Idajet Beqiri: “Lënia në fuqi e Aktit Normativ, është një gabim fatal i Kushtetueses”

    427
    Sigal

    INTERVISTA/Flet për “Telegraf” avokati Idajet Beqiri për abuzimet e Aktit Normativ për Qiramarrësit

    Avokati Idajet Beqiri duke folur në një intervistë për “Telegraf”, e cilëson si të papajtueshme me Kushtetutën e Shqipërisë Ligjin nr. 82/ 2012, datë 13.09.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”. Sipas tij, me lënien në fuqi të këtij akti Gjykata Kushtetuese ka bërë një gabim fatal juridik.

    -Zoti Beqiri, si e konsideroni zbatimin e Aktit Normativ dhe shfuqizimin e pretendimeve të Shoqatës së Qiramarrësve nga Gjykata Kushtetuese?

    -Ligji nr. 82/ 2012, datë 13.09.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara” si dhe Akti normativ  nr. 03, datë 01. 08. 2012 në fakt janë të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe me Konventën Evropiane Për Lirinë dhe të Drejtat e Njeriut. Gjykata Kushtetuese ka bërë një gabim fatal juridik. Ky gabim nuk mund të shlyhet lehtë nga memoria historike  e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ky vendim do të komentohet gjatë, dhe do të përmendet në vazhdimësi, se si një organ kaq i larte ligjor, garantja e zbatimit të  përpiktë të Kushtetutës së Republikës, ra pre e interesave meskine të maxhorancës qeverisëse, duke dhënë në datën 31.10.2012 një vendim të pastër politik.

     Ligji dhe akti normativ ka  dal pikërisht pas dhënies prej Gjykatës Kushtetuese të dy vendimeve, atij me nr.26, datë 02.11.2005 dhe Vendimit Nr. 11, datë 04.04.2007. Pas këtyre dy vendimeve të dhëna nga “Garantja”e zbatimit të Kushtetutës, Qeveria e kishte për detyrë  të zgjidhte problemin, duke i respektuar me përpikëri  dy vendimet e lartpërmendura të Gjykatës Kushtetuese, dhe jo të bënte veprimin mafioz të radhës, shumë të padenjë për një qeveri edhe për një qeverisje që pretendon të integrohet në BE.

     -Ku konsiston ky mafiozllëk, sipas jush?

     -Mafiozllëku konsiston në faktin se Qeveria, pasi e “pushtoi” Gjykatën Kushtetuese me vendosjen e anëtarëve të rinj, me kriter të vetëm, besnikërinë ndaj PD-së dhe Berishës, domethënë pasi siguroi në këtë Gjykatë maxhorancën pro Qeverisë, të njëjtin ligj që ishte konsideruar dy herë me radhë si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës, pasi i ndryshuan datën dhe numrin, e fuqizuam edhe me  Aktin normativ  nr. 03, datë 01. 08. 2012 dhe e hodhën në veprim në mënyrë të njëanshme, pa respektuar së paku vlerësimet objektive të opozitës në Parlament kundër tij. Gjykata Kushtetuese, e pushtuar tashmë si institucion prej ekzekutivit, rrjedhojë kjo edhe e mefshtësisë dhe mungesës së principialitetit të opozitës së vendit, e cila i dorëzoi “pa çak, pa bam” të gjitha institucionet e pavarura të shtetit ligjor, për t’i shërbyer Qeverisë, shkelin mbi vetveten, “e hanë turpin me bukë” dhe japin një vendim të kundërt, me precedentin që krijuan vet dy herë me radhë. Ligji dhe Akti Normativ cenojnë rëndë parimin kushtetues të sigurisë juridike të një numri të konsiderueshëm shtetasish shqiptar, sikurse janë qiramarrësit e banesave. Në asnjë vend të botës, qoftë ky vend edhe i botës së tretë të Afrikës ku ende ekziston lakuriqësia, qeveria nuk merr kurrë nismaligjore dhe Parlamenti kurrë nuk miraton ligje, ku të favorizohen simpatizantët e Partisë që janë në pushtet, dhe të diskriminohen shtetasit që i përkasin opozitës. Kjo ndodh për turpin tonë në Shqipëri, në vendin që “përgjërohet” se do të integrohet në Evropë !

     

     – Si e shihni zgjidhjen që u ka dhënë qeveria shumë banorëve që jetojnë në ish-pronë, për të aplikuar për kredi të subvencionuar?

    – T’u thuash banorëve që jetojnë me qira në ish-pronat e pronarëve që të aplikojnë për të marrë kredi të subvencionuar është jo vetëm e kundërligjshme, por edhe e pamoralshme. Është e kundërligjshme, është kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, është antikushtetuese dhe diskriminuese, sepse qytetarët e një vendi janë të barabartë përpara ligjit. Këta qiramarrës janë qytetar, siç janë qytetar edhe ish-pronarët, siç është Berisha dhe Olldashi. Berisha dhe Olldashi, ashtu si gjithë qytetarët shqiptarë, në vitin 1991 përfituan  prej privatizimit të banesave shtetërore, të cilat i privatizuan përkundrejt një pagese simbolike. Këtë të drejtë e kishin të gjithë, e kishin edhe ish-pronarët, të cilët edhe banesat që u kishte dhënë me qira shteti i morën me privatizim, edhe ish-pronat e paluajtshme të shtetëzuara i duan të kthyera fizikisht. Në këto kushte, t’u mohosh qiramarrësve të drejtën për të privatizuar banesën e tyre ku kanë qëndruar për plotë 68 vjet, nuk është thjesht dhe vetëm shkelje e të drejtës së njeriut, por është edhe një krim shtetëror. Ata nuk mund të përjashtohen nga e drejta e privatizimit, sepse ka ligj për këtë, dhe ligji zbatohet njëlloj për të gjithë, jo sipas parimit anakronik “ca të nënës e ca të babës”!

