Gjon NEÇAJ/ Fati tragjik i nuseve boshnjake në Nikaj Mërtur

    572
    Sigal

    Histori të dhimbshme, erdhën jetuan e vdiqën në bjeshkët shqiptare. Sot vajza nga këto bjeshkë, martohen me djem të shtetit fqinj

    Ende sot e kësaj dite, kur pyesin të moshuarit për boshnjaket që u bënë nuse në krahinën më të thellë dhe të prapambetur të asaj periudhe, rrudhin krahët e nuk e dinë arsyen, por shpjegojnë se në Nikaj Mertur të rrethit Tropojë, u martuan katër djem të rinj me vajza boshnjake, fati i të cilave ishte pothuajse i njëjtë dhe tragjik. Po si rrodhën ngjarjet e çifteve në atë krahinë të prapambetur dhe të varfër? Le të ndjekim ngjarjen nga bashkëmoshatarët e dhëndurëve boshnjakë, që ende janë gjallë.

    VETËM TRE MUAJ ME NUSE RAKEN

    Gjelosh Kola dhe Ndue Gjoni nga lagja Stakaj, fshati Gjonpepaj, ishin nip e xhaxha. Gjeloshi u rrit në një mjedis ekonomik të vështirë, si gjithë fëmijët e moshës së tij. Ai pati peripeci të dhimbshme dhe dramë të trishtuar në jete. Rreth moshës 20 -vjeçare, në rrethana të krijuara rastësisht, detyrohet të largohet nga vendlindja. Ai qëndron përkohësisht në Mal të Zi përreth katër vjet. Aty u njoh e më pas u martua me Rake Poroviç, nga Nikshiqi. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Gjeloshi kthehet në vendlindje, Gjonpepaj (Stakaj) me nusen e re. Vetëm tre muaj më vonë, Gjelosh Kolën e marrin pushtuesit italianë në shërbimin ushtarak, ku nuk u kthye kurrë më te nusja e re boshnjake. Një lidhje shumë e fortë shpirtërore e ka bërë Raken e re që të ndërronte Nikshiqin me Stakajn e Nikaj Merturit. Gjeloshi ishte një djalë i pashëm, me trup mesatar, i shëndetshëm, i matur në mendime e veprime. Rake Poroviç lindi djalë,të cilit i vunë emrin Lulash. E Rakja e rriti dhe e edukoj me përkujdesje e dashuri, ndonëse në kushte të vështira ekonomike dhe mbi shpatullat e saj të rënduara nga vuajtjet, mbisundonte lufta e klasave për bashkëshortin e saj, që e kishin informuar se, ka vdekur. Por në fakt ai ishte gjallë, e me vendosjen e sistemit demokratik, në fillimin e viteve nëntëdhjetë, kthehet pranë familjes. Por tashmë tepër vonë. Rakja u tret e u tret, derisa në moshën 46- vjeçare u shua krejt. Ndërroi jetë nga dhimbja e kokës, ndoshta prej pritjes së gjatë të Gjeloshit. Kështu e mbylli dramën tragjike Rakja, e cila la pas djalin, Lulashin, e ky sot jeton e gëzon në Tiranë (Bathore) me nipër e mbesa, por gjithnjë në zemër njeriun e paharruar, nënë Raken dhe babanë që u mplak duke e pritur.

