Kadri Alia: Akuzat e Albert Rekës janë të pabaza dhe të nxitura

    94

    INTERVISTA/ Flet Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë, Kadri Alia

    Para disa ditësh, në një intervistë të bërë me jetimin shkodran Albert Reka, ish-anëtar i Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë (dega Shkodër), i dorëhequr, midis të tjerave ai denoncon z. Kadri Alia për shpërdorime të fondeve. Në takimin që mora me z. Kadri Alia, ai shprehet se i përgënjeshtron të gjitha akuzat, duke sjellë në dispozicion, preventivat, dokumentet, faturat, për të gjitha aktivitetet ku z. Reka e akuzon, duke e përgënjeshtruar këtë deklarim të tij.

    Z. Alia, si qëndron e vërteta për akuzat e z. Albert Reka?

    Që me marrjen e mandatit si Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë dhe deri më sot, jam kontrolluar çdo vit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga Auditi i Ministrisë së Financave. Kjo edhe për të kontrolluar të ardhurat vjetore, pasi të ardhurat tona, janë më shumë se buxheti i Shtetit, pasi na sponsorizojnë biznese të ndryshme në raste aktivitetesh dhe festash. Po të lexoj konkluzionet e  fundit të auditit “…Në përfundim të kontrollit, arrijmë në përfundim se Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë kryen jo vetëm një punë të dobishme dhe frutdhënëse, për këtë kategori sociale në Shqipëri, por  dhe zbaton me korrektësi, rregullat e funksionimit, të administratës si dhe të aktiviteteve ekonomike duke funksionuar sipas rregullave dhe normave për shpenzimet….”. Unë kam 3 mandate dhe kam dalë në mënyrë.

    Një nga akuzat është se keni shpërdoruar në festën e 20 Majit, para dy vjetësh, ku thuhej “se ishin vetëm 20 fëmijë jetimë, ndërsa të tjetrët ishin fëmijë shkollash”. Si qëndron e vërteta?

    Nën kujdesin e z, Xhozefina Topalli, atëherë Kryetare e Kuvendit, ne bashkëpunuam (siç bashkëpunojnë shoqata të tjera të fëmijëve jetimë me institucione të ndryshme) që fëmijët jetimë në këtë ditë feste, të ndihen më të përkrahur, të solidarizuar, më të rrethuar me dashuri, të ndihen të përkrahur edhe nga insitucionet shtetërore. Për të qenë më të solidarizuar, për të qenë një ditë mes fëmijëve me prindër, znj. Topalli urdhëroi që në atë ditë të vinin dhe nxënësit e një shkolle 9-vjeçare, të cilët u ulën në lozhë. Gjithë fëmijët jetimë që ishin, plot 1028 veta, nga shumë qytete të Shqipërisë, ku vepron Shoqata jonë, ishin ulur, në pjesën e përparme të sallës së Pallatit të Kongreseve, ku dallohen nga filmimet shumë lehtë. Vetëm nga Shkodra ishin 80 fëmijë jetimë. Në këtë ditë, ne u ndamë shumë dhurata dhe nga një mijë lekë të reja. Gjithë preventivi është i dokumentuar (tregon Urdhrin për shpenzimet dhe preventivin e firmosur nga grupi i punës), ku ne në planin tonë e kemi saktësuar që do jepen nga një mijë lekë për çdo fëmijë. Janë hequr të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe nga një pako për çdo fëmijë, veç ushqimit. Ndërsa për 41 mijë euro, që ne na ka dhuruar Mbretëria e Arabisë Saudite, janë dhuruar në bazë të tre Projekteve qe ne kemi aplikuar. Kur bëhet fjalë për Projekte, aty kemi të detajuar, çdo shpenzim, pasi ndryshe, kurrsesi nuk mund të lëvrohen lekët. Një nga këto projekte ishte për ditën e 20 Majit, për drekën, pakon, udhëtimin e fëmijëve. Projekti i dytë ishte për Kurban Bajramin (Ramazanin), ku janë shpërndarë ushqime dhe kryesisht mish. Dhe Projekti i tretë ishte për pushime një javore në Strugë për 50 fëmijë, ku i gjithë aktiviteti është i filmuar dhe ndodhet në You tube.

    Ndër të tjera, z. Reka thekson se ju çdo vit merrni nga shteti 3 milionë lekë që përdoren nga stafi për rroga apo shpenzime administrative?

    Ne jemi pesë shoqata që investohemi nga shteti, për veprimtarinë tonë. Midis të tjerave, janë Shoqata e të Verbërve, paraplegjikët etj… Ne të gjitha këto fonde i përdorim, për takime, për sallat, për telefonat, për fakset, për shërbime, lëvizje, etj. Ne nga shteti, në vitet 1993-2000 kemi marrë 70 mijë lekë, nga viti 2000-2010 kemi marrë 100 mijë lekë. Ndërsa vetëm në vitin 2012, kemi marrë  180 mijë lekë. Të gjitha këto janë përdoruar për sa thamë më lart. Pra, asnjëherë  s’kemi marrë 3 mijë lekë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk na ka kapur asnjë shkelje. Ndërsa për Festën e vitit 2013, pra më 20 Maj, për shkak të mungesës së fondeve, Vodafon organizoi një takim në Pedonalen e Tiranës, nën kujdesin e Shoqatës tonë, me 600 fëmijë jetimë, prej të cilëve 400 ishin nga Tirana dhe të tjerët nga Kruja, Durrësi dhe Laçi. Pra pjesëmarrja ishte shumë e vogël në krahasim me vitet e tjera. Çdo shpenzim u hoq nga Vodafon. Me këtë dua të them se, akuzat e z. Reka janë të pabaza, ato janë të nxitura, të cilat i përgënjeshtroj dhe jam i hapur për çdo kontroll në lidhje me fondet e shoqatës.