Fyle: E drejta e pronësisë, një nga prioritetet për t’u përmbushur nga Shqipëria, përpara hapjes së negociatave

    389
    Sigal

    Ekskluzive/Letër-pozicionimi i shoqatave të pronarëve “Pronësi me Drejtësi dhe “Bregdeti” drejtuar Shtëpisë së Bardhë dhe Komisionit Europian dhe përgjigjet nga Xhonatan Mur e Komisionerit Fyle

     Lidhur me standardet e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, Komisioneri Stefan Fyle deklaroi se nuk ka kushte shtesë, porse u deklarua se, në Qershor 2014 dhënia e statusit nuk është automatike, por duhet luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar. Përgjegjëse për mosmarjen e statusit është klasa politike dhe burim për korrupsionin e pushtetarëve dhe të sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet prona e trashëguar, që akoma nuk është kthyer tek pronari. Para maxhorancës, por edhe opozitës shtrohet pyetja: Ky shtet do ta zbatojë Kushtetutën apo do vazhdojë të veprojë sipas vullnetit politik? Zgjidhja kërkon vullnet politik, që në periudhën 23 vjeçare ka munguar. Zgjidhja duhet të bazohet në Nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës, në ligjet që përputhen me Kushtetutën  dhe në vendimin Pilot të GJEDNJ 31 korrik 2012. Këtë zgjidhje shoqatat e kanë ofruar me kohë nëpërmjet projektligjit, por ky projektligj akoma nuk është marrë në konsideratë nga pushtetarët dhe politikanët e të dy krahëve.

    Zakonisht politika gabon në interpretimin e vendimit pilot të GJEDNJ. GJEDNJ me termin “kompensim” nënkupton kthimin fizik dhe kompensimin fizik, gjithnjë në përputhje me Nenin 41 të Kushtetutës dhe nuk urdhëron kompensimin për të mohuar kthimin fizik në rastet kur prona është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Reagimet e shoqatave të pronarëve në shkrimet e ndryshme në media kanë sqaruar kërkesat dhe rrugëzgjidhjet. Ato i janë drejtuar dhe institucioneve ndërkombëtare dhe kanë sensibilizuar dhe politikën e Shtëpisë së Bardhë (përgjigje e Jonathan Moore) dhe BE-së (përgjigjja e Fyle). Nga këto përgjigje është e qartë se prona mbetet parakusht për rilindjen e demokracisë. Gazeta “Telegraf” boton letër pozicionimin që shoqatat e pronarëve i kanë dërguar institucioneve ndërkombëtare, si dhe përgjigjet e tyre.

      Letër pozicionimi

     Për sa kohë që pronat e konfiskuara nga regjimi komunist nuk janë rikthyer, Kushtetuta e Shqipërisë mbetet e dhunuar, korrupsioni bazuar në mungesën e menaxhimit të pronës do të vazhdojë të lulëzojë, titujt e pronësisë mbeten të pasigurta dhe asnjë investitor serioz nuk do të guxojë të investojë në Shqipëri.

    20 vjet nga pranimi i parimit të kthimit të pronave të konfiskuara padrejtësisht nga regjimi komunist dhe miratimit të legjislacionit përkatës, shteti shqiptar ende nuk zbaton detyrimet e saj kushtetuese: Nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës. Vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk janë ekzekutuar, për më tepër dhe vendimi pilot  i korrikut 2012. Zgjedhjet e lira për fat të keq nuk e kanë zgjidhur problemin. Të vetëdeklaruarit të djathtë dhe të majtë kanë përdorur pushtetin politik për të konsoliduar pushtetin e tyre ekonomik. Të dy pjesët kanë abuzuar me të drejtat e pronarëve të ligjshëm. Më shumë se 6 000 vetë janë vrarë në konfliktet që lidhen me mosrespektimin e titujve të pronësisë në 22 vitet e fundit, sipas policisë shqiptare dhe OJQ-ve.

