Emigrantët paguajnë deri në 230 euro, shumë që është mjaft e lartë

    404
    Sigal

    ITALI/ Taksa e lejeqendrimit. TAR: “Shumë e shtrenjtë, të ndërhyjë Gjykata e Drejtësisë”

     CGIL dhe INCA kërkojnë heqjen e “kontributit për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit”. Edhe gjykatës administrative të Lazios i duket tepër i lartë. Gjykimi pezullohet në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë

    –Nga 30 janari 2012, të jesh imigrant i rregullt në Itali është pa dyshim kushton më shtrenjtë për shkak të një “dhurate” të qeverisë së fundit të drejtuar nga Berlusconi, “kontributi për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit”. Qytetarët e huaj që jetojnë e punojnë në Itali, për të marrë apo përtërirë lejen e qëndrimit, dokument i domosdoshëm për të qëndruar në Itali, janë të detyruar të paguajnë nga 80 deri në 200 euro, sipas kohëzgjatjes dhe tipit të lejes. Shumë që u shtohet 27,50 eurove për lëshimin e lejeqëndrimit elektronik dhe 30 eurove që marrin Postat italiane për shërbimin, natyrisht edhe pullë-taksës prej 16 eurosh. Kontributi për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit shpejt edhe mund të reduktohet nga gjykatësit. Gjykatës Administrative Krahinore (TAR) të Lazios, në fakt, i duket i tepruar dhe në mospërputhje me normativën evropiane, aq sa bëhet e nevojshme ndërhyrja e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Çështjen e taksës së lejes së qëndrimit – të sjellë në fuqi me dekret nga Roberto Maroni e Giulio Tremonti,ministrat e atëhershëm, i pari i Brendshëm, i dyti i Ekonomisë – e çuan në gjykatë CGIL dhe INCA. Në padinë e tyre paraqitur TAR-it kanë kërkuar shfuqizimin e dekretit, që konsiderojnë të paligjshëm për një sërë motivesh: shkel parimet e barazisë dhe të arsyeshmërisë, të aftësisë kontributive, të paanësisë dhe të ecurisë së mirë të procedurave administrative. Nën akuzë është edhe destinacioni i parave të mbledhura nga Shteti me këtë kontribut. 50% i shkojnë ministrisë së Brendshme për shpenzime të rendit publik dhe të sigurisë, për të financuar sportelet unike dhe për aktualizimin e marrëveshjes së integrimit. 50% shkojnë për financimin e “Fondit të Riatdhesimeve”, pra, praktikisht, imigrantët e rregullt paguajnë dëbimet e të parregulltve. Për INCA dhe CGIL, edhe ky përdorim i parave është i paarsyeshëm.

    Në shqyrtimin e këtij rasti, TAR-i i referohet normativës europiane

    “Çdo shtet anëtar – lexohet në urdhëresën e depozituar më 20 maj – është i lirë të lëshojë lejet e qëndrimit kundrejt një kontributi, shuma e të cilit nuk duhet të krijojë pengesë për arritjen e statusit të qëndruesit afatgjatë”. Për më tepër, “fuqia vetëvendosëse që ka një Shtet anëtar për përcaktimin e shumës nuk është e pakufizuar dhe nuk i jep të drejtën të vendosë për pagesë kontributesh të tepruara për fuqinë financiare të këtyre qytetarëve”. Gjykatësit kujtojnë “që kostoja për lëshimin e kartës së identitetit është sot 10 euro” ndërsa “shuma më e ulët për lejen e qëndrimit është 80 euro”, pra taksa mbi lejet e qëndrimit rezulton “të paktën 8 herë më e lartë se kostoja e lëshimit të kartës së identitetit”. Një raport që për TAR-in “duket se është në konflikt me parimet evropiane e mbi të gjitha nuk është koherent me parimin e përpjesëtueshmërisë”.

