Fadil KEPI/ Preza në rrjedhën e historisë

    1637
    Sigal

    “Popujt nuk i bën të mëdhenj numri i njerëzve, por historia dhe kultura e tyre”. Me këtë thënie të Lumo Skëndos, e ka filluar librin e tij të 11-të, mësuesi i nderuar dhe ish drejtori i shkollës në Marikaj, Xheladin Subashi. Libri “Preza në rrjedhën e historisë” me 270 faqe dhe nën kujdesin e kryetarit të komunës së Prezës Ahmet Halili, u promovua ditët e fundit në Kalanë e saj. Ky libër është produkt i një pune hulumtuese e sistematike disa vjeçare, në Arkivën e Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, materialeve që disponon Biblioteka Kombëtare dhe të 53 botimeve historike nga autorë e historianë të nderuar si Bargjini, Barleti, Noli, Akademiku Kristo Frashëri, Profesor Zyhdi Dervishi, etj.. Autori e ka studiuar Prezën si vendbanim të hershëm dhe si qendër turistike. Kalaja e Prezës, ndodhet rreth 20 km larg Tiranës, 30 km nga Durrësi, 18 nga Kruja dhe në vijë ajrore 2 km nga Aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas dhe duket sikur i bën roje atij. Komuna e Prezës përfshin 7 fshatra, Prezë Kala, Gjec-Kodër, Fushë Prezë, Ahmetaq, Palaq, Ndërmjetës dhe Breg-Shkozë, me rreth 7.000 banorë, nga 900 që ka patur në vitin 1703.

    Kalaja e Prezës ndodhet 277 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve dhe arkeologëve shqiptarë e të huaj ka filluar të ndërtohet rreth 2400 vjet më parë. Ajo ka një gjatësi 80 metra, gjerësi 50 metra dhe trashësia e mureve deri 1,4 metra. Nga Kalaja e Prezës shikohet Kalaja e Lezhës, Krujës, Ishmit, Petrelës, mali i Dajtit, Kryeqyteti i Shqipërisë, mali i Tomorrit dhe deti Adriatik. Albanologu gjerman Fon Han në vitin 1853 përshkruan kullën e sahatit të Prezës e cila mendohet se është ndërtuar në vitet 1800-1850 dhe thekson se tingulli i dëgjohej deri në afërsi të Tiranës e Krujës. Sipas dëshmive historike të kohës së Skënderbeut, kështjella e Prezës, në kodrën më të lartë në veriperëndim të Tiranës përmes sinjaleve pamore u dërgonte mbrojtësve të kështjellës së Krujës mesazhe të ndryshme që kishin të bënin me lëvizjet dhe manovrimet luftarake të ushtrive osmane nëpërmjet Tiranës dhe Krujës. “Kur ndizej një zjarr i madh në kullën rrethore të kalasë së Prezës, garnizoni i ushtarëve, që mbronte kështjellën e Krujës nën komandën e Vrano Kontit merrte mesazhin se ushtria osmane, po i afrohej Krujës dhe fillonte rrethimin e Kështjellës”. Në vitet ‘49-‘48 para erës re, në Prezë janë zhvilluar luftëra civile, mes Jul Çezarit dhe Pompeut. Që në atë periudhë kjo trevë quhej “qyteza e fortifikuar e parthinëve”. Në anë të rrugës për në Prezë edhe sot ekziston një krua me emrin “Qesarak” të cilin dom Mark Dushi e quan “vend të shenjtë”.

     DISA NGJARJE NË KALANË E PREZËS

    Përveç luftërave të shumta të zhvilluara në kalanë e Prezës, sipas historianit Marin Barleti më 26 janar 1445, në kalanë e Prezës është bërë dasma e martesës së motrës së vogël të Skënderbeut, Mamicës me Muzak Topinë. Rast i rrallë, nusja nga kalaja e Krujës, dasma në Kalanë e Prezës dhe dhëndëri nga kalaja e Petrelës. Kjo zgjedhje e mençur e Skënderbeut, u bë jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për mikpritjen, besën e bujarinë e banorëve të Prezës.

    Prifti e shkrimtari Shtjefën Gjeçovi, lindur në fshatin Kryezi të Pukës, nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nder i Kombit”, në vitin 1902, i mrekulluar nga natyra mahnitëse e kësaj treve në novelën “Mnera e Prezës” shkruan: “E pamja e këtij vendi të këndshëm ta përtërinë jetën, rreshtat e pemvet e bukuria e pasosme e natyrës t’i verbon sytë e t’i merr mentë” dhe më poshtë vazhdon:

     Prezë, o Prezë, me t’madhnue,

     Kah t’ja fill, unë nuk e di

     A prej fushës me fillue,

     A prej kodrash plot hyri?

    Kalaja e Prezës është e pabanueshme. Brenda murit rrethues përfshihet kulla e sahatit dhe xhamia e ndërtuar shumë vite më parë, por e restauruar kohët e fundit.