    Abuzimet dhe keqmenaxhimi i të drejtave të pronës janë një problem i përditshëm dhe ndikojnë në një numër më të madh të njerëzve. Shkelja e ligjit dhe abuzimet në zyrat e ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e pronësisë ose në gjykata ndodh në përditshmërinë tonë. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria tërheq një nivel shumë të ulët të investimeve të huaja për shkak të pasigurisë së të drejtave të pronësisë.

    E ashtuquajtura Strategjia e Qeverisë për të drejtat e pronës është defektiv, pasi injoron Kushtetutën, i jep prioritet pa kushte dhe kufizime, legalizimit të blerjeve të paligjshme të pronave dhe mban peng kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm, në kundërshtim me Nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës, të legjislacionit dhe të jurisprudencës.

    Zgjidhja e problemit të pronës fillon duke respektuar Kushtetutën dhe shpalljen të pavlefshme të gjitha veprimeve të kryera në kundërshtim me të. Legalizimet duhet të konsiderohen vetëm pasi kthimi i pronës të jetë realizuar dhe t’i nënshtrohen kushteve dhe kufizimeve. Kompensimi financiar i plotë dhe i menjëhershëm pronarëve të ligjshëm duhet të zbatohet vetëm në rastin e pronave të përdorura për nevoja publike.

    Ne jemi të bindur që demokracia dhe stabiliteti në Shqipëri do të përparojnë në qoftë se Parlamenti Europian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë do të koordinojnë qëndrimet e tyre dhe të bëjnë që zgjidhja e problemit të pronësisë në Shqipëri të jetë prioritet dhe një parakusht i fortë për proceset integruese.

     Departamenti i Shtetit të SHBA-ve

    I dashur z. Danushi dhe Dr. Niko!

     Ju falënderoj për letrën tuaj të dt.31 mars. Duke marrë letra të ngjashme në të shkuarën, ish –zv/sekretari Philip Gordon dhe zv sekretari në detyrë z.Philip Reeker, më kërkuan të përgjigjem për llogari të tyre;

     Ne e vlerësojmë rëndësinë e çështjes së kthimit të pronave. Fatkeqësisht, ne nuk mund të ndërhyjmë drejtpërsëdrejti për realitetin tuaj konkret. Është kompetencë e Parlamentit shqiptar të rishikojë dhe të aprovojë ligje. Megjithatë, Ambasada jonë në Tiranë po punon aktivisht në bashkëveprim me qeverinë shqiptare për çështje që kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje. Ne do të vazhdojmë në këtë frymë, duke forcuar marrëdhëniet tona të shkëlqyera me udhëheqësit shqiptarë.

    Sinqerisht Juaji,

    Jonathan Moore

    Zëvendës Sekretari i Zyrës për Çështjet e Europës dhe EuroAzisë

    KOMISIONI EUROPIAN

    ZYRA QENDRORE PËR ZGJERIMIN

     I dashur Dr. Nesturi,

     Dua t’ju falënderoj për letrën tuaj të dt.11/11/2013, drejtuar komisionerit Fyle, duke sjellë në vëmendjen e tij, letër-pozicionimin e shoqatave “Pronësi me Drejtësi” dhe “Riviera” për zgjidhjen e problemit të së drejtës së pronësisë në Shqipëri.

    Komisioneri Fyle më kërkoi t’i përgjigjem letrës suaj.

    Progres–Raporti i fundit i Komisionit Europian, për Shqipërinë, ka rikonfirmuar se implementimi i së drejtës së pronësisë është një nga prioritetet për t’u përmbushur nga Shqipëria, përpara hapjes së negociatave. Sipas Progres-Raportit, problemet e vazhdueshme në çështjen e së drejtës së pronës, përfshirë problemin e kthimit të pronës, kompensimit dhe ndërtimeve ilegale, janë çështje që kanë nevojë të trajtohen përmes përpjekjeve të vazhdueshme, duke llogaritur vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Reformat në këtë fushë do të ndërmerren pas konsultimeve me palët ndërmjetëse, duke përfshirë edhe shoqërinë civile.

    Komisioni është duke monitoruar nga afër zhvillimet në këtë fushë, dhe ka ofruar bashkëpunim dhe asistencë teknike autoriteteve shqiptare për te përballuar sfidat në përmirësimin e qeverisjes në këtë sektor për forcimin e të drejtës së pronësisë.