    – Nga ana tjetër shumë nga këta banorë nuk dëshirojnë të dalin nga banesat që kanë jetuar për shumë vite, ndonëse nuk janë pronarë të vërtetë, ju si e komentoni këtë sjellje?

    -Banorët kanë të drejtë të mos i lëshojnë banesat e tyre. Them “banesat e tyre”, jo vetëm për faktin që lartpërmënda, që atyre u takon e drejta e privatizimit të këtyre banesave, siç ju takojë gjithë shtetasve shqiptar sipas ligjit të privatizimit të banesave, por edhe për një fakt tjetër të rëndësishëm ligjor. Në kodet civile të botës së qytetëruar, sikurse edhe në Kodin Civil të republikës së Shqipërisë, ekziston e drejta e fitimit të pasurisë së paluajtshme me anën e parashkrimit fitues. Këta qiramarrës banojnë prej 68 vjetësh në këto shtëpi me titull. Në se nuk merrje një akt administrativ nga pushteti lokal i asaj kohe, në se nuk të jepnin autorizimin dhe lejen për të administruar një banesë, kurrë nuk mund të futeshe në një apartament, apo shtëpi banimi. Në Kodin Civil thuhet se kur një person, e posedon, e zotëron, e shfrytëzon për nevojat e tij dhe të familjes së tij me një titull më shumë se 10 vjet, pa u ngacmuar nga pronari i pasurisë së paluajtshme, bëhet pronarë i ligjshëm i asaj pasurie ku jetojnë. Qiramarrësit janë bërë mbi 10 herë pronarë të këtyre banesave, sepse kanë 68 vjet që jetojnë me një titull në ato shtëpi banimi.

     

    – Cila do të ishte rruga e drejtë ligjore në lidhje me këtë çështje?

    -Një qeveri e përgjegjshme, një qeveri popullore, një qeveri që respekton ligjin dhe Kushtetutën, nuk i lejon kurrë vetes që të rregullojë një padrejtësi, duke bërë një padrejtësi të re. Ish-pronarët janë në të drejtën e tyre. Ata kanë kërkuar të njihen pronarë të ligjshëm të atyre banesave, dhe sipas ligjit, përmes ish Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, apo me vendime të gjykatave, janë njohur pronarë. Deri këtu gjithçka është normale. Anormaliteti i qeverisjes së mbrapsht shqiptare fillon te pjesa e dytë, tek ajo që ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, nuk e zbaton një lloje për të gjithë, por e zbaton sipas preferencave elektorale, sipas interesave klanore, apo në bazë të përfitimeve personale korruptive që kanë qeveritarë të caktuar. Me që ra fjala, edhe Ligji nr. 82/ 2012, datë 13.09.2012 «Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara» si dhe Akti normativ  nr. 03, datë 01. 08. 2012, objekt trajtimi në këtë intervistë, apo edhe vendimi skandaloz i datës 31.10.2012 i Gjykatës Kushtetuese, janë rrjedhojë e përmbushjes së  interesave korruptive të drejtpërdrejta të dy anëtarëve të Qeverisë Berisha, si dhe të 3 personave të tjerë publik, analistë që krekosen në ekranet e televizioneve dhe të gazetave në krah të Qeverisë. Rruga e drejtë ligjore, rruga që nuk do e prekte aspak parimin e sigurisë juridike, dhe që nuk do zgjidhte një padrejtësi që u është bërë ish-pronarëve, duke u bërë një padrejtësi po aq të rëndë banorëve qiramarrës të banesave, do të ishte ajo që e ka brenda vetes Ligji Për kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Në këtë Ligj  thuhet se kur një pasuri që u është njohur ish-pronarëve, shërben për interes publik, vetëm u njihet këtyre ish-pronarëve, por nuk u kthehet atyre. Ata për këto pasuri kompensohen nga shteti. Nisur prej frymës së këtij Ligji, qeveria duhet të mos e pengonte privatizimin e këtyre banesave nga qiramarrësit, por t’i lejonte ata që t’i privatizonin dhe t’i bënin prona të tyre këto shtëpi, ku kanë lindur, janë rritur, kanë lindur e rritur fëmijë, dhe disa prej tyre edhe kanë vdekur në to. Ndërsa ish-pronarët do të shpërbleheshin nga shteti në të holla, ose me pasuri të tjera të lira, ashtu sikurse përcakton ligji për kompensimin. Kjo është rruga e vetme ligjore që duhet të zbatohet.

    Pse nuk duhet marrë kredi

    -Banorët që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, për arsyet ligjore dhe faktike që sipërcitova, nuk kanë asnjë arsye që të pranojnë të marrin kredi në banka, qoftë edhe me interes 0%. Edhe në rast se shteti u gjen këtyre banorëve  banesa të tjera falas, përsëri, në bazë të normave juridike të Kushtetutës së Shqipërisë, të Konventës Evropiane Për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, ata dalin prej këtyre banesave ku jetojnë sot, vetëm në se duan vet dhe e bëjnë me vullnet të lirë. Ndryshe askush nuk mund ta marrë guximin t’i nxjerrë ata nga shtëpitë e tyre. Gjykata e Strasburgut janë i bindur se nuk do e tolerojë në asnjë mënyrë këtë maskaradë të rëndë juridike, politike dhe sociale që ka krijuar kjo qeveri e papërgjegjshme me qytetarët e vet.