Zgjebja e qenve rrezikon Beratin (!)

1338
Sigal

Shtimi i numrit të qenve rrugaçë të prekur nga zgjebja po rrezikon seriozisht jetën e njerëzve në qytetin e Beratit. Qentë e ngordhur nga aksidentet nga sëmundja e zgjebes dhe nga sëmundje të tjera janë hedhur vend e pa vend, në kanale, gropa që ndodhen nëpër lagjet e qytetit, madje edhe në koshat të plehrave, duke përbërë një rrezik eminent për njerëzit, sidomos fëmijët. Infeksionet që çlirohen nga dekompozimi i tyre përbën jo vetëm rrezik për individë të caktuar, por edhe rrezik epidemie, deri edhe në epidemi kolere. Më e rrezikshme është gjendja me qentë rrugaçë, të cilët prej vitesh kanë pushtuar qytetin. Ata janë jashtë çdo kontrolli dhe nga sëmundja e zgjebes ngordhin vend e pa vend. Mjeku specialist veteriner, Servet Mika jep alarmin duke vënë në dukje rrezikshmërinë që paraqisin qentë e sëmurë me zgjebe, e cila prek edhe njerëzit në të gjitha pjesët e lëkurës dhe që kërkon kosto të lartë kurimi. Shumë njerëz që kanë qenë në shtëpi nuk i kurojnë atë fare, po me qentë luajnë fëmijët, të cilët e marrin menjëherë zgjeben dhe leshmanjozën. Numri i qenve në shtëpi është shtuar si pasojë e një afeksioni që kanë njerëzit për këto lloj kafshe, por që t’i mbash ata duhet të kesh edhe një kulturë shëndetësore dhe higjienike si për kafshën ashtu edhe për njerëzit, të cilët duhet të trajtohen vazhdimisht. Numri qenve rrugaçë është rritur nga prurjet e mëdha nga familjet e zonave rurale në periferi të lagjeve qytetit. Ata kanë ardhur dhe kanë ndërtuar banesat e tyre dhe me vete kanë marrë dhe kafshët që kanë patur më parë në fshat.