Kalaja: Protestë para Kryeministrisë, nëse s’ka zgjidhje deri të premten

    477
    Sigal

    “Furgonat” paralajmërojnë qeverinë, protestë në të gjithë vendin nëse nuk hiqet vendimi

    Në rast se qeveria nuk tërheq vendimin e marrë mbi transportin e shërbimit 8+1, Shqipëria do të njohë protestën më të madhe të këtyre 23-viteve demokraci. Kështu ka deklaruar kreu i sindikatës së pavarur, Gëzim Kalaja, nga Elbasani ku ishte i pranishëm në mbështetje të protestës së nisur nga drejtuesit e furgonëve. Kalaja ka paralajmëruar një protestë të taksive 8+1 para Kryeministrisë. Protesta pritet të zhvillohet ditën e premte edhe në qytetet e tjera. Sipas Kalasë, “urat e bashkëpunimit të drejtuesve të taksive 8+1 me qeverinë kanë mbarur. Të premten në qytetet kryesore do të protestohet për 1 orë. Nëse nuk ka zgjidhje deri të premten do protestojmë edhe para Kryeministrisë”, -tha ai.

    Në takimin e organizuar në Elbasan merrnin pjesë përfaqësues të sindikatave nga të gjitha rrethet e vendit, të cilët sërish kërkuan shfuqizim të vendimit. Kalaja, komentoi më tej se me rregullat e reja janë penalizuar 20 mijë punonjës të këtij shërbimi, ndërsa shtoi se, “Qeveria të mos na imponojë protesta”.

    Protestat

    Masa e menjëhershme për ndalimin e qarkullimit të furgonave si mjete të transportit publik interurban nga qeveria për rritjen e sigurisë rrugore, ka sjellë edhe reagimin me anë të protestave nga ana e drejtuesve të furgonave. Fillimisht, protestat e drejtuesve të furgonave kanë nisur si shkak i moslejimit nga ana e tyre të marrjes së pasagjerëve në kthim si dhe kundër konkurrencës së pandershme. Kjo protestë ka kapluar qytetin e Korçës, Pogradecit dhe Elbasanit. Shoferët kanë kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës nga ana e Ministrisë së Transporteve. Që në fillimet e kësaj proteste shoferët e furgonave kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestave nëse nuk do të gjenin zgjidhje. Protesta e drejtuesve të furgonëve 8+1 kundër urdhrit të Ministrisë së Transporteve për moslejimin e marrjes se pasagjerëve në kthim dhe konkurrencës së pandershme u zgjerua dhe më tej në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Berat, Vlorë, Burrel, të cilët grumbullohen në sheshet përkatëse të qyteteve. Gjithashtu protestave të drejtuesve të furgonave taksi 8+1 në disa qytete të vendit i janë bashkuar edhe drejtuesit e furgonave të Tiranës. Gjatë protestës së zhvilluar në Sauk, ata kanë kërkuar heqjen e ndalimit të kthimit me pasagjerë, si dhe të luftohet informaliteti e konkurrenca e pandershme. “Puna jonë është bllokuar prej ditësh. S’duhej marrë kjo masë, ne i plotësojmë kushtet Kjo masë drastike kthen në monopol transportin”, thonë ata. Nëse qeveria nuk u kthen përgjigje, ata kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta të përditshme në të gjithë vendin.

     Transporti i autobusëve, tashmë një makth për qytetarët

     Një sistem i mirë i transportit publik është thelbësor për zhvillimin urban. Për shumicën e shtetasve shqiptarë, transporti urban publik është i vetmi mjet i mundshëm për të shkuar në punë, shkollë apo qendra mjekësore e tregtare. Me sa duket, pezullimi i transportit të furgonave ka sjellë një gjendje katastrofike në të gjitha qytetet e vendit, veçanërisht për atë të Elbasanit. Ditën e djeshme, pas pezullimit të kalimit në autostradë dhe rikthimit në rrugën e vjetër të Kërrabës, udhëtarëve u duhej të prisnin me orë të tëra ardhjen e autobusit, që shumicën e rasteve vinte gjysmë i mbushur në stacion. Kjo pasi, me sa duket, njerëzit i kanë mësuar herët manovrat për të shpëtuar nga kjo peripeci dhe e presin autobusin në hyrje të qytetit. Madje, autobusët mbushen përplot duke shfrytëzuar dhe hapësirat në mes, sikur të ishin duke transportuar mall. Ditën e djeshme u krijua një situatë kaosi në stacionin e urbanit në Elbasan, ku qytetarët dyndeshin dhe rendnin nga një cep i rrugës në cepin tjetër për të kapur të parët urbanin. Mes shiut që nuk ndalej dhe erës së Krastës, shumicës së qytetarëve që prisnin në stacion iu desh plot tri orë për t’u nisur për në Tiranë. Në këtë katrahurë të krijuar, shumë prej tyre, u larguan pa një shpresë, duke humbur kështu ditën e punës apo dhe të shkollës. Sigurisht, ky rast nuk kishte se si t’u shpëtonte nga duart taksistëve, të cilët vërtiteshin rrotull me një çmim bilete të majmë. Por, ajo çka ishte më skandaloze, ishte fakti që persona civilë, të cilët me makinat e tyre personale shfrytëzonin rastin, duke u hequr si taksistë. Kësaj situate sa skandaloze aq edhe qesharake, nuk i munguan dhe talljet e shoferëve, të cilët bënin ecejaket e tyre me automjet, sikur donin të thonin se, erdhi dita jonë. Por, kjo gjendje nuk i përket vetëm rastit të djeshëm, pasi e njëjta gjë ndodh tashmë prej ditësh, madje edhe në stacionin e nisjes në Tiranë. Radhët e gjata në stacion të sjellin në mendje radhët e qumështit dikur. Shqiptarët, si gjithmonë kanë shpejtuar të gjejnë një zgjidhje dytësore. Tashmë duhet të kesh një “mik” për të siguruar një vend në autobus, që kur të vijë ai i radhës, të dëgjosh emrin tënd të thirret. Kësaj situate nuk i kanë munguar dhe debatet mes pasagjerëve dhe shoferëve, pasi këta të fundit nuk janë aspak të kujdesshëm në timon, kjo edhe pas aksidenteve të fundit që çuan në pezullimin e furgonave. Për fat të keq, gjendja aktuale e shërbimit të transportit publik me autobusë nuk i përmbush si duhet nevojat për lëvizje të popullatës, në pikëpamje të shpejtësisë, cilësisë dhe komoditetit. Qeveria duhet të marrë masa menjëherë për zgjidhjen e kësaj çështje, pasi gjendja e transportit po vjen duke u përkeqësuar.

     Klara Çaushi