A është Majkëll Felps, sportisti më i mirë i të gjitha kohërave?

639
Sigal

Olimpisti më i titulluar në botë, megjithatë ka pasur më pak impakt se Xhes Ouens në vitin 1936

Notari Majkëll Felps është sportisti me më shumë medalje i të gjitha kohërave, të fituara në Lojërat Olimpike. Felps deri tani në tre paraqitje të tij – Athinë, Kinë dhe Londër – ka fituar 19 medalje në total, duke qenë ai më i miri i historinë e 30 Lojërave Olimpike. Por a është amerikani, sportisti më i madh i të gjitha kohërave? Kjo pyetje shtrohet gjithandej. Lordi Sebastian Koe, presidenti i “Locog”, Komiteti Organizator për Olimpiadën “Londër 2012” shkon kundër rrymës. “Nuk jam i sigurt që, mund të them se ai është më i madhi. Mund të përmendja një seri emrash si Stiv Redgrejv, Delej Tompson, por dhe ajo që ka bërë Xhes Ouens në vitin 1936 në Berlin ishte e jashtëzakonshme, madje dhe Nadia Komaneshi ka bërë gjëra të pabesueshme”. Larisa Latinina, tashmë 77 vjeçe, që deri dje ndante vendin e parë me Felpsin, ka fituar 18 medalje, dha mendimin e saj. “ E pashë garën e djeshme (të së martës) me shumë qetësi. Felps është një sportist shumë i talentuar dhe i zoti, – komentoi ajo. – Theu rekordin tim, por në nivelin e femrave askush nuk do t’ia arrijë për shumë kohë. Rekordi im rezistoi 48 vjet, përpara së të thyej”. Të martën, Felps theu rekordin e fundit që i mungonte, atë të numrit në total të medaljeve, duke qenë ai kampioni i kampionëve, por, nuk duhet harruar fakti, se atleti amerikan me ngjyrë, Xhes Ouens, fitoi katër medalje të arta, në sy të Adolf Hitlerit, në Olimpiadën e Gjermanisë naziste, dhe në një tjetër moment madhështor. Felps fitoi tetë medalje të arta në një Olimpiadë të vetme, por a paraqet ai perfeksionin e sportit më shumë se 10 perfekte e marrë nga Nadia Komaneshi në paralelen asimtrike gjatë Olimpiadës së Montrealit në vitin 1976? Majkëll Felps, i cili mbushi 27 vjeç, më 30 qershor mban disa rekorde: atë për numrin total të medaljeve, 19; numrin më të madh të medaljeve të arta, 15 dhe numrin më të madh të medaljeve të arta në garat individuale, 9.

 Jeta jashtë pishinës

 Majkëll Felps ka nisur të stërvitet qysh në moshën 11 vjeç. Në nëntor të viti 2004, ai u arrestua në moshën 19 vjeç, pasi kishte drejtuar makinën në gjendje të dehur. Në shkurt të vitit 2009, u botua një fotografi ku Felps shfaqej duke pirë marijuanë, çka rezultoi me humbjen e një nga sponsorëve të shumtë të tij. Felps kërkoi më pas falje. Felps ka nofkën “peshkaqeni i Baltimores”, emri të qytetit të tij.

 Fizik i jashtëzakonshëm

 Disa aspekte fizike të trupit të tij e ndihmojnë Felpsin gjatë notimit: gjatësia e tij, gjoksi petë, krahët e tij që hapen deri në 201 cm, dhe në raport të çrregullt me gjatësinë trupore të tij, që arrin deri në 193 cm. Ai duket sikur rrëshqet në ujë, duke notuar shumë shpejt. Ai konsumon shumë ushqim dhe merr 11 mijë kalori në ditë.

