Ildize Haxhiu, 106 vjeçarja nga Vlora: Jam dëshmitare e shpalljes së Pavarësisë

    472
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet, nënë Dizi: “Nëse do të rroj deri më 28 Nëntor, Bashkia duhet të më vendosë në podium”

    Një grua e pazakontë jeton në Vlorë, jo vetëm pse kapërceu 106 vjetët, e vetmja në qytet me këtë vjetërsi, por ajo ka një memorie, që padyshim do ta fuste në Librin Gines. Mban mënd të gjitha ngjarjet, fill e për pe, gëzimet dhe brengat e jetës, por çudia shkon më tej, ku ajo reciton vjersha apo tekste këngësh deri në 50 vargje. Ildizja i lutet Zotit, që ta lërë deri më 28 Nëntor, që të shohë me sytë e saj festën e 100- vjetorit të Pavarësisë, pasi ajo është dëshmitarja e vetme okulare e asaj dite të madhe. Edhe pse në këtë moshë, nënë Dizi, sikurse i thërrasin të afërmit dhe fqinjët, ka qenë në Amerikë tek i biri, kirurgu Pëllumb Haxhiu, por brenga më e madhe është të shohë Çamërinë, vendlindjen e saj dhe varret e të parëve.

    Nga është nënë Dizi dhe çfarë kujtoni nga jeta juaj?

    Unë jam Ildize Hate Meme Haxhiu nga fshati Grikohue në Igumenicë të Çamërisë. Në pasaportë sikurse e shihni jam regjistruar më 1906-n. Nuk e di nëse më kanë rritur në moshë, por di të them me siguri se unë jam martuar 17 vjeçe. Jam larguar nga Çamëria më vitin 1944, kam lindur 11 fëmijë, 4 djem e 7 vajza. Më kanë vdekur fëmijë, por dhimbja më e madhe është masakra e grekut ndaj popullsisë çame dhe largimi nga vendlindja. Në vitin 1944 na larguan nga vendlindja dhe fisi ynë u vendos 6 muaj në Fier dhe më pas në Vlorë, ku jetojmë edhe sot. Ika me dhimbje, sepse atje lashë dy varret e vajzave 4 vjeçe, që ishin binjake dhe i kam varrosur në Bodak. Jam e bindur që vajzat, që më vdiqën këtu, Zylo dhe Bare, i morën mësysh. Nuk ishin sëmurë, vdiqën papritur dhe ja si ka ndodhur. Në shtëpi erdhi një grua bëri muhabet dhe kur u largua më ikën vajzat. Vjehrra më kish vënë emrin vajzës sime, Zylo jashtë dëshirës sime. Ajo kish pasur 7 vajza dhe asnjëra nuk i jetoi. Në fakt nuk e dëshirova atë emër se pata merak mos nuk më rron vajza dhe ashtu ndodhi. Ikën kot dhe kjo është një ndër brengat e mia si nënë.

    Je dashuruar me bashkëshortin, që linde kaq shumë fëmijë?

    Ku kishte dashuri atëherë? Jam martuar me shkesë, me hoxhë. Duhet të dish që në Çamëri vajza kur mbushte 12 vjeçe, nuk dilte nga shtëpia. Mua më fejuan 16-vjeçe dhe 17 u martova. Erdhën njerëzit e burrit dhe më kërkuan dhe fjala u dha menjëherë. Nuk kish atëherë gjendje civile, por firmoste hoxha. Fati më ra që ta kisha burrin shumë të bukur, por ç’e do, u nda prej meje kur ishte 67 vjeç, i ri fare, kurse unë rroj akoma, kalova shekullin. Kam plot fëmijë, nipër e mbesa stërnipër e stërmbesa, por vendin e tij nuk e zë askush, as të gjithë bashkë.

    Mund të flisni për fëmijët tuaj?

