Hijet që lëvizin

952
Sot mora pjesë në një promovim librash të një autori i cili kishte kaluar 22 vjet në burgun komunist. Bëhet fjalë për një nga mandelat shqiptarë, se të tillë ka patur plot në regjimin e përmbysur, Fjala është për Bedri Çokun dhe librat e tij “Ëndërr e fundosur” dhe “Arrestova shokun tim” që i kushtohet kryesisht ngjarjeve të paharruara të revoltës së Spaçit më 21-23 maj 1973. Dëgjoj referuesit e ndryshëm që flasin njeri pas tjetrit dhe para syve më dalin ato ditë të tmerrshme që ishim të detyruar t’i jetonim. Mbi të gjitha më dalin figurat e paharruara të katër martirëve të rënë në atë revoltë: Pal Zefit, nismëtarit të fillimit të revoltës, Hajri Pashajt, që guxoi të fyente zëvendësministrin e brendshëm, Dervish Bejkos si i prijsi kryesor i përleshjes me policinë dhe Skënder Dajës që me zërin e tij të fuqishëm u drejtoi thirrjen e famshme ushtarëve dhe civilëve që vigjilonin përreth dhe këto i paguan me jetët e tyre. Më dalin këto figura dhe pyes:
– A kanë një varr këta martirë ku të afërmit dhe dashamirësit të derdhin dy pika lot 
apo të vendosin një tufë me lule të freskëta si vetë jetët e tyre? 
Askush nuk më jep përgjigje. Miku im, Agim Bejko, rezident në Francë, ka vite që interesohet për gjetjen e vendit ku ndodhen eshtrat e të vëllait, Dervishit. E kanë adresuar në disa vende, por më kotë. Askush nuk i tregon. Ne keto çaste më kujtohen katër vargje të një poeme të një poeti anonim:
Po kërkoj, kërkoj më kotë,
Të gjej vendin ku ka rarë,
Nuk e di në ka në botë,
Një të vdekur pa një varr
Po, një vend i tillë, për fat të keq, është atdheu ynë. Janë mbi 4500 martirë të cilëve nuk u dihet vendi i varrit. Propaganda qeveritare dhe ajo opozitare e ngrejnë zërin në kupë të qiellit për të zhdukurit nga serbët në Kosovë dhe bëjnë mirë. Por a nuk do të ishte e moralshme që të njejtën gjë ta bënin edhe për të rënët nga komunizmi në Shqipëri? Kjo pyetje kërkon përgjigje.
Shoqata e jonë është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare e të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin e cila për çdo vit zhvillon Kuvendet e saj në të cilat ka marrë pjesë edhe një delegacion i shoqatës tonë. Krahas punimeve të kuvendit organizatorët, në të gjitha vendet e lindjes, na kanë shoqëruar nëpër një burg apo kamp përqëndrimi komunist të kthyer në muze. Në kuvendin e fundit ishim në Rumani ku u përurua monumenti madhështor, kushtuar viktimave të genocidit komunist, në qendër të Bukureshtit. Një monument i tillë ka kohë që është ngritur edhe në Washington, megjithse Amerika nuk e provoi mbi shpinën e saj se çfarë ishte genocidi komunist. Po në vendin tonë? Kudo sundon heshtja. 
Qysh në vitin 2006 është miratuar një rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Mbi Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimet Komuniste”, rezolutë të cilën deputetët e majtë, pa dhënë asnjë arsye, e bojkotuan dhe deri më sot, megjithse kanë kaluar nëntë vjet, është realizuar vetëm një pikë ajo e krijimit të Institutit të Hetimit të Krimeve të Regjimit Komunist, i cili deri më sot nuk është lejuar të bëjë asnjë hetim por ka mbetur fare formal duke u marrë me botim apo perurirm të ndonjë libri. 