    Juaji sinqerisht,

    Vassilis Maragos

    Ligji 7501

     Pronarët janë kundër Ligjit 7501. Sipas tyre, për 23 vjet politika dhe shteti shqiptar, ka ndarë pasuritë, qoftë këto të pronarëve, qoftë dhe pasuritë publike. Në këtë ndarje falas, është përcaktuar se përfituesit kryesorë të kësaj toke bujqësore do jenë banorët e saj, ku nuk u mor për bazë fare pronësia mbi tokën, por popullsia e lidhur me atë tokë.

     Legalizimet

    Pronarët shprehen kundër legalizimeve të ndërtimeve pa leje, pa zgjidhur më parë përfundimisht kthimin fizik të pronave të grabitura nga diktatura komuniste. Sipas tyre, qeveria shqiptare, pa më të voglin dyshim, po bëhet misionar i shkatërrimit të Shqipërisë. Sipas pronarëve, kjo nuk ka justifikim, edhe pse bëhet në emër të ligjit.

     Letra ndërkombëtarëve

     Edhe më herët shoqatat përfaqësuese të pronarëve i janë drejtuar Komunitetit Europian dhe Departamentit të Shtetit Amerikan në shpresën e një ndihme ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Kjo për shkak të një ngërçi dhe një qëndrimi antipronar nga institucionet shtetërore shqiptare për zgjidhjen e të drejtës së pronësisë.

     Mosekzekutimi i Vendimeve të Strasburgut

     Mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri, i ka detyruar pronarët t’i drejtohen Strasburgut (Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut), ku dhe kanë fituar të drejtën e tyre. Strasburgu e gjobiti shtetin për mos ekzekutim të vendimeve. Shqipëria rrezikon të mos marrë statusin edhe për herë të pestë, nëse nuk zbatohen vendimet gjyqësore të Strasburgut.

    Gjermeni takon Lamen: Angazhim për legalizime falas

     “Ka pasur mosrakordim mes institucioneve, por angazhimi ynë për legalizime falas qëndron”. Kështu u shprehën sot gjatë një takimi mes tyre ministrja Eglantina Gjermani me kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni u takua dje me kreun e ALUIZNI-t Artan Lame për zgjidhjen e çështjes së legalizimeve. Takimi zhvillohet në vazhdën e tryezave që kreu i ALUIZNI-t po zhvillon me institucionet për rakordimin e punës për zgjidhjen e çështjes së legalizimeve.“Vlerësoj tryezën e institucioneve, një takim i tillë nuk është realizuar asnjëherë më pare. Qytetarët e kanë vuajtur shumë mungesën e koordinimit të institucioneve për çështjen e legalizimeve. Çështja e legalizimeve një nga premtimet kryesore të qeverisë, kërkojmë mbështetje edhe nga njësitë vendore Jemi të angazhuar që të mos lejojmë ndërtime pa leje, pasi procesi i legalizimeve nuk do kishte kuptim”, është shprehur Gjermeni. Ndërsa kreu i ALUIZNI-t Artan Lame ka theksuar se, moskoordinimi i institucioneve u ka shkaktuar makthe qytetarëve për zgjidhjen e legalizimit të pronës. “Nuk ka patur asnjë bashkëpunim mes institucioneve të linjës, duke kaluar në gjyq shumë çështje. Reforma e tokës vazhdon ende, ndërkohë që duhet të kishte përfunduar brenda dy viteve”, theksoi Lame. Drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Ilirjan Muho theksoi në fjalën e tij se brenda javës do të vihet në punë sistemi online i shkëmbimit të informacionit për statusin juridik të pronës, projekt ky që do të luajë një rol vendimtar për përshpejtimin e procesit të legalizimit dhe uljen e korrupsionit. Për shpejtimin e procesit të legalizimit, edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pritet të zbatojë një projekt për krijimin e hartës dixhitale. Kjo u bë e ditur nga drejtorja e AKKP-së, Sonila Qato.