    Kam 5 fëmijë. I madhi është Shaqiri që mbushi 85 vjeç, jeton tek pesëkatëshi afër bashkisë. Ka qenë ndihmësmjek ushtarak dhe na ka nderuar me punën dhe emrin e tij. Djali tjetër quhet Zenel, punon në elektrik, Pëllumbi është doktor, por fluturoi në Amerikë, atje banon. Në spitalin e Vlorës ka punuar 24 vjet. Në qershor mbush 62 vjeç. Kam edhe dy vajzat, Sanien, me të cilën jetoj dhe të voglën Ruson, që mbushi 57 vjeç. Kam 14 nipër e mbesa dhe po kaq stërnipër e mbesa. I dua të gjithë njësoj, nuk bëj dallime, por këtu jetoj me djalin e vajzës, Artur Metaj. Shpirtin e kam tek ky stërnipi, Donaldi, që sapo, mbushi 15 vjeç dhe bashkë festuam ditëlindjet.

    Sillni në kujtesën tuaj ndonjë luftë?

    Më është ngulitur në kokë lufta me grekun, që na shkaktoi dhimbje të mëdha. Na përzuri duke lënë pas rrëke gjaku. Ishte viti 1944. Ikëm me dhimbje më vranë Nuron, burrin e kunatës, e therën me thikë në shtëpinë e tij. Edhe Estrefin e vranë familjarisht me sëpatë. Kur erdha në Shqipëri, lufta po mbaronte. Ne erdhëm në korrik, çlirimi u bë në nëntor.

    Vajza jote e vogël, Ruso, më tha që keni shkuar në Amerikë dhe keni vizituar Shtëpinë e Bardhë?

    Po kam qenë, ndenja 1 vit e gjysmë. Kam bërë bashkim familjar, por u shkëputa, pse operova tëmthin, isha 97 vjeçe kur bëra operacionin dhe doli shumë mirë. Amerika nuk është për pleqëri. Duhet të dish gjuhën, në rast të kundërt je si gur varri. Kisha një shoqe atje, e huaj ishte, por nuk shkëmbyem një fjalë, nuk u morëm vesh nga ishte dhe nga isha. Si mund të mos shihja Shtëpinë e Bardhë, Pallatet e kongreseve. Jam gati edhe sot t’i hipi avionit dhe të shkoj përsëri, po të më jepet mundësia të takoj Obamën.

    Nipërit na thanë se ke kënduar bukur. Po tani këndoni?

    Pse kam qenë edhe jam, unë rroj dhe këndoj, këndoj edhe tani që çke me atë punë. Në Çamëri ma bënin me gisht si këngëtare, ndërsa tani këndoj këngët e heronjve.

    Sa vite të tjera, do të dëshironit të jetonit?

    Shpesh ju them të afërmeve, që mua më ka harruar Perëndia. Jeta duhet, është e dhimbsur, por është e dhimbshme të jetosh mbi një shekull kur ke varrosur fëmijët, burrin. Ne jemi fis që jetojmë gjatë. Prindërit më kanë vdekur në moshën 84 vjeç, vdiqën dhe u varrosën në Tiranë, ndërsa nga i gjithë fisi, madje më kanë thënë që edhe në Vlorë, jam e vetmja që po jetoj kaq gjatë.

    Si e kalon ditën nënë Ildizi?

    Unë ngrihem në 8 të mëngjesit dhe fle në orën 12-të, të natës. Dua të bëj punë, por nuk më lë nusja e nipit. Për hir të së vërtetës dua të them se nuk kam punuar kurrë dhe prej 45 vjetësh marr pensionin e burrit, që është në shumën 85 mijë lekë të vjetra. Ka punuar në ullishte, u stërmundua dhe nuk u rehatua, nuk e gëzoi. Çfarë të bësh kjo është jeta, nuk e kemi ne në dorë.

    Pengjet e nënë Ildizit

    Një jetë kaq e gjatë ka shumë pengje, por nuk do të më tresë dheu, nëse nuk shkoj njëherë në Çamëri, të shoh shtëpinë, ku kam lindur, ku jam martuar e kam lindur fëmijë, të shoh varret e vajzave. Unë kisha vizë që të shkoja në Amerikë, por nuk mund të shkoj më vendlindje. Kjo është një padrejtësi e madhe. Peng do të më mbetet edhe nëse nuk arrij të jetoj deri më 28 Nëntor, që është 100- vjetori i Shpalljes së Pavarësisë. Jam dëshmitare okulare, kujtoj si sot ditën kur Ismail Qemali dhe burrat e tjerë, ngritën flamurin në Vlorë. Nuk besoj të ketë ndonjë dëshmitar tjetër, ndaj, nëse rroj, kryetari i bashkisë duhet të më vendosë në podium të festës.