Ka vite që kërkohet nga shoqatat e të përndjekurve politikë kthimi i burgut të Burrelit dhe 
kampeve të Tepelenës dhe Spaçit në muze, madje për këtë të fundit është ngritur edhe një shoqatë së cilës nuk po i hapen dyert dhe për më tepër nuk është vendosur asnjë pllakë përkujtimore. Ka vite që kërkohet ngritja e memorialit të viktimave të komunizmit, madje për këtë ekziston edhe një vendim i Kuvendit të Shqipërisë, por që ka mbetur në letër. Ka vite që qeveria miratoi një projekt-ligj me anën e të cilët u lindte e drejta e dëmshpërblimit të menjëhershëm të burgosurve politikë që janë gjallë me moshë mbi 85 vjeç, projekt-ligj që në komisionet e kuvendit u shndërrua në mbi 75 vjeç dhe që, çuditërisht, mbeti në sirtaret e kuvendit dhe që qeveria e sotme e shndërroi në një ligj tjetër që i shtrin afatet deri në vitin 2017. Përse të ndodhin të tilla fenomene në vendin tonë? Drejtuesit e partive politike dhe politikanë të njohur deklarojnë, nga të dy anët e politikës, se të përndjekurit politikë qenkan shtylla kurrizore e tyre. Rrjedha e ngjarjeve tregon te kundërtën. Të përndjekurit politikë kërkohet të trajtohen si karem për interesat e tyre politike. A është e moralshme edhe një gjë e tillë? Edhe kjo pyetje kërkon përgjigje. 
Çuditërisht unë jam një person i dyzuar. Brenda vetes time ekziston një person i dytë që mendon ndryshe nga i pari. Ky dyzim më ka lindur pas ndryshimeve demokratike dhe kjo ka arsyet e veta. Tradicionalisht i përkas një familjeje të patrazuar në përkatësitë partiake. Asnjë anëtar i fisit tim nuk ka qenë i organizuar me organizatat nacionaliste, Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Asnjë individ i fisit tim nuk ka qenë i arratisur për motive politike. Madje një pjesë e fisit ka qenë e lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Atëherë, si përfundova në krahun e djathtë?
Qysh kur isha fëmijë shikoja tim atë që mbrëmje për mbrëmje dëgjonte fshehurazi lajmet e Radio Londrës dhe i komentonte ato me miqtë e tij më të afërt. Copëza nga këto biseda i kapte edhe veshi im dhe pak nga pak tek unë formoheshin këto bindje që kam sot. Fati e pruri që të burgosesha që në moshë të re dhe atje kontakti me intelektualët e rrallë që njoha bëri që të vendosesha përfundimish në krahun e të djathtës nacionaliste.
Gjithmonë kam ëndërruar për lirinë. Ndaj u bashkova qysh në çastet e para me lëvizjen demokratike për përmbysjen e sistemit totalitar. Në këtë lëvizje u hodha pa asnjë paragjykim. Shikoja që pjesa dërmuese e atyre që ishin në krye të saj, i përkisnin klasës së pushtetit të përmbysur. Megjithatë kjo nuk më shqetësonte pasi mendoja se kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë pjesën e keqe të zemrës së tij dhe të jetojë me atë më të mirën, siç thoshte Hamleti i Shekspirit. Kushdo ka të drejtë të ngrihet edhe kundër së kaluarës së tij kur ajo nuk është e drejtë. Por, para se të kryej një veprim të tillë, personi duhet të reflektojë. Ai duhet të pranojë që deri atëherë kishte ndjekur një rrugë të gabuar, gjë që nuk ndodhi në asnjë rast dhe nga asnjë individ. Filluan të shajnë komunizmin “në themel dhe në çati” por pa treguar rolin e tyre sado të vogël në atë sistem jo njerëzor. Kjo gjë solli që në krye të dilnin edhe disa “gojë mjalt’e trup përlyer” që në të kaluarën nuk linin pa thurrur lavde për “mrekullitë e botës socialiste”. 
Janë pikërisht këta lakej që sot ndodhen në pushtet apo opozitë që e kanë bërë karakterin tim të dyzuar. Duke qënë në detyrën e Kryetarit të Degës së Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Tiranës pothuajse përditë hasem me çështje që u përkasin atyre dhe që, për fatin e keq, është shumë e vështirë të gjejnë zgjidhje. Dyzimi im më bën që të dyshojë nëse një gjë e tillë vjen nga burokracia e zakonshme që ekziston në administratën shtetërore apo mosdashja e tyre. Në rast se do të ishte e para do ta konsideroja si një pakujdesi që shpejt mund të korigjohej por, po të ishte e dyta, do të më vinte shumë keq pasi, duke qënë vetë një anëtar i së djathtës nuk do të më vinte mirë që një qeveri e po të së djathtës të kishte një mendim të tillë.
