Esat Jashari/ Qyteza rome në Tufinë, ëndrra, mangësi dhe dilema

    398
    Sigal

    Intervista/ Flet Esat Jashari, president i shoqatës “Arsimim dhe Integrim i Romëve”

    Nuk është dhe aq e lehtë të vizitosh qytezën e re në Shish-Tufinë, ku strehohen 37 familje rome, që disa muaj më parë një firmë ndërtimi ua prishi barakat dhe i përzuri, tek “Pallati me shigjeta”. I pari, roja private e qytezës, dhe i dyti magazinieri i saj, na ndalojnë. “Për gazetarët, duhet një autorizim”, thotë roja. Gjithsesi, pavarësisht nga ky “fërkim” i padëshiruar, jemi të prirur të besojmë se ky është një mesazh i mirë, që tregon se shteti ka vënë kujdestarë të posaçëm, që këtu punët të ecin sa më mirë, dhe që romët të jenë sa më të sigurt. Qyteza është krijuar vetëm pak muaj më parë, dhe është kontribut i koordinuar i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ofroi për romët mjediset e ish repartit ushtarak, dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale e Rinisë, në bazë të një VKM-je ekstra.

    Jetesa dhe rutina e së përditshmes

    Ministritë që janë përfshirë në projektin për strehimin e romëve në Shish Tufinë, përgjithësisht kanë arritur një synim pozitiv të tyre, që jetesa e romëve të bëhet sa më normale. Banesat nga brenda gjithsesi kanë hapësirat e nevojshme, nuk pikojnë, kanë ngrohtësinë e duhur në dimër, por kjo, në përgjithësi nuk është se i kënaq romët. Krejt normale kjo, përderisa duan që të jenë sa më të mirëqenë. Mjedisit aty vazhdohet t’i bëhen përmirësime. Por… ujë nuk ka gjithmonë. “Uji është përherë  problem për ne”, thonë nënat me fëmijë të vegjël. “Është jetë e vështirë, kjo, sepse kemi kalamaj të vegjël. Si do bëjmë kur të vijë vapa e madhe”, ankohen ato. Interesohemi për pikën e shërbimit mjekësor. Shërbimi shëndetësor këtu, sipas banorëve romë, aplikohet me kontrolle periodike. Sa për shkollimin, jo të gjithë fëmijët shkojnë në shkollë. Ndaj për këtë gjë këtu shqetësimi i shoqatës “Arsimim e Integrim i Romëve”, shprehet haptas. Presidenti i kësaj shoqate, z. Esat Jashari, thotë se ndjen vështirësi për ta evidentuar në vijimësi këtë proces, se koordinimi me stafe profesionale është ende i mangët, pavarësisht  nga interesimi në rritje i hallkave shtetërore. “Sigurisht, për këto gjëra duhen edhe fonde”, thotë ai.

    INTEGRIMI, ASPIRATË GJITHMONË E DËSHIRUAR E ROMËVE

    Jetojmë një kohë, me shumë probleme për komunitetin rom në Shqipëri, ndaj dhe nga ky kontekst, misioni i shoqatës sonë sot merr një peshë shumë të rëndësishme”. Presidenti i shoqatës “Arsimim dhe Integrim i Romëve”, Esat Jashari, precizon detajet e procesit të integrimit të këtij komuniteti, si dhe kushtet e reja politike e sociale, në të cilat operon shoqata që ai drejton. Thotë se aspirata e integrimit të romëve në shoqërinë shqiptare, aspirata e kërkesës së tyre për një jetesë me kushte sa më të barabarta me shtresat e tjera shoqërore, ka qenë një aspiratë e kahershme. Ndërkaq, ai evidencon edhe hapat pozitive të shtetit demokratik shqiptar sot, për ta ndihmuar e përkrahur këtë komunitet, për ta mbështetur me ligje dhe projekte. Në intervistën që ai dha për gazetën “Telegraf”, zoti Jashari garantoi se shoqata që ai drejton do jetë gjithnjë në krye të projekteve që do të iniciohen nga shteti shqiptar, apo nga donacione të ndryshme të Bashkimit Europian, si dhe nga agjensi apo shoqata të tjera të cilat kanë dashamirësinë dhe prirjen për të ndihmuar romët në udhën e vështirë të integrimit, rritjes së mirëqenies së tyre, garantimit të shanseve të barabarta si gjithë të tjerët.

    -Zoti president, ju lutem një koment të shkurtër për misionin e shoqatës për “Arsimim dhe Integrim të Romëve”?     

    -Vetë emërtimi i shoqatës sonë shpreh në brendi edhe thelbin e misionit. Arsimimi dhe integrimi janë dy shtyllat kryesore ku mbështetet fort shoqata jonë. Janë dy kriteret bazë që justifikojnë edhe vetë ngritjen e kësaj shoqate. Dihen tashmë diferencat që ka komuniteti rom krahasuar me shtresat e tjera në këtë vend, lidhur me shkollimin. Natyrisht, të shkolluar duhet të jenë të gjitha moshat e këtij komuniteti, kjo është mese e kuptueshme, por domosdoshmëria e shkollimit, në mënyrë shumë konkrete, kuptohet që është për fëmijët romë. Është një nga problemet më të mprehta që ka komuniteti rom sot.