    Këtu e ka burimin edhe vendimi për të kërkuar mendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që mes kompetencave të saj ka edhe zgjidhjen e pikave të dyshimta mbi interpretimin e mbi aplikimin e të drejtës evropiane. Në pritje të këtij mendimi, gjykimi i TAR-it mbetet pezull. “Është një rezultat shumë i rëndësishëm – komenton Morena Piçinini, presidente e INCA-s – që u shtohet sentencave të tjera të favorshme mbi imigracionin, të ndërmarra nga ne. Konfirmon sa të drejta janë kundërshtimet tona, mbi bazën e të cilave kërkojmë ndërhyrjen e drejtësisë për rivendosjen e parimit të barazisë dhe të dinjitetit në politikat që u drejtohen të huajve që, pavarësisht krizës, duan të stabilizohen në vendin tonë”.

    E. P

    ITALI/ Nxënësit e huaj. Ministria korrigjon Udhëzimet: “Leja e qëndrimit nuk nevojitet”

    Për t’u regjistruar në shkollë nuk nevojitet leja e qëndrimit
    Modifikohen Udhëzimet e përgjithshme për Pritjen dhe Integrimin. Sekretaritë nuk duhet të kërkojnë më dokumentin e qëndrimit në çastin e regjistrimit. “Të mos pasurit qëndrim të rregullt në Itali nuk ndikon në ushtrimin e të drejtës së shkollimit”

    – Për t’u regjistruar në shkollë nuk nevojitet leja e qëndrimit. E thotë ligji, e tani edhe ministria e Arsimit.

    Nga kjo e fundit ka mbërritur më 20 maj i shumëkërkuari modifikim i Udhëzimeve për Pritjen dhe Integrimin e nxënësve të huaj të botuara shkurtin e shkuar, që me tekstin fillestar rrezikonte të mbante padrejtësisht larg bankave të shkollës bijtë e imigrantëve të parregullt. Në përshkrimin e procedurës së regjistrimit në shkollë, në Udhëzime thuhej se sekretaria shkollore duhet t’i kërkojë familjes edhe “lejen e qëndrimit dhe dokumentet e zyrës së Gjendjes Civile”, dhe më pas specifikohej që mund të bëhej regjistrimi edhe në mungesë të lejes së qëndrimit. Teksti Unik për Imigracionin specifikon se për regjistrimin në shkollën e detyrueshme nuk duhet treguar leja e qëndrimit, normë kjo që tutelon të drejtën e shkollimit, e drejtë që qëndron më lart nevojës së luftimit të imigracionit të parregullt. Kështu që në Udhëzimet e ministrisë parashikohej një kërkesë e paligjshme. Sipas Shoqatës për Studimet Juridike mbi Imigracionin, që kishte ngritur këtë problem, kjo mund të konsiderohej edhe diskriminuese, e paarsyeshme dhe e dëmshme, ndaj edhe i kërkoi ministrisë së Arsimit të modifikonte atë pjesë të Udhëzimeve.

    Përgjigjja nuk vonoi. Më 20 maj, Drejtoria e Përgjithshme për Nxënësit, Integrimin, Pjesëmarrjen dhe Komunikimin ka shpërndarë një komunikatë që korrigjon Udhëzimet, duke hequr kërkesën e lejes së qëndrimit. “Pas një rileximi të Udhëzimeve për pritjen dhe integrimin e nxënësve të huaj të datës 19 shkurt 2014, është e nevojshme të bëhen zëvendësime e mëposhtme në pikën 2.2 të faqes 10: në vend të “Leje qëndrimi dhe dokumentet e zyrës së Gjendjes Civile” të shkruhet “Dokumente të zyrës së Gjendjes Civile. Në mungesë të dokumenteve, shkolla regjistron gjithsesi të miturin e huaj pasi kjo situatë nuk ndikon në ushtrimin e të drejtës së shkollimit”lexohet në komunikatën e ministrisë.

    E P