Tani le të kthehemi në çështjet që preokupojnë më tepër të përndjekurit politikë. Në krye të tyre, natyrisht, qëndron antikomunizmi. Ishte ky motivi pse iu kundërvumë komunizmit, që u dënuam dhe vuajtëm për gati nje gjysmë shekulli terror. Por a është luftuar komunizmi në Shqipëri? Përgjigja është një e vetme: JO! Më 20 shkurt 1991 rrëzuam monumentin e diktatorit. Menduam se bashkë me të shporrëm edhe shpirtin e tij por gabuam. Kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti ndërsa shpirtin e kishim lënë të lirë të endej nëpër Shqipëri dhe të përgatiste masakra të tjera si ajo e vitit 1997 ku përsëri të vrarët ishim ne, të përndjekurit politikë. Ju kujtoj Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Çerën, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Adem Shehun, Skënder Kalenjën e të tjerë. A mund të më thoni emra ish-komunistësh të masakruar në këtë periudhë? Po mundët përgjigjuni.
Para katër vitesh e kisha hapur kompjuterin në median elektronike “Zemra shqiptare”. Po lexoja një njoftim mjaft interesant të bërë nga zonja Sadie Kryeziu. Ajo shkruante:
Kohë më parë, në një nga kontaktet e mia të para me mediat shqiptare, ajo që më bëri të përqëndrohesha ishte një debat me temë: “Të lemë pas të shkuarën”. Kjo nënkuptonte të harronim krimet dhe kriminelët. Kjo shkruhej më saktë nga bij të tillësh, që donin që “baballarët e tyre” të lyer me krime të “flinin e të preheshin të qetë”. Por pas 14 dhjetorit të vitit 2010 duket që ajo që kisha lexuar e dëgjuar më parë në këtë debat të kishte marrë një rrugë tashmë. Ishin pikërisht Ministrat e Jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë që i kishin kërkuar në një letër zyrtare Komisares Europiane për Çështje të Drejtësisë zonjës Vivian Reding të dënonte “Miratimin publik, mohimin dhe trivializimin e krimeve totalitare”. Zëdhënësi i komisares së Bashkimi Europian kishte thënë:
“Ne e marrim shumë seriozisht këtë kërkesë. Krimet e regjimeve totalitare janë pjesë e kujtesës kolektive të Europës”.
Lexoja njoftimin e mësipërm dhe mendoja se do të ishte dashur që krahas nënshkrimeve të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore dhe që aspironte për t’u futur në Bashkimin Europian. Mendoja se nuk ishte vonë që edhe tani përfaqësuesit e shtetit shqiptar t’i bashkëngjiteshin zyrtarisht kësaj nisme. Një gjë e tillë do të ishte në nderin dhe dinjitetin e çdo personaliteti shtetëror. Por nga Shqipëria nuk ndihej asnjë zë i tillë. Shqipëria ishte e shurdhër në këtë drejtim. Të mos harrojmë se kjo është edhe një nga kërkesat kryesore që Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara i kanë paraqitur Shqipërisë. 
Për fat të keq, në Shqipëri, zërat e burrave të shquar ose zërat e rinj që kërkojnë një reflektim sa më të plotë të idealeve perëndimore, pothuajse nuk ndihen fare. Shqipëria po kalon një periudhë tensionesh të krijuara artificialisht për mbajtjen ose marrjen e pushtetit, të ngritura nga udhëheqës karrieristë dhe që mbështeten nga individë të ngjashëm me ta, pa moral dhe pa parime ose nga turma militantësh fanatikë, që nuk shohin më larg se hija e tyre ose interesa për fitim e karrierë të pamerituar.
Këto mendoja me vete dhe pyesja:
– Përse u dashka që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkojë Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit? A nuk e dinë shqiptarët se komunizmi ishte ai që i la me shekuj prapa vendeve të tjera? Atëherë, si mund të ndërtohet kapitalizmi me mendësi komuniste?
Po shetisja me një mikun e tij në bulevardin “Bajram Curri”. Po afroheshim te vendi ku ky bulevard bashkohet me Rrugën e Kavajës. Në një pallat të kohës së perënduar, ende i pasuvatuar, ndërtuar me tulla silikate, ishte shkruar me tulla të kuqe: “Rroftë Partia e Punës”.
Nuk u besova syve të mi. Tani, pas gati njëzetepesë vjetësh, në vendin tonë kishte ende parulla të tilla të një diktature që pretendojmë se e kemi rrëzuar. Ia tregova mikut. Ai buzëqeshi dhe tha vetëm një fjalë: 
– Katovica! 
Nuk pata kurajo t’i ktheja përgjigje. Nuk dija çfarë t’i thosha. 
Sigal