  “Pasuria” e Majkëll Felpsit

“ATHINË 2004”

 Ar 100 m flutur 51.25 (RO)

Ar 200 m flutur 1:54.04 (RO)

Ar 200 m individual i përzier   1:57.14 (RO)

Ar 400 m individual i përzier   4:08.26 (ËR)

Ar 4×200 m stil i lirë 7:07.33

Ar 4×100 m i përzier 3:30.68

Bronz 200 m stafetë stil i lirë 1:45.32 (NR)

Bronz 4×100 m stafetë stil i lirë     3:14.62

“PEKIN 2008”

 Ar 100 m flutur 50.58 (RO)

Ar 200 m flutur 1:52.03 (RB)

Ar 200 m stil i lirë 1:42.96 (RB)

Ar 200 m individual i përzier   1:54.23 (RB)

Ar 400 m individual i përzier 4:03.84 (RB)

Ar 4×100 m stafetë stil i lirë 3:08.24 (RB)

Ar 4×200 m stafetë stil i lirë 6:58.56 (RB)

Ar 4×100 m stafetë e përzier 3:29.34 (RB)

“LONDËR 2012”

Ar 4×200 m stafetë stil i lirë  6:59.70

Argjend 4×100 m stafetë stil i lirë 3:10.38

Argjend 200 m flutur 1:53.01

RO – Rekord Olimpik

RB – Rekord Botëror

 Skandal në badminton, përjashtohen tetë aziatike

 Lojërat Olimpike “Londër 2012” nuk po i shpëtojnë dot skandalit. Federata Botërore e Badmintonit vendosi të skualifikojë dhe të përjashtojë katër lojtare (4 koreanojugore, dy indoneziane dhe dy kineze) pasi kanë falsifikuar rezultatin për të siguruar një short më të lehtë në turet pasardhëse, duke u sjellë në të kundërt të Kartës Olimpike. Çështja shpërtheu pas ndeshjeve të katër çifteve, në kualifikueset e ditës së martë, ku sportistet kryen gabime trashanike, me synimin për të humbur ndeshjet. Presidenti i Komiteti Organizator, Sebastian Koe, e përcaktoi sjelljen e tyre si “të turpshme dhe të papranueshme”. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar sqaroi sportistet, të cilat e apeluan vendimin, se duhet ta ruajnë akreditimin e tyre, “pasi nuk janë përjashtuar nga Lojërat nga Komiteti Olimpik, por se vendimi është marrë nga Federata Ndërkombëtare e Badmintonit”. Midis të skualifikuarave janë dhe kampioneshat e botës, kinezja Uang Xiaoli dhe Yu Yang, të kontestuar fuqishëm nga publiku që i ndoqi, dhe që sipas teknikëve të skuadrave të tjera, e bënë atë në mënyrë që të shmangnin bashkëkombëset e tyre Tian Qing dhe Zhao Yunlei deri në finalen e kompeticionit. Të njëjtë sjellje kishin mbajtur edhe dy indonezianet Meilina Jauhari dhe Grejsia Poli, kundër koreonajugoreve June-eund dhe Kim Min-jung. Në këtë ndeshje u pa qartë trukimi i rezultatit, pasi koreanojugoret donin të shmangnin bashkëkombëset e tyre Jung Kyung-eund dhe Kim Ha-na në çerekfinale. Trajneri i Kinës, Li Yongo, e mohoi mundësinë  e falsifikimit të rezultateve.

 Notarja kineze çmend botën me “dopingun gjenetik”

 Federata Ndërkombëtare e Notit mbrojti publikisht kinezen Ye Shiven, protagoniste absolute e Olimpiadës së Londrës me dy triumfet e saj të pabesueshme, në 200 dhe 400 metra të përzier. 16-vjeçarja krijoi shumë dyshime me paraqitjet e saj, sidomos në ambientin amerikan, më këta të fundit që hodhën dyshime deri në përdorim dopingu. “Nuk ka asnjë bazë për të hedhur dyshime të këtij lloji, – bëri të ditur FINA përmes një komunikate për shtyp. – Në vitin e fundit sportistja u është nënshtruar katër kontrolleve antidoping”. Notarja kineze, gjatë ditëve të fundit, e mohoi kategorikisht se kishte marrë substanca të dopuara.

