Hapet Tirana Logistic Park (TLP), Parku më i madh logjistik në Ballkanin Perëndimor

    1060
    Sigal

    Ditën e Mërkurë, 9 Tetor, u organizua ceremonia e përurimit të parkut të parë logjistik të Shqipërisë dhe një ndër më të mëdhenjve dhe më modernëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Përfundimi i fazës së parë të Tirana Logistic Park konsiderohet nga të gjithë ekpertët e ekonomisë si një zhvillim mjaft i rëndësishëm pasi i ofron një sektori të gjerë biznesesh lehtësi dhe shërbime që më parë ose nuk ekzistonin ose ishin të standardeve të ulëta. Ceremonia e organizuar në ambientet e vetë Parkut Logjistik, mblodhi përfaqësues të rëndësishëm të Qeverisë Shqiptare ku përveç Zëvendës Kryeministrit ishin të pranishëm edhe një pjesë e mirë e Ministrave. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal si Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, përfaqësues të tjerë politikë si edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Aleksandër Arvizu.

    Shiriti i përurimit, i cili shënoi edhe hapjen zyrtare të dyerve të Parkut Logjistik, u pre nga z. Idajet Ismailaj, z. Michael D. Granoff, z. Lulzim Basha, z. Niko Peleshi, z. Aleksandër Arvizu dhe z. Saimir Mane, President dhe CEO i Grupit Balfin. Tirana Logistic Park, apo Parku Logjistik i Tiranës, përfaqëson projektin e ndërtimit dhe dhënies me qera të 5 magazinave dhe objekteve industriale të “Klasit A”, në zonën më të madhe industriale të Shqipërisë, në autostradën Tiranë-Durrës. Me një sipërfaqe neto ndërtimi prej 80’000 m2, zhvilluar në një hapësire totale prej 200’000 m2, Tirana Logistic Park është projekti i parë logjistik dhe industrial në Shqipëri që do të ofrojë jo vetëm ambiente industrial dhe magazinuese të cilësisë së lartë, por dhe shërbimet e plota logjistike për një gamë të madhe biznesesh. Ky investim është realizuar nga bashkëpunimi i Grupit Balfin me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes dhe kompaninë e ndërtimit AlbStar. Fjalën hapëse në ceremoni e mbajti z. Steven Grunerud, Zëvendës President i Grupit Balfin, i cili falenderoi të ftuarit dhe shtoi se “Besoj që në Shqipëri bizneset duhet të bëjnë një tjetër hap përpara në cilësinë e menaxhimit të logjistikës. Më shumë vëmendje drejt logjistikës do të thotë mundësi më të mëdha për të ulur shpenzimet, shkurtuar kohë dhe për të krijuar hapësira më të mira biznesi. Tirana Logistic Park ta ofron këtë mundësi duke ndarë shpenzimet e logjistikës, ekperiencës në menaxhim dhe shërbime për të arritur rezultate më të mira. TLP do t’i shërbejë nevojave rajonale për distribucion dhe magazinim. Në vetëm 4 orë distancë me kamion nga TLP mund të arrish një afërsisht 8 milion njerëz. Tirana Logistic Park ka një pozicion strategjik ku lehtësisht akseson Portin e Durrësit, një nga vetmit portet e thella në Europën Jug Lindore, si edhe ka akses në autostradat që të lidhin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Me të vetmin degëzim hekurudhor të dedikuar në Shqipëri brenda një objekti të tillë, Tirana Logistic Park do të ofrojë forma të ndryshme të distribucionit dhe transportit”

    Pas z. Grunerud një tjetër përfaqësues nga aksionerët e TLP theksoi rëndësinë e këtij investimi. Z. Michael D. Granoff’s, drejtor i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes (Albanian-American Enterprise Fund), u shpreh shumë optimist për ecurinë e deritanishme të realizimit të projektit dhe për rezultatet pozitive që pritet t’i japë ekonomisë shqiptare dhe asaj rajonale. Sipas tij Tirana Logistic Park do të jetë një pikë e fortë për Shqipërinë në përpjekjet për të rritur investimet e huaja. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, shprehu vlerësimin e tij për realizimin e Tirana Logistic Park si një mundësi për rritjen e punësimit në këtë zonë. Ai vlerësoi seriozitetin e investitorëve, Balfin Group, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes dhe kompaninë Albstar për realizimin e këtij projekti gjigand. Në emër të Qeverisë Shqiptare në këtë ceremoni foli Zëvendës Kryeministri z. Niko Peleshi. Ai vlerësoi Tirana Logistic Park si një aset për tërheqjen e investitorëve të huaj duke i ofruar më shumë mundësi bizneseve që të operojnë në standardet maksimale logjistike. Z. Peleshi shprehu qëndrimin e Qeverisë Shqiptare për të mbështetur bizneset në projekte të tilla madhore.

    Tirana Logistic Park i ofron bizneseve shumë arsye për t’u vendosur këtu. Parku është i pozicionuar në zonën më të madhe industriale në vend, shtrihet në një zonë demografike që mbulon rreth 1.2 milion banorë dhe siguron fuqi punëtore të kualifikuar në një rreze prej vetëm 30 km, brenda një distance kohore prej 30 minutash. Parku arrihet lehtësisht pasi është shumë pranë akseve kryesore rrugore si edhe pranë hekurudhës dhe portit të Durrësit. Madje vetë parku ka një terminal të dedikuar hekurudhor që i mundëson kompanive lidhjen si me portet shqiptare ashtu edhe me rrjetin ndërkombëtar hekurudhor. Një hapësirë e konsiderueshme brenda Parkut do të jetë në funksion të lehtësirave dhe magazinave doganore. Hapësirat e magazinimit përfshijnë të gjitha mjetet e nevojshme për përpunimin e kontenierëve. Të gjitha këto shërbime dhe mundësi që ofron Tirana Logistic Park menaxhohen profesionalisht nga një staf i trajnuar dhe specializuar.