Fëmijët e fshatrave të Beratit nuk njohin abetaren e Naimit

    110

    Mungesa e shkollave në fshatrat e Komunës Sinjë detyron nxënësit të shkojnë te të afërmit e tyre në qytete e fshatra të tjerë

    Mungesë e shkollave në fshatrat e Komunës Sinjë të Beratit ka bërë që shumë fëmijë të marrin “rrugën e emigracionit” për dije brenda vendit. Prindërit për të mos lënë fëmijët analfabetë janë detyruar të marrin masa të tjera për të gjetur mundësi shkollimi për fëmijët e tyre në rrethe të ndryshme të vendit, në miq, shokë dhe dashamirë, që u qajnë hallin. Për shkak të mungesës së shkollave, ky është një lloj emigracioni i detyruar. Janë një numër i madh fëmijësh që tashmë janë strehuar nëpër njerëzit e afërm të familjes apo në banesa me qira në qytetet e Beratit, Kuçovës, Patosit, Urë – Vajgurore etj.. Shkak për këtë janë bërë mungesat e shkollave në fshatrat e Plashnik, Velçan,  Osmënzes  etj.. Shumë prindër që nuk kanë njerëz ose mundësi tjetër për të lëvizur fëmijët, kanë zgjedhur të marrin ndonjë abetare për t’u mësuar vetë fëmijëve të shkruajnë dhe të lexojnë, ndërsa disa të tjerë kanë gjetur mënyrën më të thjeshtë, i angazhojnë fëmijët në punët bujqësore dhe blegtorale, duke i lënë ata analfabetë, që të mos e njohin fare abetaren e Naimit. Veç mungesës së shkollave në këtë zonë mungon edhe infrastruktura rrugore, pasi fëmijët mund të vinin me furgon në fshatra rreth Beratit apo edhe në Berat për të vazhduar shkollën. “Këto mangësi janë të mbartura prej vitesh, ne si banorë të këtyre zonave na vjen keq kur shikojmë fëmijët tanë që të mos mësojnë shkrim e këndim”, shprehet Namik Velçan, një banor i zonës.

    Ironia e fatit

    Në këtë zonë ka fëmijë që nuk dinë se ç’është shkolla, ç’është libri dhe kjo ndodh në shekullin e 21-të, ndërsa Kryeministri, si për ironi me qytetarët e vetë flet për internet nëpër fshatra e zona të thella malore. Më keq nga të tëra është, më e izoluar dhe pa asnjë shkollë është edhe zona e Plashnikut. Këtu fëmijët janë kthye në analfabetë, janë kthyer në barinj bagëtish. “Ne si komunë kemi kërkuar fonde nga Ministra Transporteve për rehabilitimin e rrugëve rurale, por kërkesat tona kanë rënë në veshë të shurdhët”, thotë kreu i komunës, Pelivan Sina. Banorët janë shumë të shqetësuar për këtë gjendje mesjetare, ku fëmijët janë të privuar nga e drejta më minimale, të drejtën për t’u shkolluar. Por, duke u interesuar për gjendjen e shkollave në Drejtorinë Arsimore të Qarkut të Berati, mësuam se një gjendje e tillë nuk është vetëm në zonën e Sinjës, por edhe në zonën e Roshnikut, të Tërpanit, disa fshatra të Skraparit, ku nxënësit bëjnë orë të tëra rrugë për të shkuar në shkollë. Duke qenë larg, shumë fëmijë të moshës 6-vjeç, nuk po shkojnë fare në shkollë. Nuk bëhet fjalë fare për edukimin parashkollor, pasi kjo hallkë nuk ekziston fare në këto zona.