Ja si kërkon ta marrë titullin “Profesor” bashkëshorti i Rektores së Mjekësisë

    688
    Sigal

    Nepotizëm në 30 % të punësimeve në Universitetin e Mjekësisë. Të inspektohet nga Bordi i Akreditimit dhe Vlerësimit pranë MAS!

    Po bëhet plot një vit që nga krijimi i Universitetit të Mjekësisë me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 48, datë 23.1.2013 “Për krijimin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”. Po çfarë risie solli krijimi i këtij universiteti, të cilën vetë Kryeministri Rama e ka komentuar si “një sajesë elektorale”? Deri më tani, ky universitet ka qenë burim konfliktesh, skandalesh, aferash korruptive, por dhe punësimesh nepotike. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore dhe institucionale të krijimit të tij dhe është strukturuar në mënyrë antiligjore, në kundërshtim me parimet europiane të lirisë akademike, të sanksionuara në Kartën e Bolonjës. Bordi i Akreditimit dhe Vlerësimit pranë MAS, në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, duhet të kryejë një inspektim të menjëhershëm, për t’u siguruar nëse ky universitetet kryen veprimtarinë në pajtim me Ligjin për Arsimin e Lartë, me politikat e tjera qeveritare dhe rregulloret në fushën e menaxhimit institucional dhe sistemet e sigurimit të cilësisë. Ky hap duhet ndërmarrë edhe pse vetë ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla e ka konfirmuar mosshkrirjen e Universitetit të Mjekësisë gjatë një debati me ish- ministrin Tafaj në Komisionin e Edukimit, ku po diskutohej buxheti për MAS. “Ne, thjesht, kemi shqyrtuar ankesën e profesoratit të Universitetit të Mjekësisë, por ne nuk kemi si qëllim shkrirjen e këtij universiteti”, është shprehur ministrja Nikolla. Edhe pse të gjithë studentët e Universitetit të Mjekësisë, si të interesuar të drejtpërdrejtë për fatin e diplomave të tyre, kanë kërkuar me anë të një peticioni, nga të gjitha dikasteret përkatëse shkrirjen e këtij universiteti; edhe pse profesorati, në një numër të konsiderueshëm, i këtij universiteti është pro shkrirjes së tij; edhe pse vetë Kryeministri Rama ka paralajmëruar rishikimin e vendimit për formimin e Universitetit Mjekësor, të cilën e cilësoi si vendim politik, ky universitet apo, më saktë, kjo katrahurë qëndron ende në këmbë.

     Punësimet nepotike

    Rreth 30 % e punësimeve në administratën e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, janë të afërm të Rektores dr. Jera Kruja. Burime konfidenciale thonë për gazetën “Telegraf” se, një prej tyre është dhe bashkëshorti i vetë Rektores, i cili kërkon në mënyrë “tinëzare” të marrë titullin “Profesor” nën logon e Fakultetit të Infermierisë, ndërsa jep mësim në Fakultetin e Mjekësisë. Skandali i punësimeve në këtë universitet dhe në shkelje të hapur me ligjin për arsimin e lartë zë fill që me rekrutimin e plot 120 pedagogëve të rinj nga qeveria “Berisha” në prag të zgjedhjeve pa zhvilluar konkurs.

    Vendimi mban numrin 410 dhe i përket datës 18 prill 2013. Me këtë vendim shmanget punësimi me konkurs dhe qeveria kalon personelin e Qendrës Spitalore Universitare në pjesë akademike të Universitetit të Mjekësisë Tiranë. Në shtesën që i është bërë vendimit numër 8 të 23 janarit të 2013-s “për krijimin e Universitetit të Mjekësisë”, qeveria e kryeministrit Berisha ka dalë në kundërshti të plotë me ligjin e arsimit të lartë, i cili përcakton zgjedhjen e pedagogëve përmes konkursit. Në këtë rast qeveria e ikur ka përcaktuar dhe kriteret për të punësuar një pedagog në Universitetin e Mjekësisë, duke i lënë kështu një shteg të hapur dr. Krujës për nepotizëm në punësime.

     Situatë e rëndë në Fakultetin e Mjekësisë

    Pasojat e keqmenaxhimit në Universitetin Mjekësor të Tiranës kanë marrë ngjyrime makabre. Shpenzimet pa kriter nga ana e Rektoratit kanë bërë që të grabitet gjithë fondi i Fakultetit të Mjekësisë, prej rreth 140 milion lekësh, i destinuar për investime dhe kërkim shkencor. Sipas denoncimit në media të fenomenit, para dy muajsh, nga dekani i fakultetit të Mjekësisë prof. Bajram Hysa, dyshohet se Rektorati i UMT ka shpërdoruar fondet dhe se po vepron në shkelje të Ligjit të Arsimit të Lartë, përderisa të ardhurat e Fakultetit të Mjekësisë, që vijnë nga tarifat e regjistrimit të studentëve e specializantëve, janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme, pa marrë mendimin e Dekanatit dhe të Këshillit të Fakultetit. Ndërsa duhet një auditim nga MASH, për të mësuar se ku kanë përfunduar fondet. Në këto kushte situata financiare e fakultetit është tepër e vështirë në këtë vit akademik, duke e çuar këtë institucion arsimor drejt falimentit. Jo vetëm që nuk po flitet më për investime e kërkim shkencor, por shumica e pedagogëve vazhdojnë të mos paguhen për muaj të tërë.

