Kristo MËRTIRI/ Një prokuror nga Prishtina i thotë Ina Ramës: “Jepni dorëheqjen!”…

645
Sigal

Shteti i vërtetë nuk ka dy peshore drejtësie: Njërën për fukarenjtë e vegjëlinë, tjetrën për pushtetarë e zengjinë! Konkretisht, prokurorët dhe gjyqtarët mbajnë mbi supe një nga shtyllat e Republikës në Shqipërizën tonë të lodhur, të vuajtur e me shpresa ende të pashuara përballë qytetërimit europian. Jo thjesht se kjo e uruar shpresë vdes e fundit. Sepse populli ynë hallemadh, historikisht ka ditur të kapërcejë mjaft lumenj e dallgë të egra, por nuk është mbytur kurrë në përrua dhe nuk e ka lënë dëborën e akullin të zënë krimba. Mirëpo siç thotë një aforizëm agolliane: E vërteta është një, ne jemi shumë, miku im,- flet, filozofon e turfullon i brengosur Kiço Peshtanaku, vërsniku im i sertë që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit. -Nuk thosh kot xha Shaqua, pastë ndjesë, kur erdhi pas gati 30 vjetësh nga Amerika dhe e ngrysi jetën në fshat: Qenit kur i vjen ngordhja, përmjerr në derë të “xhamisë”! Por në mëmëdheun tonë kockë e lëkurë, mjaft qeveritarë të djeshëm e të sotëm përmjerrin jo vetëm atje ku të thashë, por kudo ku u tërheq kërraba nga vetja. Të tjerët poshtë tyre fryjnë sytë, taposin veshët e nuk bëjnë as gëk as mëk para makinës pushtetore që e ndërron shoferin një herë në 4 vjet… Mbaj mend, miku im, kur na fole në prag të ndërrimit të fundit, për një kolegun tuaj të dashur nga Tropoja, që sot jeton në Tiranë, në pension. Atëherë e ngrite zërin dhe pohove jo pa krenari e vendosmëri: Ai mbeti tërë jetën NJERI me shkronja të mëdha kapitale, i ndershëm e idealist i kulluar. Nuk ia mbaj mend emrin, por nga rradakja ime nuk është shqitur ende ai episodi trimëror e dinjitetmbuluar për një prokuror në Prishtinë, që nuk i tha kurrë derrit dajë dhe falej vetëm përballë të vërtetës, vetëm përballë Ligjit e Drejtësisë. Prandaj kujtohet e nderohet sot e kësaj dite qysh nga fundtetori 1943, pra 69 vjet me radhë. Kujtohet plot dashuri e krenari në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Ore babam, përse përton të bësh dy gisht kartë në ndonjë gazetë të Tiranës dhe t’i kopanisësh e t’i bësh rezil ca prokurorë e gjyqtarë të kollarisur, që sot notojnë përmes bollëkut e pasurive të zeza të siguruara si shushunjat nga gjaku dhe djersa e fukarenjve ?… Brenda vetes i dhashë të drejtë mikut tim të vjetër sa vetë mosha ime dhe qysh atë mbrëmje fillova të gërmoj nëpër “arat” e kujtesës e në arkivin modest të gazetarit. Se dega të rreh, por gjembi të shpon! Sidomos kur është nga miqtë e vërtetë që as të lajnë e as të lyejnë dhe as të spërkatin përditë me ujë trëndafili. Ishte fjala për tropojanin e urtë e të mençur, i drejtë gjer në dhimbje, gazetarin ushtarak në pension, Halil Katana. E kisha uruar e falënderuar sinqerisht për një fakt  të rrallë në historinë e Drejtësisë shqiptare e më tutje, të cilin e rrëfeu te veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Episod që unë nuk e njihja deri 4 vjet më parë dhe s’mund ta humbisja kurrsesi nga memoria ime qytetare e profesionale. Se fjalët edhe i merr ndonjë erë a furtunë  e tranzicionit të pafund. Por e shkruara mbetet:

