‘Fjalëurtat’ e Agim Shehut

    192

    -Kur fëmija është i vogël, babai e mban në zemër e nëna në shpinë. Kur rritet, babai e ka në shpinë, nëna në zemër.

    -Femrat që dallohen vetëm nga bukuria, duke ta zmadhuar dashurinë ta zvogëlojnë fantazinë.

    -Mjegulla ka shpirt dashurie: kur hyn në pyll, nga gëzimi që puthet me gjethet loton përmbi to.

    -Zakonisht fëmijët nënës i ngjajnë nga portreti, babait nga korniza.

    -Lulet e pemës që i rrëzon era janë fatkeqe; ato që rrinë në degë e s’lidhin kokrra janë më të pikëllueshme.

    -Femrat e hijshme shpesh i ngjajnë hënës: të bukura si hëna e të paqëndrueshme si ajo – herë e plotë, herë e ngrënë…

    -Dy të dashuruar, të pandarë pas njëri -tjetrit, të kujtojnë kurorën e pemës: era ngacmon gjethet, gjethet ushqejnë erën.

    -Dashuria është një urë me dy këmbë. Po mbeti me njërën, sot apo nesër është e rrëzuar.

    -Në njohjet e cekëta dashuria kalon në ftohje si dita në muzg, dhe ftohja kalon në neveri ,si muzgu në natë.

    -Njeriu kur është fëmijë s’e kupton vdekjen; kur është i ri s’e njeh atë; kur është burrë e largon; kur plaket e merr me të mirë që të tregohet më e njerëzishme me të.

    -Për dy të martuar shqiptari ka gjetjen e mrekullueshme “bashkëshortë”. Do të thotë që martesa është “shorti” apo fati i thënë si nga Zoti, i përbashkët e i pandashëm, (gjersa nuk ke arsye bindëse për t’u ndarë).

    -Seksi pa dashuri është si pema pa gjethe e lule. Prej saj mos prit frytet, të domosdoshme për jetën.

    -Pleqëria hakmerret te njeriu kur ai nuk ka menduar për ‘të gjatë rinisë.

    -Trashëgimia është dhe algjebër: nga prindi i mirë lind fëmija i lig, si tymi nga flaka; nga prindi i lig lind fëmija i mirë, si flutura nga larva.

    -Njeriu është një tërësi bregdeti: në fëmijëri i ngjan guaskës së detit; në rini valës; në burrëri – shkëmbit; në pleqëri – rërës.