Mësuesi Jaçe Nuhu, flokëbardhi që udhëton me shkronja…!

    426
    Sigal

    PERSONAZH/ Kudo që ka shkuar e punuar, përkushtimi ndaj librit ka qenë i madh

    Ishte data 12 janar 2010, kur unë do të takoja në Tiranë, Jaçe Nuhu. Para takimit i telefonova që nga Durrësi.

    -Eja më tha,- tek kafeja pranë xhamisë të Hetem Beut atje në qendër të Tiranës, te stacioni i Tufinës takohemi. Atë ditë binte një shi i ftohtë. Atje në malin e Dajtit binte dëborë. Nga Durrësi për në Tiranë u nisa me autobusin e linjës. Mbas një ore mbërrita në Tiranë. Shiu s’na u nda gjatë gjithë rrugës. Ora shkoi 10-të e paradites. Mora rrugën drejtë qendrës së Tiranës duke ecur në këmbë anës trotuarit. Me vete nga shtëpia mora edhe çadrën e shiut. Pas disa minutash mbërrita në destinacion. Aty më priste Jaçe Nuhu. Më bëri me shenjë që nga larg me dorë.

     – Erdhe më s’fundi,-tha ai. U lodhe?!

    – Jo. Por shiu më bezdisi,- i ktheva përgjigje unë.

    Ashtu me fjalë e buzëqeshje që sillte ngrohtësi, hymë në lokal. Dha porosinë, e kamerieri nuk vonoi e na solli çaj të ngrohtë. Pastaj hymë në temë të bisedës. Në çantë Jaçia kishte disa libra.

    – I lexoj librat, se ato të japin jetë,- na thotë ai. Edhe pak vite donte e Jaçia dilte në pension pleqërie. Por librit nuk i është ndarë asnjëherë. Me librin ka udhëtuar që nga fëmijëria! Vendlindja e tij është fshati Leskovë të zonës Tomorricë – Skrapar. Ka lindur më 18.02.1947. Arsimin fillor e mbaron në vendlindje. Dëshira e tij ishte që të bëhej mësues. Një ditë i tha të atit: “A të recitoj një vjershë nga ato të Naim Frashërit?”

     -Po, more bir!,- pse jo dhe e puthi në ballë!

    – Të keqen nëna,- i tha e ëma. Mbaro së ngrëni bukë, pastaj recito!

    -Vjersha me fjalët e saj më ngopin më shumë se buka,- i kthen përgjigje ai.

    Në këtë kohë të gjithë pjesëtarët e familjes ishin grumbulluar rreth sofrës në kuzhinë.

    – Mos ia prish djalit, foli me dashamirësi përsëri i ati. Para pjesëtarëve të familjes recitoi vjershën “Bagëti e bujqësi” të rilindësit e vjershëtorit tonë të madh, Naimi! Nga zemra dilnin vetëm flatra gëzimi. Vitet iknin e Jaçia rritej më shumë së bashku me to. Kur shkonte për të mbushur ujë në çezmat e fshatit, me vete merrte edhe librin. Edhe në pushimet e verës, kur shkolla mbyllej; prapë nën hijen e ndonjë arre, do ta gjeje duke lexuar libra të ndryshëm. Në vitin 1967 mbaron shkollën pedagogjike në Berat. Kështu, ai realizon ëndrrën e tij fëminore.  Nga viti 1968 – 1970-të, jep mësim në shkollën 8-vjeçare Zhepë. Pasi kryen detyrimin ushtarak, emërohet drejtor shkolle në fshatin Dobrenj. Aty punoi nga viti 1971 deri në 1981-in. Një punë e lodhshme, por edhe fisnike për edukimin e brezit të ri. Gjatë kësaj kohe, në vitin 1979 mbaron për regjizurë në Tiranë. Kështu prej vitit 1982 deri më 1992, punon në shtëpinë e kulturës po në Dobrenj. Me zhvillimet e reja demokratike të shoqërisë shqiptare kalon përsëri në arsim, nga viti 1992 -1997. Kudo që ka shkuar e punuar; përkushtimi ndaj librit ka qenë i madh. Një njeri i thjesht e i respektuar nga të gjithë. Edhe sot, dëgjon të flitet veç fjalë të mira. Në vitin 1998, lë fshatin Dobrenj e vendoset me banim në Tiranë. Por edhe në Tiranë, nuk i ndahet librit. Ashtu me mundim, por me pasion që se lë të plaket, libri atë e rinon.

     – Epo, boll se u lodhe me këto libra! Ke një jetë të tërë, sa edhe flokët të janë thinjur!,- i tha një ditë e shoqja, Myslimia sa po ishte kthyer nga puna. Ajo punon infermiere. Edhe ajo ka një jetë të tërë në shërbim të njerëzve. Një familje intelektuale. Ata kanë tre fëmijë; një vajzë e dy djem. Vajzën e quajnë Edlira. Edhe ajo ka mbaruar pedagogjiken në Berat, në vitin 1993. Kurse Juliani ekonomikun po në Berat. Ndërsa Leonardi në vitin 2008, mbaron Filologjikun (dega histori) në Universitetin e Tiranës. Vajzën dhe njërin djalë e kanë të martuar. Jaçia e Myslimia i gëzojnë buzëqeshjet e dy nipçeve e të një mbese. S’ka gjë se vitet treten në ujërat e lumit të jetës; apo flokët e bardha mbi kokë, kur punon e tregton librin e përhap dije tek njerëzit, Jaçe Nuhu rinohet e zemra ndjen vetëm gëzim. Edhe sot ndonëse ka dalë në pension pleqërie, ai udhëton e punon me shkronjat nëpër duar të mbushura me libra të shumëllojshëm….!