Notarja kineze Ye Shiven tronditi botën e notit dhe Lojërat Olimpike më parë gjatë javës, kur vendosi një rekord botëror në 4×100 metra stil i përzier, rekord i konsideruar i pamundur edhe sepse 16-vjeçarja notoi në disa pjesë të garës më shpejt se kampioni i meshkujve nw tw njëjtin stil, amerikani Lochte. Kanë nisur duke qarkulluar zërat e parë se Kina mund të jetë duke bërë diçka shumë më shqetësuese se dopingu, duke udhëhequr mutacione gjenetike, në gjendje që të përmirësojnë rendimentin e atletëve të ndryshëm. Sugjerimi i pabesueshëm erdhi nga një ekspert, i cili theksoi se nuk do të ishte aspak i befasuar nëse “Londër 2012” do të hyjë në histori si Olimpiada e parë ku ndryshimet gjenetike lejojnë atletët të formojnë më shumë muskuj dhe të mbajnë më shumë oksigjen në gjakun e tyre. Ted Friedmann, kryetari i panelit të gjenetikës në Agjencinë Botërore Anti-Doping (WADA), deklaroi se kjo është një mundësi reale. “Nuk do të habitesha aspak nëse disa atletë mund të përdorin në mënyrë të fshehtë gjene të modifikuara për të rritur performancën e tyre. Nga ana jonë, është shumë e rëndësishme që të zhvillojmë një teknologji sa më të mirë për të dalluar “dopingun” gjenetik”. Në vitin 2005, Ronald Evans, një ekspert hormonesh në një institut biologjik në Kaliforni, tregoi se modifikimi gjenetik ka treguar se është në gjendje që të rrisë fuqinë atletike të një miu.

 Spanja largohet me turp, pa shënuar gol

 Spanja e futbollit për meshkuj u eliminua nga Lojërat Olimpike, pa shënuar qoftë dhe një gol të vetëm në tri ndeshje, pas barazimit 0-0 kundër Marokut, në takim e fundit në grup. Edhe fati nuk ishte me spanjollët, pasi Adrian Lopez goditi shtyllën. Spanja përfundoi e fundit në grupin D, dhe ishte e eleminua nga turneu, pasi kishte humbur 1-0 me Japoninë dhe Hundurasin.

 Garat dhe rezultatet e olimpistëve shqiptarë

 KANË GARUAR

28 korrik  ora 10:30

NOEL BORSHI

(Not, 100 metra delfin)

Vendi i 40-te nga 42 sportistë

28 korrik  ora 12:00

ARBEN KUÇANA

(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)

Vendi i 20-të nga 44 sportistë

29 korrik  ora 09:30

MAJLINDA KELMENDI

(Xhudo, pesha 52 kg)

U eliminua në 1/16

30 korrik  ora 12:30

ROMELA BEGAJ   

(Peshëngritje, pesha 58 kg)

Rezultati: 216 kg në dygarësh

Vendi i 11-të nga 19 sportistë

31 korrik  ora 10:00

BRIKEN CALJA

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Vendi i 9-të nga 24 sportistë

31 korrik  ora 10:00

DANIEL GODELLI

(Peshëngritje, pesha 69 kg)

Nuk u klasifikua në dygarësh

31 korrik  ora 10:00

SIDNI HOXHA

(Not, 100 metra stil i lirë)

Vendi i 37-të nga 60 sportistë

DO TË GAROJNË

3 gusht    ora 10:00

ADRIATIK HOXHA

(Hedhje gjyle)

4 gusht    ora 15:30

ENDRI KARINA

(Peshëngritje, pesha 94 kg)

5 gusht    ora 09:00

ARBEN KUÇANA

(Qitje, 50 metra pistoletë)

6 gusht    ora 19:20

KLODIANA SHALA

(Atletikë, 200 metra)