    -Media shqiptare, herë pas here jep pamje nga gjendja e rëndë e fëmijëve romë në Shqipëri. Ju si president i shoqatës, si mund t’i gruponi problematikat e tyre aktualisht?

    -Ç’t’u them. Fëmijët romë në Shqipëri jetojnë sot në kushte të mjeruara. Nuk është nevoja t’i bëj unë përshkrimet rreth këtij fakti dramatik. Fëmijë romë, nga 3 e 4 vjeç, e deri në 10 a 12 vjeç i sheh nëpër udhëkryqe, duke fshirë xhamat e makinave, në pritje të marrjes së qindarkave të mëshirës nga shoferët. Shpesh edhe duke rrezikuar jetën e tyre. Të tjerë, nëpër cepa rrugësh, duke shtrirë dorën për lëmoshë. Të tjerë i gjen në të vetmin “vend pune” që ka Tirana, apo qytetet e tjera shqiptare: kazanët e plehrave. Kjo është një situatë skandaloze e dramatike që duhet të marrë fund sa më parë.

    -Dhe cila është rrugëzgjidhja, sipas jush?

    -Rrugëzgjidhja gjendet pikërisht në procesin e integrimit të tyre në sistemin arsimor shqiptar. Nuk them që gjendja është njëlloj si shume vite më parë, pasi për të qenë të sinqertë, janë bërë disa hapa të rëndësishme për arsimimin e fëmijëve romë. Ministria e Arsimit, për shembull, ka orientime të qarta për tërheqjen e fëmijëve romë, që ata të frekuentojnë bankat e shkollave. Fëmijët romë rrinë në rrugë, ushtrojnë lypsarinë, jo nga qejfi, jo se “ashtu dinë të jetojnë”, jo; por se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar mbijetesën e tyre. Thjeshtë për t’u ushqyer. Misioni i shoqatës sonë, është pikërisht nxjerrja e romëve nga kjo gjendje e rëndë në të cilën ndodhen.

    – Si e vlerësoni përkujdesjen e shtetit për strehimin e romëve, si në rastin e akomodimit në qendrën e Tufinës vetëm pak kohë më parë?

    -Natyrisht, që është një gjë mjaft pozitive, por është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Madje një pjesë fare, fare e vogël. Problemi i parë i komunitetit rom është strehimi. Rregullat që ka nxjerrë bashkia për të përfituar strehim janë të pafavorshme. Nuk dimë ndonjë rast, që ndonjë familje rome të ketë përfituar nga bonuset e bashkisë së Tiranës, apo ato të rretheve. Kur themi “integrim i romëve” kemi parasysh edhe strehimin e tyre, që është shqetësimi i parë dhe më i madhi që kanë ata. Besoj se jeni ne dijeni që ka plot raste kur fëmijë romë nga disa javë deri në disa muaj edhe kanë vdekur nga të ftohtët, në strehat e tyre tejet vorfënore. Një tjetër fëmijë rom tek “Pallati me shigjeta”, përpara se të ndërhynte shteti për t’i strehuar në Shish Tufinë, e shtypi makina. Ishte shumë tragjike kjo ngjarje. Po ashtu dhe në Elbasan, ku u dogjën gjallë brenda barakës, nënë e bir.

    -Konkretisht, pra, çfarë kërkoni nga shteti? 

    -Shteti i ka të gjitha gjërat në dorë për ne romët. Vetëm ai mund të na nxjerrë nga gjendja e rëndë ku ndodhemi. Neve nuk na shpëton dot as media, që në fakt duhet thënë se na ka mbështetur jashtë mase; nuk na shpëton dot as, televizioni që ka ngritur herë pas here problemin tonë; nuk na shpëton dot as bamirësia e ndonjë shoqate apo organizate, edhe pse ato ne i vlerësojmë jashtë mase. Neve na shpëton vetëm ndërhyrja e shtetit. Shteti i ka të gjitha mundësitë që të na fusë në projekte zhvillimi, në mënyrë që edhe neve si komunitet, të integrohemi, të banojmë në kushte normale, të punësohemi e të jetojmë, si gjithë të tjerët.

    box

    Institucionet e shtetit, në bashkëkordinim

    Emergjenca e para disa muajve tek “Pallati me shigjeta”, tërhoqi më shumë se kurrë vëmendjen e Shtetit shiptar dhe të organizmave ndërkombëtare për romët. Në këtë aksion kombëtar, për strehimin dhe akomodimin e romëve u përfhinë intitucionet:

    -Ministria e Mirëqenies Sociale e Rinisë (z. Erjon Veliaj)

    -Ministria e Shëndetësisë (z. Ilir Beqaj)

    -Ministria e Arsimit (zj. Lindita Nikolla)

    -Ministria e Mbrojtjes (zj. Mimi Kodheli)

    -Avokati i Popullit (z. Igli Totozani).