    Në afërsi të Kalasë është edhe pusi mijëvjeçar, që bashkë me kalanë mbrohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

    Në kalanë e Prezës, janë xhiruar disa pjesë të filmave tanë artistikë, videoklipe nga këngëtarë, dasma, e në vitin 2008 u zhvillua ceremonia e spektaklit “Mis Shqipëria”, etj..

    Kalaja e Prezës është vizituar nga historianë, albanologë, turistë vendas e të huaj, drejtues të shtetit shqiptar nga mbreti Zog deri tek presidentët e Republikës.

     PREJARDHJA E EMRIT “PREZË”

    Në regjistrimin e parë të popullsisë dhe të pasurisë, të bërë nga turqit, në vitet 1431-1432, sipas historianit turk Halil Inaçik, Preza figuron me emrin “PRIZDE”, me 27 shtëpi. Ndërsa nga Marin Barleti në librin e tij “Historia e Skënderbeut” në vitet 1508-1510 gjejmë toponimin “PRESA”, (Preza ose Tirana e vogël). Arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober të cilët vizituan Prezën në vitin 1916 shkruajnë: “emri Prezë mbijetoi në shekuj, falë pozicionit strategjik shumë funksional dhe bukurisë marramendëse”. Kur themi Prezë, nënkuptojmë fshatrat që e përbëjnë këtë trevë. Mark Skura, arqipeshkv i Durrësit, më 20.12.1641, që shkeli në këmbë këtë krahinë dëshmon se Preza ishte qytezë (shehr). Ish konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës me profesion mjek, filolog dhe arkeolog shkruan se Preza nuk ishte vetëm një qytezë me kala, por dhe një qëndër e njësisë administrative.

     PREZA, NJËSI ADMINISTRATIVE

    Që në shekullin e 18-të, Preza ka patur statusin e njësisë administrative. Akademiku Kristo Frashëri shkruan se pashallëku i Tiranës përbëhej prej tri nahije (kantone) që ishin Tirana, Preza dhe Ishmi. Këtë status Preza e ka marrë nga mesi i viteve 1771-1788 dhe me këtë status erdhi deri në vitin 1912. Më 22 nëntor të vitit 1913, qeveria e Ismail Qemalit miratoi ligjin për ndarjen administrative, ku Preza si njësi vendore mbeti në juridiksionin e nënprefekturës së Shijakut. Për herë të parë në vitin 1916, krahina e Prezës pajiset me vulën e saj të shkruar në gjuhën shqipe. Sipas regjistrimit të popullsisë më 1.6.1917, kjo krahinë kishte në vartësi 33 fshatra me 9.123 banorë. Më 11 prill 1929 me dekret të Mbretit Zog Preza u shpall komunë dhe përbëhej nga 15 fshatra, numri i fshatrave u zvogëlua, por vartësia mbeti nga nënprefektura Shijak deri në nëntor 1947, kur me organizimin e ri Preza për 2 vjet u bë lokalitet. Për periudhën 1949-1970 me fshatra të veçantë dhe fshat i bashkuar në vitet 1970-1991. Më 10 qershor 1992 Këshilli i Ministrave bëri një ndarje të re administrative ku Preza u rishpall Komunë mbas 45 vitesh, që vazhdon edhe sot.

    Gjatë luftës për çlirimin e vendit ranë dëshmorë: Vesel Xhepaxhiu, Zeqir Daci, Shim Shima, Ramazan Sinani, Osman Bubku, Zelen Topi, Ramazan Zhiqja, Ibrahim Dervishi, Ahmet Boja, Rexhep Çuni, Islam Shehu, të cilët përkujtohen me nderim nga populli i Prezës.

    EKONOMIA, ARSIMI, SHËNDETËSIA, KULTURA E SPORTI

    Prezanët janë punëdashës. Fjala e urtë “Ç’u sheh syri ia bën dora” është zbatuar më së miri në këtë trevë. Drejtimi kryesor i zhvillimit ekonomik në Prezë kanë qenë bujqësia, blegtoria e pemëtaria. Banorët e kësaj zone kanë përvojë të hershme për kulturën e ullirit e duhanit. Konsulli venedikas Simoneti më 26.3.1769 dëshmon në shkrimet e tij se: “tregtarët shqiptarë eksportonin në drejtim të Venedikut nëpërmjet Durrësit 2.600 fuçi me vaj ulliri dhe 14.000 dengje me duhan të grumbulluara në Tiranë, Ndroq, Prezë, Krujë e Durrës”. Me mençurinë e tyre për të ruajtur tokën në fushë, prezanët shtëpitë historikisht i kishin ndërtuar në kodër, traditë e cila vitet e fundit u shkel nga vetë banorët duke zënë me lokale e objekte të tjera, tokat e tyre pjellore shpesh pa kriter! Prodhimet artistike të grave, si pëlhurat, qëndismat i kanë kaluar nëpërmjet eksportit kufijtë e Shqipërisë.

