Fatmir TOÇI/ Çfarë duan dhe çfarë kërkojnë veteranët?

    295
    Sigal

    Me veteranët e Vlorës

    Besoj se askush nuk mund ta diskutojë dhe ta vërë në dyshim se veteranët janë shtresa më e dashur dhe më e respektuar e shoqërisë sonë, edhe pse në këto dy dekadat e fundit vëmendja ndaj tyre dhe kërkesave të tyre jo gjithmonë ka qenë ajo që ata meritojnë në të vërtetë. Të thjeshtë e modestë, fisnikë në sjelljet dhe komunikimin me të gjithë, ata kanë qenë dhe mbeten për ne, një kujtesë e gjallë për vuajtjet e sakrificat që ka kaluar në shekuj kombi ynë për liri e pavarësi kombëtare. Pjesë e gjallë e memories historike, ata kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten edhe një faktor i rëndësishëm për edukimin e brezave, që nga lindja e fëmijës, etapat e rritjes e deri sa njeriu nis i pavarur rrugën e bukur, por të vështirë të jetës.

    Takohem shpesh me moshatarët dhe në veçanti me veteranët e Luftës, aq sa kanë mbetur për shkak të moshës dhe të punës. Dhe në çdo rast ke shumë për të mësuar prej tyre. I takoj dhe ulem me ta në zonat ku shkel, por më shumë në Vlorë, ku janë dhe më të organizuar në jetën e tyre shoqërore që zhvillojnë.

    Një takim të tillë tregojnë fotot e hedhura në mënyrë amatore në këtë status të facebook-ut. Janë kryesitë e Komitetit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve etj., të kryesuar nga Seit Jonuzaj, Balil Banushaj, Resmie Ruçi etj. E kishin kërkuar prej kohesh një takim të tillë për të ngritur problemet e tyre dhe mundëm ta organizojmë tre ditë para 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.

    Dhe çfarë kërkojnë prej kohesh veteranët e Vlorës dhe organizmat e tyre?

    Asgjë për vete dhe familjet e tyre; asgjë për fëmijët e familjarët e tjerë, edhe pse kanë probleme pa fund. Probleme sociale, të papunësisë së theksuar, të trajtimit shëndetësor etj. Por kërkesat e tyre, si dhe gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit të trishtë për ta, janë për një vëmendje më të madhe për përkujtimin dhe festimet e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, për rikonstruksionin dhe kujdes më të madh për monumentet e simbolet e LANÇ, memorialët, lapidarët, pllakat përkujtimore etj., për risistemimin dhe rikonstruksionin e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut në Vlorë dhe vendet e tjera, ku ndodhen për respekt më të madh dhe trajtim sipas ligjit të familjeve të dëshmorëve, për një vëmendje më të madhe dhe respektimin e datave të rënies së dëshmorëve dhe ngjarjet e rëndësishme të Luftërave për liri e pavarësi, përgjatë historisë etj. Dhe duhet vërtetë një vëmendje, vlerësim dhe respekt më i madh për këto ngjarje, për të rënët, për Luftën dhe rëndësinë e saj.

    Këta janë veteranët e Vlorës, por edhe në të gjithë Shqipërinë që nuk na lënë të gabojmë: Të urtë, fisnikë, të mençur, kërkues, që na ushqejnë në çdo çast me dashurinë e pakufishme për vendin dhe njëri-tjetrin.

    Vlerësim, dashuri dhe respekt të pakufishëm për veteranët!