke lënë të kuptohej se Rahman Parllaku ishte njeriu i tij dhe përdorej për realizimin e qëllimeve të tij të mbrapshta. Në pozicion e anëtarit të Kryesisë së OBVL-së, unë jam përpjekur të vë në jetë programin e organizatës. Në këtë përpjekje kam patur përkrahjen e anëtarëve të organizatës, si Dhimitër Ndrenika e Genc Ballanca, etj., por çuditërisht edhe kundërshtimin e kryetarit të OBVL, Rahman Parllaku. Shkurtimisht do të përmënd disa episode tipike:
    1. Në një mbledhje të kryesisë të OBVL-së në vitin 1998, ndërkohë që unë po diskutoja për domozdoshmërinë e demaskimit të plotë të krimeve të Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij edhe ndaj luftëtarëve të LANÇ, menjëherë ndërhyn Rahman Parllaku, që drejtonte mbledhjen, dhe i jep një drejtim tjetër thelbit të diskutimit: “Me Komitetin e Veteranëve të Luftës asnjë debat. 
    OBVL-ja me ta duhet të bashkëpunojë”?!
    Për ta detyruar Rahman Parllakun të mbante qëndrim të qartë për pozicionin e OBVL-së në lidhje me Komitetin e Veteranëve të Luftës, nëpërmjet shtypit i drejtohem të gjitha organizatave të veteranëve të luftës së dytë botërore, duke ju bërë të ditur faktin se në Shqipëri ekzistonin dy organizata të veteranëve të luftës dhe se ata duhet të zgjidhnin me cilën organizatë të veteranëve duhet të bashkëpunonin, me:
    a) Komitetin e Veteranëve të Luftës, (të krijuar nga Enver Hoxha), që nuk distancohet nga Enver Hoxha dhe krimeve të tij; apo me
    b) Organizatë e Bashkuar të Veteranëve të Luftës(OBVL), e krijuar pas përmbysjes së diktaturës komuniste.
    Komiteti i Veteranëve të Luftës, i alarmuar boton në shtyp një artikull kundër meje personalisht, vetëm me qëllim deskreditues, të cilit unë ju përgjigja, po nëpërmjet shtypit, duke i hedhur poshtë pretendimet e tyre me fakte konkrete.
    Rahmani, si Kryetar i OBVL-së mbajti qëndrim indifernt dhe nuk u fut në diskutim me ta. Edhe mua nuk më tha asnjë fjalë për problemin.
    2. Në një mbledhje tjetër të kryesisë të OBVL-së, gjatë diskutimit, unë e cilësoj Enver Hoxhën si kriminel dhe tradhëtar. Menjëherë ndërhyn Rahman Parllaku dhe thotë: “Kriminel po, tradhëtar jo”. Faktet tregojnë se për të zbatuar urdhërat dhe interesat e jugosllavëve në Shqipëri, Enver Hoxha s’ka nguruar të japë urdhëra për eleminimin e kundërshtarëve të këtyre interesave, pas shpine si në rastin e Mustafa Gjinishit, etj.
    3. Mbas pak kohe, në një mbledhje tjetër të kryesisë të OBVL-së, gjatë diskutimit, duke theksuar faktin se OBVL është krijuar që të vlerësojë realisht historinë e luftës së lavdishme nacional çlirimtare, duke shmangur të gjitha shtrëmbërimet që i janë bërë, unë propozova “krijimin e një komisioni për pastrimin e historisë së luftës nacional çlirimtare nga qëndrimet e padrejta të Enver Hoxhës dhe PPSH. Përsëri, menjëherë ndërhyn Kryetari i OBVL-së Rahman Parllaku dhe përsëri në kundërshtim me programin e OBVL-së, thotë: “Tani nuk është koha”, kur në fakt koha ka kaluar. Me gjithë atë, mbi këtë ide unë i vetëm shkrova dhe botova në vitin 2013 një libër me titullin “Prapaskenat kobëzeza të Enver Hoxhës”. 
