Harry BAJRAKTARI/Studenti që shembi diktaturën më të egër në Europë

    386
    Sigal

    Me rastin e 50 -vjetorit të lindjes së heroit të demokracisë shqiptare, Azem Hajdarit

    Kur ra Muri i Berlinit, që ndante botën demokratike nga bota komuniste, muri tjetër në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, ende ishte në të njëjtin vend, i vendosur dekada më parë. Përderisa rrëzimi e këtij muri në Evropën e qytetëruar po bënte jehonë të madhe, sidomos te disa vende të sistemit komunist si në Poloni, Çekosllovaki e vende të tjera, regjimi diktatorial në Shqipëri, përkundër frikës së madhe që kishte, nuk po jepte shenja të përmbysjes së këtij sistemi, që aq shumë të këqija i solli popullit shqiptar. Kreu komunist i Shqipërisë dhe anëtarët e Byrosë Politike në këtë kohë, deklaronin se gjithçka mund të ndodhte, por jo rënia e sistemit komunist. Do të ishte naive që këta njerëz të mos e kuptonin valën që kishte përfshirë vendet komuniste të Evropës dhe ato në Ballkan për ta përmbysur këtë sistem të dështuar, por diktatura në Shqipëri ende shpresonte në të vetmin mjet që kishte në dorë-dhunën.

    Një popull i izoluar, i stërlodhur dhe i shkatërruar nga represioni i egër për 50 vjet, nuk mund të duronte degradimin e mëtej. Vitet 90-të të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vitet më të rëndësishme në historinë e saj të re. Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës, doli studenti karizmatik me një guxim të pashembullt me origjinë nga Tropoja, Azem Hajdari kundër diktaturës në Shqipëri. Ai formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë fund regjimit tiranik që i kishte shkaktuar aq vuajtje popullit shqiptar në Shqipëri. Pushteti i “hekurt” i Ramiz Alisë, duke u mbështetur në doktrinën komuniste, nisi fushatën e persekutimit ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt tjerë në Europë. Kundër kësaj dhune dhe terrori që ushtronte kreu komunist i Shqipërisë, u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, në krye të të cilëve ndodhej Azem Hajdari. Nga sheshi i këtij universiteti, e më vonë edhe nga sheshet e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, lëshoi thirrjen më të guximshme të kohës: “Ta përmbysim diktaturën dhe t’ i hapim portat e demokracisë në këtë pjesë të Ballkanit”. Ky student, tashmë konsiderohej i rrezikshëm për piramidën komuniste në Shqipëri. Për këtë arsye thirret në polici, por në asnjë mënyrë nuk pranoi t’ju bindej urdhrave të tyre.

    Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, Azem Hajdari, i cili ndodhej në ballë të Lëvizjes për herë të parë po bartej parulla “Liri, demokraci…”Një parullë e tillë nuk ishte parë për 50 vjet në hapësirën e Shqipërisë, çdo gjë ishte ngulfatur dhe terrorizuar. Në krah të kësaj Lëvizje masive ishte edhe Dr. Sali Berisha, i cili së bashku me Azem Hajdarin, vepruan deri në rrëzimin e sistemit komunist dhe bashkëvepruan në proceset tjera të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri. Në këtë demonstrate studentët u përballën me policinë dhe kjo ishte përballja e parë gjatë 50 viteve.

    Azem Hajdari, mësimet e para i mori në qytezën Bajram Curr, në këtë zonë shqiptare, e cila gjatë historisë kishte dhënë shumë trima e udhëheqës për liri dhe pavarësi të Shqipërisë, bëhet simboli i Lëvizjes Antikomuniste shqiptare. Ndërsa, një vit më vonë, më 1991-n Lëvizja u përhap në të gjitha anët e Shqipërisë. Duke pasur tiparet e një udhëheqësi të madh e të pathyeshëm, qysh atëherë ky student, fitoi simpatinë e mijëra të rinjve e të rejave, të punëtorëve, të atyre që kishin vuajtur e që po vuanin ende në birucat e errëta në Shqipërinë e shkatërruar. Dhe ajo çka është e rëndësishme të theksohet në këtë shkrim, Azem Hajdari gëzonte autoritetin e të gjithë liridashësve në Shqipëri dhe në krahinat tjera shqiptare, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe tek shqiptarët në botën e jashtme.

    Ramiz Alia, duke mos pasur rrugëdalje tjetër pranon të ulej në një tryezë me Azem Hajdarin dhe demokratët tjerë. Ai, në mënyrë të prerë, i kërkoi atij aplikimin e sistemit pluralist në Shqipëri. Në të kundërtën, nuk do t’ u bindej fjalëve të tij. Kërkoi heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti i Tiranës, dhe në një mënyrë i përkujtoi Ramiz Alisë ngjarjet që kishin ndodhur në disa vende të Ballkanit dhe në Evropë. Nga trysnia, pasardhësi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia u pajtua që në Shqipëri të niste pluralizmi politik. Në këtë kohë Azem Hajdari, zgjidhet kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike shqiptare, e para parti opozitare pas 50 vitesh diktaturë në Shqipëri. Pra, në këtë periudhe formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë, edhe pse kishte pengesa dhe kërcënime nga komunistët. Kësisoj demokracia në vendin e shqipeve u bë sinonim i lirisë, i drejtësisë dhe i vlerave humaniste evropiane, një proces i pandalshëm.