    JOKJA DHE VELIKA

    Edhe Jokja erdhi nga Mali i Zi dhe u martua me xhaxhanë e Gjeloshit, Ndue Gjonin. Nuk dihet cili e tërhoqi së pari shoqin, por mesa duket Gjeloshi ishte martuar përpara se ai kishte qëndruar disa vjet atje, siç e theksuam edhe më sipër. Jokja jetoj në Stakaj gjithë jetën me burrin e saj Ndue, të cilët s’patën kurrë fëmijë. Kam patur fatin ta njoh nga afër këtë grua zonjë,shtëpia e së cilës, ose më mirë të themi kasollja e saj, shkëlqente nga pastërtia. Kanë qenë vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur diskutohej për higjienën në fshat, si ndërtimi i banjove, lyerja me gëlqere e ambienteve përreth. Por Joke Millo Popoviç kishte kohë që bënte propagandë te gratë e fshatit për përmirësimin e mënyrës së jetesës. Ajo ishte një plakë tepër e dashur, e shkathët, punëtore dhe veçanërisht shquhej për pastërti, ku mjerimi shekullor kishte mbizotëruar në atë krahinë. Ishte e gojës, e me shqipen e devijuar paksa, qeshnin me të. Të gjitha këto nuse të martuara pas vitit 1948, nuk patën asnjë lidhje me prindërit dhe të afërmit e tyre në Mal të Zi (ish-Jugosllavi ). Bashkëshorti i Jokes, Ndue Gjoni, qëndroi pranë saj gjithë jetën me dashuri dhe dhimbje, si burrë i mirë, i ndershëm, gojëmbël e fjalëpakë. Ndërsa Velika u martua 16-17 vjeçare me Qerimin nga fshati Lekbibaj, një djalë simpatik, mustaqegjatë, trupmadh, si një Gjergj Elez Ali i dalë nga bjeshkët pas duelit me Katallanin. Por jeta e saj, ëndrrat e shumta që donte të realizonte me djalin nga Nikaj Merturi, u prenë në mes. Vdiq tepër e re, e nuk la as fëmijë. Mbase malli e shkriu si qiririn.

    VASILIKA E PETRO GJONIT

    Të gjithë kështu e thërrisnin Vasilika Gjurjanoviç, gruan e Pjetër Gjonit, dhëndrit të katërt malazez nga Nikaj Merturi. Edhe Pjetra, si bashkëkrahinasit e tjerë, kishte zgjedhur për nuse Vasilikën, të cilën të gjithë e thërrisnin “Vasilika e Pjetër Gjonit”.Edhe këtë kam patur fatin e mirë ta njoh nga afër,gjatë kohës që kam punuar në Lekbibaj në vitet shtatëdhjetë. Pjetër Gjoni ishte nga fshati Lekbibaj, i fisit Rosaj. Vasilika ishte një grua e shkuar gruas,një zonjë e vërtetë,që kurrë shqipen nuk e mësoj rregullisht. Bile, me shaka, kur e takonin gratë e fshatit, i thoshin “Vasilika e Petro Gjonit, qyqja, qyqja…”. Ajo nuk shqiptonte mirë fjalën Pjetër dhe qyqe. As kjo zonjë e nderuar, bijë nga Mali i Zi e nuse në Nikaj Mertur, nuk la asnjë trashëgimtar. Shpeshherë kam menduar dhe medituar kur kam kujtuar këto gra të mrekullueshme, ndonëse rritur në një mjedis krejt tjetër, u ambientuan, jetuan në varfëri të tejskajshme dhe kurrë nuk u ankuan. E njëherazi jam çuditur me jetën e tyre të dalldisur, të zymtë, fatale, e mbi të gjitha pa fëmijë. E kur para disa vitesh i tregova një pjesë të historisë të këtyre grave boshnjake, poetes Seida Beganoviç, në një takim krijuesish, u befasua, meditoi pak, e u shpreh në formë lutjeje e pikëllimi: “Të shkruani për jetën e tyre, se vërtetë historia jonë e dhimbjes është e hershme…”. Pas shumë dekadash, në ditët e sotme, vajza nga Nikaj Merturi dhe Tropoja janë martuar me djem nga Mali i Zi.

    SOM 1

    “Shpeshherë kam menduar dhe medituar kur kam kujtuar këto gra të mrekullueshme, ndonëse rritur në një mjedis krejt tjetër, u ambientuan, jetuan në varfëri të tejskajshme dhe kurrë nuk u ankuan. E njëherazi jam çuditur me jetën e tyre të dalldisur, të zymtë, fatale, e mbi të gjitha pa fëmijë. Kur i tregova një pjesë të historisë të këtyre grave boshnjake, poetes Seida Beganoviç, në një takim krijuesish, u befasua, meditoi pak, e u shpreh në formë lutjeje e pikëllimi: “Të shkruani për jetën e tyre, se vërtetë historia jonë e dhimbjes është e hershme…”.