    4. Një ditë të vitit 1998, ndërsa po shkoja në mbledhjen e Kryesisë së OBVL, rrugës takoj rastësisht Sami Vinçanin, i cili mbasi mori vesh se ku po shkoja, më thotë: “Mos shko aty se të bëjnë për vehte” dhe kur unë ju përgjigja: “Po shkoj t’i bëj unë ata si unë”, vazhdoi: “Po qe kështu, shko atëhere”.
    Nga sa përmënda më sipër, në kryesinë e OBVL-së Rahmani i ka dhënë vehtes padrejtësisht të drejta të pakufizuara. Ai gjithmonë i shmang debatet, sepse ato mund të zbulojnë fakte të vërteta të cilat ai kërkon të mos dalin në dritë. Mjafton të klikoni në faqen zyrtare të publikuar të OBVL dhe do të shikoni të afishuar: Rahman Parllaku-Kryetari i OBVL-Gjenerali që sfidoi diktaturën komuniste.
    Natyrshëm lind pyteja: Si e “sfidoi” Rahman Parllaku diktaturën komuniste, kur dhe ku? Mos vallë gjatë regjimit komunist, kur ishte “i preferuari” i Enver Hoxhës, apo kur edhe pse i dënuar me burg nga diktatura komuniste deklaronte: “Unë vë dorën në zjarr për Enver Hoxhën”. Në demokraci të gjithë mund ta sfidojnë diktaturën komuniste, e “sfidoi” edhe Rahman Parllaku. Vetëm burgosja nga diktatura komuniste nuk mjafton për tu quajtur “gjenerali që sfidoi diktaturën komuniste”. Kjo është ironike! Për më tepër kur gjenerali që realisht sfidoi diktaturën komuniste ishte gjenerali Halim Xhelo, i cili e sfidoi Enver Hoxhën në vitin 1996…… duke i thënë: “I ke vënë popullit këmbën në fyt”, u dënua nga diktatura komuniste për agjitacion e propagandë, u eleminua në burg dhe sot nuk i dihet as varri. Dhe ironia në këtë rast është therrëse, mbasi ishte pikërisht “i preferuari” -gjenerali besnik i Enver Hoxhës,- Rahman Parllaku që e arestoi Halim Xhelon në Vlorë, duke organizuar një operacion sekret sëbashku me gjeneralin Mihallaq Ziçishti. Këto i deklaron Vladimir Xhelo, i biri i Halim Xhelos, që është edhe dëshmitar në këtë ngjarje( njw e pwrditwshme të datës 1 Gusht 2012). 
    Së fundi një pyetje për Rahman Parllakun: Përse nuk ka asnjë reagim nga Kryetari i OBVL, kur në listën me 24 veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, të dekoruar nga Rusia me rastin e përkujtimit të 9 Maj-it 1945, 70- Vjetorit të fitores mbi Gjermaninë naziste, nuk kishte asnjë veteran nga OBVL, të cilët sot janë mbi 90 vjeçarë, kur në listë e të dekoruarve pjesa më e madhe në kohën e luftës ishin jo më shumë se 10 vjeçarë?
    Duke e përfunduar këtë shkrim, dua të theksoj se publikimi i librin “20 VJET OBVL”, përmbajtja e të cilit është ndërtuar sipas interesave personale të Rahman Parllakut, nuk mund të sfumojë të vërtetat që “djegin” për Rahman Parllakun, që ishte i preferuari dhe vegël e bindur për realizimin e “bëmave” të Enver Hoxhës. Kulti i individit i Rahman Parllakut për ta paraqitur vehten të lavdishëm, ashtu siç nuk është, me qëllim fshehjen e krimeve të tij, është pothuajse i njëjtë me atë të Enver Hoxhës. 
    Është në nderin dhe detyrimin e OBVL ta analizojë dhe ta gjykojë Kryetarin e saj aktual në dritën e fakteve, që të mbijetojë dhe të justifikojë qëllimin e formimit të saj. Në demokraci asnjëherë nuk është vonë për tu rrëfyer dhe për të thënë të vërtetat. Historia do të shkruhet vetëm mbi të vërteta. 
    Ernest JAKOVA
    Gjeneral-Major në pension
    Anëtar i kryesisë së OBVL
    Durrës, Qershor 2015
    (VO: Gazeta është e hapur për çdo material në formë diskutimi, për problemin që trajtohet.)
    Sigal