    Merita më e madhe i takon Lëvizjes Studentore dhe udhëheqësit të saj Azem Hajdari, Dr. Sali Berishës, si dhe intelektualëve që u rreshtuan përkrah demokracisë.

    Azem Hajdari studimet i mbaroi në degën filozofi në Universitetin e Tiranës e më vonë diplomoi edhe në Fakultetin Juridik.

    Më 22 mars 1992, ditën e parë të pranverës -përfundon epoka e errët në Shqipëri. Në mitingun e madh që organizoi Partia Demokratike në sheshin e Tiranës, foli lideri i saj Dr. Sali Berisha, i cili me tone entuziaste paraqiti projektin e një Shqipërie demokratike, ku të gjithë do të gëzonin të drejtat dhe liritë e tyre, të një Shqipërie të zhvilluar evropiane.

    Në vitin 1992 Azem Hajdari zgjidhet deputet i Shkodrës nga Partia Demokratike dhe deri në fund mbetet besnik i ndërtimit të një Shqipërie të lirë, demokratike e të zhvilluar.

    I rritur në Malësinë e Gjakovës, në kufirin që ndante shqiptarët në dysh që nga viti 1913, Azem Hadari njihte mirë padrejtësitë që iu kishin bërë historikisht shqiptarëve. Ishte njohës i mirë i rrethanave pushtuese të Kosovës nga Serbia dhe në Parlamentin Demokratik në Tiranë, ishte ndër të parët deputetë që e ngriti problemin e madh të Kosovës. Në mes tjerash, në parlament tha: “Duhet të rrëzohet muri që ndanë shqiptarët mes veti” dhe ishte gjithashtu ndër të parët që ngriti zërin kundër politikës hegjemoniste të Millosheviçit.

    Në vitin 1994 Azem Hajdari deklaron: ” Kosova, Maqedonia Perëndimore, Çamëria dhe disa vise të Malit të Zi janë vërtetuar prej kohësh që i kanë takuar Shqipërisë. Unë shpresoj se ato pjesë të shkëputura prej trupit të Shqipërisë, do t’ i bashkohen një ditë asaj, si e drejtë natyrore e pakontestueshme.” Edhe në vitin 1996, Azem Hajdari u zgjodh deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa në vitin 1997 iu kundërvu atyre që e dogjën dhe e shkatërruan Shqipërinë. Për këtë shkak ne parlament, ai u godit nga një atentator komunisto-socialist, por për fat të mirë i shpëtoi vdekjes. Ndaj tij, forcat e errëta që ishin kundër Shqipërisë, organizuan edhe disa atentate të tjera.

    Nga një dorë mizore u vra më 14 shtator 1998. Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie përparimtare evropiane dhe ndaj njeriut i cili bëri aq shumë për demokracinë shqiptare. Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtës së ekzistimit.

    Në mitingun e përmotshëm në Tiranë, me rastin e këtij akti mizor Dr. Salli Berisha tha: Rruga e Azem Hajdarit ishte rruga e bashkimit të Shqipërisë në familjen demokratike evropiane. Vepra e Azem Hajdarit është prania e juaj sot këtu dhe vendosmëria e juaj për të mos lejuar që rruga e çelur prej tij të mbyllet edhe njëherë për Shqipërinë. Ne të gjithë së bashku nuk do të lejojmë që ëndrra e Azem Hajdarit, ëndrra e madhe e rinisë shqiptare të këputet në mes. Ëndrra e Azem Hajdarit ishte dhe mbetet ideali më i lartë për shqiptarët.” Në përcjellje mortore, vrasësin e Azem Hajdarit, Dr. Berisha e quajti mizor. Më 14 shtator, kundër vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdarit, u mbajt revolta më e madhe që ka njohur ndonjëherë historia e Tiranës dhe trojet shqiptare. Erdhën mbi 100 mijë njerëz nga të gjitha viset për të shprehur indinjatën e thellë kundër këtij akti mizor.

    Para 50 vjetësh, më 11 mars 1963, kur u lind Azem Hajdari, Shqipëria ishte në dëshpërimin më të thellë nga mizoritë e regjimit të Enver Hoxhës. Pas 27 vitesh, ky djalosh nga Tropoja që ndodhej në ballë të Lëvizjes Studentore shqiptare, i dha fund diktaturës hoxhiste, ndër më të egrat në Evropë. Sot, me rastin e 50 vjetorit të lindjes së tij, e kujtojmë si një ndër figurat më të ndritshme të historisë sonë kombëtare, si hero të Demokracisë, si njeri me një vizion për Shqipërinë demokratike, të zhvilluar dhe me orientim e vlera evropiane. Njerëzit e tillë në historinë tonë shqiptare janë të rrallë. Vepra e tij do të jetojë gjithherë derisa te ketë Shqipëri demokratike dhe Shqipëri liridashëse.

    *Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria” në New York.