Fatura e energjisë elektrike, trishton invalidët

    59

     CEZ, ndërpret energjinë në mënyrë kolektive, qeveria nuk po mbështet shtresat në nevojë

    Kur fatura e energjisë elektrike e muajit Prill trokiti në dyert e familjeve të të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve e pa rimbursuar i befasoi ca, por nuk i trishtoi, se ruanin shpresën e kompensimit financiar të njëjtë si më parë, pavarësisht ndryshimeve ligjore të miratuara atë muaj. Madje pas fjalës së ministrit të Financave në Parlament, se nuk do të uleshin përfitimet, por këto masa merreshin për të evituar abuzimet e mëdha, shqetësuese për buxhetin e shtetit, protestimi i shoqatave dukej i tepruar. Jo fort të bindur pasi qeveria mund të ndëshkonte abuzuesit me mënyra e forma të tjera, shoqatat vazhduan të kërkonin tek Presidenti i Republikës të mos dekretonte ligjin dhe më pas Gjykatës Kushtetuese anulimin e tij. Avokati i Popullit dhe përfaqësuesi i OSBE-së mbështetën shoqatat dhe shprehën rezerva për ndryshimet ligjore. Gjithsesi shpresonin se qeveria do të bënte kompensim të drejtë. Tashmë që vendimi nr. 404 datë 20.6.2012 “Për caktimin e masës së kritereve e të procedurave të përfitimit të kompensimit financiar, nga Personat me statusin e të Verbrit dhe invalidit, Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, për faturën e energjisë elektrike dhe faturën e telefonisë fikse”, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 82 datë 17 Korrik 2012, por nuk është vënë ende në zbatim. Kjo vonesë ka bërë që Personat me Aftësi të Kufizuar të jenë në vështirësi për pagimin e faturës së energjisë elektrike në kohë e cila sa vjen dhe rëndohet, pasi kompania zbaton kamatëvonesat. Akumulimi i faturave për disa muaj me radhë do e bëjë të pamundur  pagimin e energjisë elektrike e që CEZ-I mund të marri në dorë gërshërët e ndërprerjes së furnizimit konsumatorëve, siç ka bërë edhe me të tjerët. Dhe zemërgjerësia e kompanive private nuk është aq e madhe, pavarësisht arsyeve të përligjura nga konsumatorët. Për shkak të diagnozës së sëmundjes, energjia elektrike për të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët nuk është e nevojshme vetëm për ndriçim e informim, por edhe për disa pajisje të tjera të domosdoshme për jetesën e përditshme. Për këtë arsye ishte vendosur me ligj, që shteti të kompensonte 80 % të faturës mujore, pavarësisht sasisë së harxhuar. Tashmë, me vendimin e qeverisë, të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjikët që kanë nevojë për shërbyes do të marrin vetëm 2000 lekë në muaj, ndërsa të tjerët 1400 lekë. Duke pasur parasysh se çmimi shkon deri në16,2 lekë kë/orë, ky kompensim vlen përkatësisht vetëm për 124 dhe 84 kilovat të harxhuar në muaj. Shumë pak mund ta dinë se uji i ngrohtë për një paraplegjik e tetraplegjik nuk është komoditet, por nevojë jetike për ta pasur atë të garantuar në 24 orë. Përveç kriterit të invaliditetit qeveria duhet të kish marrë në konsideratë lidhjen familjare të invalidit dhe nivelin ekonomik të gjithë familjes. Kur invalidi është dhe kryefamiljar dhe pjesëtarët e familjes janë të pa punë, të ardhurat janë tepër modeste. Madje, disa familje që jetojnë vetëm me të ardhurat nga pensioni i invaliditet e pagesa e aftësisë së kufizuar, kjo faturë kthehet në tmerr. Tashmë të frikësuar se të nesërmen mund t’u ndërpritet energjia elektrike mundohen të kursejnë në maksimum. Por sa më e lehtë të bëhet kjo faturë aq më tepër ulet cilësia e jetesës dhe shërbimi ndaj tyre. Jo vetëm të trishtuar se kompensimi nuk është i drejtë, por edhe në ankth se në të ardhmen mund të mos i përfitojnë as ato pak lekë, ashtu siç ka ndodhur edhe me disa kategori sociale të popullsisë, që u është hequr kompensimi për faturat elektrike. Dhe kur qeveria e ka kaq të lehtë të cenojë statuset e këtyre grupeve sociale shoqërore, sa të thjeshtë do e ketë ta ndryshojë vendimin e saj në të ardhmen!