-“Në tetor ’43, Kosova filloi të zgjohet, për t’u ngritur në luftë kundër fashizmit. Ajo, pavarësisht nga propaganda naziste e balliste, po kuptonte se e vetmja rrugë për të pasur të drejtë të kërkonte vetëvendosje, ishte ngritja në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, siç ishte ngritur e gjithë Bota,-theksonte Halili.- Në këtë kohë në Prishtinë u formua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar në shtëpinë e Murat Pacit,me kryetar Mehmet Bajraktarin nga Mitrovica. Sekretar u zgjodh Murati, një intelektual i shquar për kohën, me origjinë nga Paci i Tropojës. Punonte edhe si kryesekretar i prefekturës së Prishtinës. Ministri i Brendshëm i qeverise kuislinge, Xhafer Deva, sapo u informua për krijimin e atij Këshilli, shkoi vetë nga Tirana në Prishtinë. Dhe vrau pabesisht brenda zyrës në prefekturë, të paharruarin Murat Paci, sot Dëshmor i Atdheut…”.

Deri këtu nuk na the ndonjë bëmë të pabërë nga xhelatët nazifashistë,- mund të mendojë a shprehet aty për aty iks prokuror a ipsilon gjyqtar që nuk e vëzhgon as me dylbi historinë dhe sytë i mban ulur te ryshfeti e gjoba mbi e nën dorë përballë hallexhinjve ta pafund që vërtiten rreth peshores së Drejtësisë. Dhe këta fakirë shpesh ngjitin shkallët e rënda të saj me kosto të lartë dhe pa hequr gurin e Sizifit nga shpina e shpirti.…Por pa këputur fillin e rrëfimit nga Prishtina, pas asaj vrasjeje që do të mbahej mend gjatë, çfarë ndodhi vallë?

-“Qyteti ishte në gjendje shtetrrethimi. Ndërkohë në vendngjarje vajti vetë me shpejtësi Prokurori i Prishtinës, Shuaip Presheva dhe sekretari i tij Thoma Rino. Me gjakftohtësi profesionisti, Shuaipi hartoi procesverbalin e ngjarjes, ngriti Aktakuzën konkrete për ministrin e Brendshëm, Xhafer Deva, firmosi fletëarrestin për të, e lëshoi mbi tavolinën e Prefektit dhe iu drejtua Thomait shkurt: – “Ne, në emër të Drejtësisë, bëmë detyrën tonë…”. Dhe mundën të largohen. Por lanë një dokument historik, për kolegët pasardhës të Drejtësisë. Se në fund të fundit, lëshuan një Fletëarresti jo dosido, por për njeriun më të fuqishëm të qeverisë kuislinge naziste, për njeriun që vriste e priste edhe për një fjalë goje, pa gjyq e larg çdo ligji, pa asnjë procedurë penale…Gjaku i Murat Pacit ende akuzon !…Por edhe ai i Kleanthi Kocit kokëplot, 56 vjet më vonë e jo në Luftën e Dytë Botërore, por në “demokraci” e mu në zemër të Tiranës (?!). Pak metra larg Prokurorisë së Përgjithshme e asaj të kryeqytetit. Asnjë fjalë publike institucionale për 13 vjet me radhë. Shteti nuk bëzan ! Pushtetet ndërrohen, por zakonin e asaj qimes së ujkut nuk e harrojnë kollaj. Prokurorët ndërrojnë karriget po ashtu. Veçse gjaku mbetet bashkë me akuzën e rëndë të juristit të shquar e profesorit të mirënjohur. Dosja e ish- Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë mbeti jetime, e braktisur paturpësisht nga Policia e Prokuroria, nga gjithë Drejtësia ku fali një jetë të tërë profesionale, dituritë dhe aftësitë e rralla vetjake. Por sot, të jesh i mirë me të gjithë ndoshta është e lehtë. Vështirë është të jesh i drejtë, trim e me dinjitet të paprekshëm. Sepse trimërinë pas luftës e kuvendit, shqiptarët e vërtetë e shumëzojnë me zero… Vitet e fundit, miku im i veçantë në Jug, nuk harron të përsërisë shpesh një pohim jo pak tronditës: “Unë kam shumë frikë nga frika e punonjësve të Drejtësisë!”. Dhe hesht si brenda një shpelle dëshpërimi. Por ethet e parasë së pistë nuk kanë mposhtur vetëm gjyqtarë e prokurorë. Kjo malarie e pagëzuar me emrin Korrupsion, po drobit e po tret mjaft hallexhinj në tërë vendin, vetë shtetin e së drejtës. Vinë e shkojnë Prokurorë, Gjyqtarë, Gjeneralë pendëfryrë në krye të Policisë, ministra Drejtësie pa integritet, Kryeministra e Presidentë republike, por shumë padrejtësi tashmë janë bërë mullar(Sqarim: Ky shkrim nuk ka fare lidhje me debatet partiake të majta a të djathta për afatet e detyrës së Kryeprokurores së Përgjithshme).

