Si i nderon Amerika Luftëtarët e Lirisë

449
Sigal

Për SHBA-të, demokracia dhe përparimi janë të lidhura pazgjidhshmërisht me nderimin dhe respektin për heronjtë e luftës. Këtë e tregoi dhe një herë së fundit, takimi i Presidentit amerikan Barak Obama me veteranë të Luftës së Dytë Botërore, para e pas ceremonisë

Franko-Amerikane për 70 -vjetorin e zbarkimit në Normandi. Një bisedë e përzemërt, një falënderim e respekt për ata që bënë luftën, siç shikohet dhe në fotot e fiksuara nga ky eveniment, është një tregues tjetër dhe ‘leksion’ i kampionëve të demokracisë në botë për ngjarje të rëndësishme që kanë vendosur fatin e popujve dhe kombeve në situatë nga më të vështirat. Thënia dhe apeli i Presidentit Barak Obama “Sa herë që bota ju bën të ndiheni cinikë, ndaloni dhe mendoni për këta burra”, është vlerësimi më i madh i kombit të tij për këta luftëtarë. Përtej këtij ‘leksioni’ që vjen nga kontinenti i largët, është e domosdoshme që dhe ne shqiptarët, të kthejmë sytë nga këto të vërteta të mëdha, pasi dekadave të fundit, nga qarqe të caktuara në vend apo grupime me lidhje me kolaboracionistët, kanë hedhur e po vazhdojnë të hedhin baltë mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, heronjtë, dëshmorët si dhe luftëtarët që u plagosën apo dhanë maksimumin fushave të betejave për lirinë e Shqipërisë e renditjen e vendit tonë në kampin e fitimtarëve të kësaj lufte të përgjakur. Një shembull dinjitoz manifestoi dhe kohët e fundit kreu i Parlamentit Ilir Meta, i cili me vendosmëri, nderoi e respektoi luftën, aktin e heronjve e dëshmorëve dhe simbolet e kësaj lufte. Por në fakt, ky qëndrim, ndonëse me shumë vlera, ende nuk po mbështetet fuqishëm e ashtu siç duhet nga forca politike e faktorë të tjerë në vend, përfshi dhe ato që janë pjesë e qeverisjes. Veteranët e Luftës Nacionalçlirimtare, për fat të keq, sot janë lënë në harresë, të fyer moralisht dhe të lënë përballë vështirësive financiare për mbijetesë. Përtej premtimeve në fushata, pensionet e luftëtarëve të lirisë, janë minimale, aq sa nuk mjaftojnë vetëm për bukë dhe ilaçe. Ndërkohë, simbolet e kësaj lufte, varrezat e dëshmorëve e heronjve, lapidarët e simbolet e tjera vazhdojnë të dhunohen… “Heronjtë e Vigut” u hoqën nga qendra e qytetit të Shkodrës e janë lënë diku në periferi mes plehrave, monumentit të Ismail Qemalit i kanë vjedhur shkronjat e bronzta, qindra varre dëshmorësh janë shkatërruar, lapidarët po ashtu… Heshtje nga shteti, nga ministra e deputete, heshtje për paradoks, dhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës. Është koha, që sa nuk është vonë, të reagohet ashpër kundër kujtdo që hedh baltë kundër luftës e luftëtarëve të saj. Leksioni amerikan, duhet lexuar mirë nga të gjithë e duhet vënë në zbatim.