     Pagesa paraprake e tarifave të shkollimit

    Universiteti i Mjekësisë ka urdhëruar parapagimin e tarifës vjetore për të mbushur buxhetin e universitetit. Tarifat e shkollimit, që përbëjnë të ardhurat dytësore të fakulteteve, paguhen çdo vit në janar dhe nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë për Fakultetin e Mjekësisë studentët i kanë paguar, ndërsa urdhri i Rektores Jera Kruja, i detyroi këta studentë që ta paguajnë këtë tarifë brenda vitit (2013), pra, të paguajnë 2 tarifa shkollimi brenda vitit akademik, gjë që i ngarkoi studentët dhe specializantët, si dhe familjet e tyre me një tarifë të pajustifikuar.

     Nuk njihen diplomat e studentëve të mjekësisë

    Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë firmosur një peticion, ku argumentojnë arsyet pse kërkojnë shkrirje të këtij universiteti. Me kryesorja është mosnjohja e diplomës në vendet e Bashkimit Europian, që pas kalimit nga fakultet në universitet. Universiteti i Mjekësisë, sipas studentëve është një institucion që as njihet në BE, por edhe që nuk plotëson as kushtet më minimale, nuk ka një logo, infrastrukturë, kurrikula apo edhe staf pedagogjik. “Diplomat tona në BE nuk po njihen. Kur më përpara ishim pjesë e Universitetit të Tiranës na mjaftonin 3 provime për ta konvertuar këtë diplomë, sot nuk mundemi ta konvertojmë, sepse nuk na e njohin. Në rankingun botëror, si universitet i sapokrijuar, jemi në vendin e 37 mijë. Është absurde që ne duhet të jemi pjesë e një strukture, të pamenduar mirë”- tha një student. “Është ngritur një universitet fantazmë. Jemi Universiteti Mjekësor i Tiranës, po ku jemi? Studentët e mjekësisë janë të mendimit për rikthimin e Fakultetit të Mjekësisë si pjesë e Universitetit të Tiranës dhe shkrirjen e Universitetit të Mjekësisë.

     Këshilli i Administrimit

    Në Ligjin për Arsimin e Lartë, Neni 16 për Këshillin e Administrimit në pikën 4 dhe 5, thuhet se “Këshilli i administrimit përbëhet nga: a) anëtarë të personelit akademik, së paku me gradë shkencore, të zgjedhur drejtpërdrejt nga personeli akademik i çdo njësie kryesore të institucionit; b) anëtarë të caktuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues nga fushat e shkencës, ekonomisë, kulturës, autoritete të pushtetit qendror dhe vendor; c) një anëtar, përfaqësues i zgjedhur nga këshilli i studentëve të institucionit. 5. Anëtarët, sipas shkronjës “b” të pikës 4 të këtij neni, caktohen dhe shkarkohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës”. Kjo strukturë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë është një strukturë fantazmë, në kundërshtim me ligjin e lartëcituar, pasi anëtarët e saj nuk e plotësojnë kushtin e gradave shkencore. Këshilli i administrimit është një strukturë politike e qeverisë “Berisha”, e përbërë nga këshilltari i ish Kryeministrit Berisha, ish zv/ministri i Financave, njerëz të besuar të ish- ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, pra nga njerëz të politizuar. Dhe për më tepër, sipas burimeve të besuara, këta njerëz kanë ndërhyrë deri në dhënien e fondeve buxhetore duke ia pakësuar Fakultetit të Mjekësisë dhe duke i kaluar për interesa të pagesës të militantëve të qeverisë së mëparshme dhe të universitetit të ri, që është një strukturë politike.

     Universiteti i Mjekësisë, jo funksional

    I sunduar nga mediokriteti profesional dhe profanizmi politik, duke provokuar skandale dhe duke iu larguar prirjes dhe misionit të tij si farkëtues i së ardhmes dhe forcë e rëndësishme në krijimin e dijes dhe formimit shkencor, Universiteti Mjekësor i Tiranës, i themeluar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 48, datë 23. 01. 2013, nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe institucionale të krijimit të tij. UMT ka komprometuar rëndë misionin e tij të lartë e parësor, ndaj organet mbikëqyrëse nuk duhet të lejojnë të vazhdojë të shkelet ligji, duke dëmtuar mirëfilli cilësinë dhe aktivitetin normal të Fakultetit të Mjekësisë. Ky universitet ka dështuar fund e krye, pasi nuk përfaqëson interesat autentike të dijes dhe kërkimit shkencor, por ushqen e miklon interesat e një klani të ngushtë dhe si i tillë nuk ka më asnjë rol shoqëror e publik. Si rrjedhojë kemi një institucion të arsimit të lartë mjekësor hermetik, të politizuar dhe krejtësisht jofunksional. Universiteti Mjekësor i Tiranës është një strukturë, e cila nuk mund të qëndrojë dhe të rezistojë në këtë gjendje. Ai ose duhet të kthehet në stadin që ka qenë, te Fakulteti i Mjekësisë dhe Infermierisë, të cilët janë shkëputur arbitrarisht, pa një vendim të Senatit të Universitetit të Tiranës, ose të riorganizohet në bazë të standardeve të reja. Në shumë vende europiane me traditë qindravjeçare, universitetet synojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, të bashkohen dhe të ndërtojnë kampuse të përbashkëta, pasi disiplinat janë aq të përafërta, saqë ndarja është e panevojshme.

    – Aferat dhe lidhjet e biznesit të ministrave të linjës me drejtuesit e Mjekësisë

    -Nepotizëm në 30 %  të punësime në Universitetin e Mjekësisë

    – Rektorja e Universitetit të Mjekësisë e emëruar, jo e zgjedhur

    – Universiteti i Mjekësisë grabit fondin e Fakultetit të Mjekësisë, prej rreth 140 milion lekësh

    – Universiteti i Mjekësisë në vendin e 37 mijë në rankingun botëror të universiteteve

    – Këshilli i Administrimit, strukturë fantazmë në Universitetin e Mjekësisë

    – Universiteti i Mjekësisë, jo funksional dhe krejtësisht i politizuar