Ja detajet e pagesës së rentës minerare sipas udhëzimit

    559
    Sigal

    Ministria e Financave/ Udhëzimi Nr. 8/2, datë 23.8.2013 Për një ndryshim në Udhëzimin Nr. 26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar

    Në zbatim të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar Ministri i Financave udhëzon: Në udhëzimin nr. 26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, pika 2.4.1 ndryshohet si më poshtë vijon:

    “2.4.1

    I) Në rastin kur zotëruesi i lejes së shfrytëzimit eksporton mineralin që ai ka nxjerrë nga nëntoka apo nënproduktin e prodhuar nga ky mineral, ai paguan taksën e rentës minerare në çastin e bërjes së deklaratës doganore. Pagesa mbi të dhënat e deklaratës së eksportit bëhet pranë degëve doganore ku kryhen procedurat e eksportimit nga subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit.

    Shembull 1

    a) Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit eksporton mineralin që nxjerr nga nëntoka të papërpunuar.

    Në këtë rast renta minerare përcaktohet duke shumëzuar vlerën totale të shitjes me shumicë të mineralit që eksportohet (që është vlera e deklaruar në faturën e shitjes në bazë të çmimeve të eksportit me TVSH-0 dhe ku çmimi i shitjes në eksport kupton çmimin FOB Shqipëri), me përqindjen e rentës dhe konkretisht sa më poshtë:

    Në subjekt, zotëruesi i lejes së shfrytëzimit të mineralit të kromit, nxjerr nga nëntoka dhe eksporton të papërpunuar një sasi minerali kromi prej 5000 tonësh. Për këtë sasi minerali që eksporton ky subjekt paguan rentën vetëm në doganë dhe detyrimi për rentën llogaritet me formulën e mëposhtme:

    R = sasia e mineralit të eksportuar në ton x çmimi i eksportit x % e rentës = 5000 tonë x çmimi i eksportit të mineralit të kromit x 6% (përcaktuar në shtojcën nr. 2 të ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar).

    b) Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit, mineralin e nxjerrë nga sipërfaqja/nëntoka e përpunon më tej duke prodhuar nënprodukt të cilin e eksporton vetë.

    b.1 Në rastin kur për mineralin e përfshirë në nënprodukt, ekziston një çmim tregu, detyrimi për rentën llogaritet si më poshtë:

    R = sasia e nënproduktit që eksportohet x e normativat teknologjike të mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit x çmimet e tregut të mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit x përqindja e rentës së mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit dhe konkretisht:

    P.sh.: Një subjekt, i cili zotëron leje shfrytëzimi të gurit gëlqeror (paralelisht dhe prodhues çimentoje) ka prodhuar me gurin gëlqeror që ai ka nxjerrë vetë 250 tonë çimento të bardhë, të cilën e eksporton gjithashtu vetë. Renta në këtë rast llogaritet dhe paguhet mbi vlerën e gurit gëlqeror të përdorur për prodhimin e 250 tonë çimentoje sa vijon; renta = 250 tonë x 1.6 x 716 x 5% = 14320 lekë;

    Subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit paguan pranë degës doganore ku bëhet zhdoganim i çimentos së bardhë rentën 14 320 lekë.

    Vlera e gurit gëlqeror, mbi të cilën llogaritet renta (250 tonë x 1.6 x 716) vetëdeklarohet nga subjekti. Në çdo rast për llogaritjen e detyrimit të rentës merret vlera më e lartë ndërmjet vlerës së vetëdeklaruar nga subjekti eksportues dhe vlerës referuese të zbatuar nga autoriteti doganor.

    Normativat dhe vlerat referuese për llogaritjen e rentës përcaktohen në raportin e komisionin ADHOC.

    b.2 Në rastin kur për mineralin e përfshirë në nënprodukt, nuk ekziston një çmim tregu, detyrimi për rentën llogaritet si më poshtë:

    Për llogaritjen e rentës fillimisht përcaktohet vlera e mineralit të përfshirë në nënprodukt në përputhje me metodikat e miratuara për këto raste (Raporti i Komisionit AD-HOC) sa më poshtë:

    V = vlera totale e shitjes së nënproduktit që eksportohet në bazë të çmimeve të eksportit x koeficientin që merr në konsideratë kostot e përpunimit dhe fitimin x normativat e mineralit për prodhimin e një njësie nënprodukti nga ku:

    V – është vlera e mineralit të përfshirë në nënproduktin e prodhuar, mbi të cilën llogaritet detyrimi për rentën dhe ku për mineralin nuk ka një çmim tregu dhe konkretisht:

    P.sh. Nëse një subjekt zotëruesi i lejes së shfrytëzimit të mineralit të bakrit (paralelisht dhe prodhues koncentrati) me mineralin që ka nxjerrë vetë nga nëntoka, ka prodhuar koncentrat bakri të cilin gjithashtu e eksporton vetë. Duke supozuar se sasia e koncentratit të prodhuar është 1000 tonë bazuar në formulën e mësipërme, përcaktohet vlera e mineralit të bakrit të përdorur për prodhimin e kësaj sasie koncentreati bakri për:

    V = 1000 ton x 137.666 x 0.0625 = 8604.124 lekë. Kjo vlerë vetëdeklarohet nga subjekti.

    Në çdo rast për llogaritjen e rentës merret vlera më e lartë ndërmjet vlerës së vetëdeklaruar nga subjekti eksportues dhe vlerës referuese të zbatuar nga autoriteti doganor.

    Normativat e mineralit të bakrit të përdorur për prodhimin e nënproduktit në fjalë, si dhe koeficientët për njësi minerali, përcaktohen në raportin e komisionit AD-HOC, ndërsa çmimet e koncentratit janë çmimet e tregut në bursë.

    Për përcaktimin e detyrimit për rentën vlera e mineralit llogaritur sa më sipër shumëzohet me % e rentës përcaktuar në shtojcën nr. 2 të ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar dhe konkretisht:

    Renta = 8604.125 x 6% = 516.2475 lekë.

    Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit të mineralit të bakrit paralelisht dhe prodhues dhe eksportues i koncentratit të bakrit paguan rentën 516.2475 1 lekë vetëm në doganë në momentin e zhdoganimit të koncentratit të bakrit.

    II. Nëse subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit eksporton mineralin e nxjerrë nga miniera apo nënproduktin e prodhuar nga ky mineral, nëpërmjet një subjekti tjetër të vetëm eksportues, renta, në këtë rast, paguhet si nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit, ashtu edhe nga eksportuesi. Renta, për produktin e shitur brenda vendit (mineral apo nënprodukt), paguhet nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit pranë drejtorisë rajonale tatimore ku subjekti është i regjistruar, ndërsa nga eksportuesi, pranë organit doganor në çastin e eksportimit të mineralit apo nënproduktit të blerë nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit.

    Llogaritja dhe pagesa e rentës në rastin kur zotëruesi i lejes së shfrytëzimit i shet subjektit eksportues produktin mineral (mineralin apo nënproduktin që ai prodhon) bëhet sipas pikës 3 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 7, datë 4.1.2012 “Për përcaktimin e procedurave dhe të dokumentacionit të nevojshëm për arkëtimin e taksës së rentës minerare”. Ky subjekt paguan rentën pranë administratës tatimore për shitjet e bëra brenda vendit të bazuar në faturat e shitjes me TVSH.

    Në momentin kur subjekti eksportues, eksporton mineralin apo nënprodukti që ka blerë nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit, ai paguan rentën minerare vetëm për diferencën ndërmjet vlerës së rentës së përllogaritur në bazë të çmimeve të eksportit që është çmimi FOB në Shqipëri dhe vlerës së rentës së paguar nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit në përputhje me pikën 3 të vendimit nr. 7, datë 4.1.2012 “Për përcaktimin e procedurave dhe të dokumentacionit të nevojshëm për arkëtimin e taksës së rentës minerare”. Renta paguhet nga eksportuesi në momentin e zhdoganimit, pranë organit doganor. Si dokument bazë për përllogaritjet e rentës që duhet të paguajë eksportuesi, shërbejnë fatura tatimore e shitjes me TVSH zero, si dhe kopja e faturës së blerjes brenda vendit, së bashku me dokumentin bankar që provon pagimin e rentës minerare për të gjithë sasinë e faturuar.

    Nëse eksportuesi nuk disponon faturën e blerjes brenda vendit së bashku me dokumentin bankar të pagesës së rentës minerare, ai paguan pranë degës doganore rentën minerare për të gjithë sasinë e faturuar në faturën tatimore të shitjes me TVSH zero.”.

    Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.