Ing Ikmet Bramo/ Punonjësit e hidrocentraleve dhe pensionet mjerane

    318
    Sigal

    Nuk them mjerane, vetëm pse janë shumë të vogla. Them kështu se po të mos ishin refugjatët “shpëtimtarë” dhe “Firma Gabi”, 70-80 % e tyre do të kishin vdekur me kohë. Them kështu, se vendi ynë ka resurse shumë të mëdha dhe popullsi shumë të vogël dhe ne me të vërtetë duhet të ishim në gjendje shumë të mirë ekonomike, bile ne duhet të ishim në një gjendje më të mirë se vendet e tjera të Evropës. Them kështu, se ata që e katandisën vendin tonë në këtë gjendje, ata që i përdrodhën qafën Demokracisë së vërtetë kanë ligjëruar dhe siguruar pensione katër fish për veten e tyre. Në Shqipëri punonjësit e hidrocentraleve, kanë pasur dhe kanë dhënë kontributet më të mëdha dhe më të prekshme se çdo gjë tjetër. Lodhja, stërmundimi,  puna me orare të gjata, tensioni, presioni psikologjik, lagështia, pluhurat, gazrat e shumë faktorë të tjerë, i kanë sfilitur ata, duke u marrë edhe pjesë të konsiderueshme nga jeta e tyre. Jo shumë kohë më parë, mora pjesë në varrimin e një shokut tim, nga fshatrat e Burrelit. Ai ishte punëtor i mirë e i përkushtuar ndaj punës, shok dhe mik për të gjithë. Kishte kohë që vuante dhe mori vetëm një muaj pension. Por ka edhe më keq, sepse shumë të tjerë, nuk arritën ta merrnin kurrë. Në këtë rast, dua t’i bëj një apel qeverisë dhe qeveritarëve: “Mos abuzoni me djersën e tyre, mos rrisni më moshën e pensionit dhe rishikoni vlerën e pensionit! Vini në vend drejtësinë e asgjë tjetër!” Njëkohësisht, dua t’u bëj apel mediave. “Bëni shumë mirë, që mbroni pa reshtur problemin e ushtarakëve, por mos harroni se ky problem është shumë më i madh”. Do kisha shumë dëshirë, që ky problem të mos bjerë në vesh të shurdhër, jo vetëm për humanizëm, por edhe për faktin se, nga puna jonë shteti ka rreth 650.000 euro të ardhura në vit.