-Ore babam, piramidat- kuçedra vodhën, rropën dhe e bënë trokë qytetarin e fshatarin, po cili ministër provoi prangat e Kushtetutës e të Ligjeve të saj? – pyet i vrerosur Kiço Peshtanaku që mori vetë udhët helm të kurbetit, duke mallkuar deri edhe “Qiraxhiun e Grebenesë”. -Po flakët llahtarë të Gërdecit, që nuk përcëlluan asnjë qeveritar e zyrtar të lartë? Po 21 Janari gjakmbuluar, cilin ministër a lider partiak çoi në qelitë e shtetit ligjor? E rëndë, por e vërtetë: Këto të fundit janë mbushur me “pabuksa”, me xhepgrisur analfabetë dhe që s’kanë hiç “shpatulla të ngrohta”! Vetëm këta do përgjigjen deri në një përballë krimit e hajdutërisë zyrtare ? Po vazhdoj më tej: Po ata të dënuar jashtë e brenda vendit me burgim të përjetshëm ose me 20-25 vjet, kush ua ul në maksimum kohën e dënimit e kush i lëshon e u jep pafajësinë?… Po për shokun tonë të përbashkët të fëmijërisë, Idriz Malo, që bëri 3 vjet burg vetëm pse gruaja i bëri sherr me komshiun,cili prokuror dha hesap apo po “karfosnin” trafikantët e drogës;ata të prostitucionit;të parave të qelbura; taborët me armë në brez në mes të kryeqytetit etj.? Ti iu drejtove pa doreza vjet në shtyp ish- Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zëvendësit të tij që sot ulëret nëpër mitingje të thekura “patriotike”. Populli ziente si kazan për padrejtësitë, por ata telikoseshin për partitë?! O tempora, o mores! Se trimërinë pas lufte shqiptarët e vërtetë e shumëzojnë me zero. Prandaj ta thashë shqeto 4 vjet më parë: “Po ka mbetur ndonjë prokuror i virtytshëm si ai që tregonte kolegu yt tropojan, minimalisht duhet të japë dorëheqje publike me nder, e pse jo vetë juristja e brishtë e simpatike, Ina Rama…”. Po ti o burazer, u zhyte në pusin e mendimeve të tua atëherë, pije cigare njëra pas tjetrës dhe shtrëngoje nofullat. Dëgjo, po më begenisën me përgjigjet e pyetjeve që bëra më sipër, do i ftoj për një drekë te ujëvarat e pastra si lotët e fukarenjve që ngrysin jetën qelive, këtu te Gryka plot hijeshi e Këlcyrës. Të kam rixha, le ta mbyllim pak me të qeshur se unë nuk qaj dot më. Besoj e ke dëgjuar atë historinë e mustaqeve të xhandarit në nahijen tonë, që ishte rrahur me një tregtar në Pazar. Sepse ky i fundit kokëkrisur iu kthye ashpër: “Hiqmu qafe, se të menderos mustaqet!”. Zallamahi e madhe. Tregtarit i hodhën prangat. Kur e pyetën në sallën e gjyqit se ku e gjeti të drejtën për të ofenduar xhandarin e shtetit, ai i ra shkurt:”Të drejtën e gjeta te Kurani,zotërinj të nderuar!”…Dhe nxori nga xhepi librin që i çoi kryetarit të gjyqit mbi tavolinë. Ky dukej se po e shfletonte shpejt, kur pa se gati në çdo faqe ishte vënë një mexhite. U ngrit serioz e dha prerë vendimin: “Filan fisteku lirohet nga burgu!…”. Dhe ktheu fytyrën nga xhandari paditës i kallkanosur në sallë dhe ngriti zërin: -Me këtë nen që paska gjetur i pandehuri në “Kuran”, menderos jo vetëm mustaqet e tua, por edhe të mijat !…