                 Shkolla e parë shqipe në Prezë është hapur në mars të vitit 1914 dhe mësuesi i parë ka qenë shijakasi Qazim Domi, por më parë ka patur shkolla fetare ku në programet e tyre zhvilloheshin edhe shkencat e natyrës. Nga drejtuesit e shkollës në Prezë janë dalluar Shaban Sheshori në periudhën 1937-1941, emrin e të cilit mban shkolla e mesme në Prezë, Gani Dervishi për 28 vjet etj. Nga shkolla e Prezës kanë mësuar Akademiku Bajram Preza, ish Kryetari Komitetit Ekzekutiv të Krujës Jaho Kasemi, Profesor Zyhdi Dervishi, etj., gjithnjë suksesivë, të mençur e të përkushtuar ndaj punës dhe mirësisë. Nga Preza janë zgjedhur 3 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

                 Ish nxënësi i shkollës në Prezë, Myrteza Kepi, mbasi mbaroi shkollën e mesme të naftës në Kucovë dhe punonte përgjegjës i pompave të Naftës në Cërrik, në moshën 20 vjeçare dha jetën në krye të detyrës bashkë me inxhinierin Muhamet Shehu. Në nderim të veprës së tyre, Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka dekoruar me titullin e lartë, “Hero i Punës”. Shkolla profesionale e Naftës në Kuçovë, mban emrin “Myrteza Kepi”.

                Ambulanca e parë në Prezë është ndërtuar në vitin 1938, në vitin 1972 u ndërtua qendra shëndetësore për vizita të përgjithshme, konsultore për nënën e fëmijën dhe shtëpi lindje, klinikë dentare dhe farmaci. Në trevën e Prezës funksionojnë edhe 4 ambulanca në Gjeç-Kodër, Ahmetaq, Palaq e Fushë Prezë, ku kanë kontribuar me punën e tyre të palodhur Ramazan Mesiti, Shaban Demirxhiu, Bedri Zela, Musa Budlla, Jakup Hoxha dhe punonjëse të tjera infermiere-mami. Në Prezë ka shumë bimë mjekësore, për rrjedhojë është zhvilluar edhe mjekësia popullore. Mjeku i mirënjohur i dermatologjisë Kadri Kërçiku vinte shpesh në Prezë dhe konsultohej me familjet që i kultivonin këto bimë dhe i përdornin për mjekime.

                Në konkurrimet folklorike zonale Preza disa herë ka zënë vendet e para e të suksesshme në Festivalet e Gjirokastrës. Këngëtarja e re dhe me prespektivë Olta Boka është mbesë e fisit të nderuar Mesiti nga Preza. Preza prej disa vitesh ka nxjerrë gazetën e saj me të njëjtin emër. Vitet e fundit, në sajë të punës së mësuesit Muharrem Budlla ka televizionin e saj lokal. Limon Daci, shok e bashkëkohës i Qemal Voglit të madh, (portierit të talentuar të ekipit tonë kombëtar), ka qenë altet, Fatjoni e Fjora futbollistë në ekipet e Tiranës, Dinamos e bundesligën gjermane.

                 Periudha 1992-2014, për Prezën si kudo në Shqipëri shënoi arritje të mira në zhvillimin ekonomik, social kulturor, turistik, mirëqenies, me furnizim me energji elektrike, ujë, ndërtimin e shtëpive të reja, rrugëve, bizneseve, zhvillimit të arsimit, shëndetësisë, etj. Duke shfrytëzuar pozicionin e favorshëm gjeografik, kushteve klimaterike, ullinjve e tokës që disponojnë, mençurinë e dashurinë për punë, papunësia në Prezë është e ulët. Preza jonë e dashur, asnjëherë nuk ka qenë më e bukur. Me besimin ndaj Zotit, shpresoj se ajo do të bëhet gjithnjë dhe më e bukur! Ky zhvillim i pandalshëm ka shtuar interesimin e turistëve vendas e të huaj. Në Prezë, ka familje nga rrethe e shtete të tjera si Gjermania e Italia, që zhvillojnë biznese, jetojnë e punojnë prej shumë vitesh pavarësisht besimeve fetare e bindjeve politike. Në Prezë mosmarrëveshjet ndërmjet banorëve në raport me popullsinë e saj janë të pakta, nuk ka asnjë familje të ngujuar apo prind që të jetë dërguar nga fëmijët në azilet e të moshuarve.

                Ja pse krenohem që jam nga Preza!

                Libri “Preza në rrjedhën e historisë”, zbukuron bibliotekën e çdo prezani. Na mbetet detyrë ne si gjyshër, prindër, mësues, televizionit “Preza”, t’ia bëjmë sa më të njohur këtë libër fëmijëve, mbesave e nipave, brenda e jashtë vendit kudo që punojnë e jetojnë.

    Faleminderit e suksese të mëtejshme miku ynë Xheladin Subashi!

    Prezë, shtator 2014