Emigrantët mbeten burim aksidentesh

    57

    Moti i keq, vonesa në mbërritjen e trageteve në port

    Moti i keq, me shi dhe erë e cila ka regjistruar deri në 6 ballë në det, vazhdojnë të sjellin veç problemeve në rrugët dhe lagjet e qytetit, edhe vonesa në linjat e trageteve me Italinë. Edhe në portin detar ka patur ndërprerje të proceseve të punës për disa orë, ndërsa një pjesë e rrugëve dhe shesheve kanë patur vështirësi. Një situatë e tillë ka detyruar Bashkinë të urdhërojë vendosjen në punë pa ndërprerje të dy hidrovorëve. Meteorologët parashikojnë përkeqësim të motit, ku pritet që Durrësi mund të përfshihet dhe nga një stuhi e fortë detare. Durrësi këto ditë u përfshi nga një mot i keq, me shi dhe erë dhe si rezultat, puna në portin detar u vështirësua. Por, fatmirësisht, me gjithë motin e keq, që të tre tragetet e linjës Bari-Durrës arritën që të ankorohen në kalata. Kapitenaria e Portit të Durrësit bëri të ditur se tragetet janë nisur respektivisht nga Bari në drejtim të këtij porti. Disa sheshe dhe rrugë të Durrësit, si ish-Këneta, plazhi dhe lagjet periferike, kanë patur probleme. Një situatë e tillë ka shkaktuar konfuzion edhe në qarkullimin e automjeteve. Dihet që një pjesë e Durrësit është nën nivelin e detit, gjë që rrezikon sa herë që ka reshje të dendura përmbytjen e këtyre zonave. Meteorologët kanë parashikuar që moti të përkeqësohet dhe në ditët në vazhdim. Ky fenomen natyror pritet të ndodhë për shkak se era do të ndryshojë drejtimin e saj nga jugu në veriperëndim.

    Emigrantët, burim aksidentesh

    Edhe këtë fund viti dhe ditët e para të vitit të ri 2015, emigrantët tanë që punojnë në Greqi e Itali kanë qenë më problematikë përsa i përket zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, duke qenë protagonistët kryesorë në aksidentet e ndodhura. Ata drejtojnë automjetet pasi kanë konsumuar pije alkoolike, parakalojnë në vende të ndaluara, parkojnë vend e pavend dhe nuk vendosin rripat e sigurimit. Policia e Qarkullimit Rrugor e Durrësit është ndeshur me një fluks të madh makinash, pasi pjesa më e madhe e automjeteve vijnë nga jugu me destinacion Tiranën si dhe qytetet e veriut. Në këto kushte, Policia e Qarkullimit Rrugor ka kaluar në regjim të përforcuar pune dhe ka vendosur një numër të madh gjobash të cilat llogariten në 200 të tilla për çdo ditë. Sipas drejtuesve të Policisë Rrugore, në rrugët nacionale që kalojnë në Durrës, çdo ditë qarkullojnë deri 40 mijë automjete. Ky numër është rritur, pasi edhe automjetet të cilat vijnë nga Greqia me destinacion Tiranën apo qytetet e veriut, preferojnë portin e Durrësit. Burime nga Qarkullimi Rrugor Durrës thanë për “Telegraf” se “janë një pjesë e mirë e emigrantëve të Greqisë dhe Italisë ata që shkelin rëndë rregullat e qarkullimit rrugor dhe rezultojnë si shkaktarë të shumicës së aksidenteve që ndodhin këto ditë”. Ata lëvizin me shpejtësi, pasi kanë konsumuar pije alkoolike, parkojnë në vende të ndaluara, parakalojnë me shpejtësi dhe nuk vendosin rripa sigurimi. Zyrtarët e Qarkullimit u shprehën se “Policia Rrugore ka kaluar në shërbim të përforcuar gjatë gjithë vitit me qëllim shtimin e kontrollit për parandalimin e aksidenteve e vendosjen e normalitetit në qarkullim. Patrullat e policisë kanë vendosur në ditët e fundit 1200 gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Këto gjoba variojnë nga 1 mijë lekë deri në 5 mijë lekë. Gjatë këtyre ditëve, objekti i punës së policisë ka qenë shoqërimi i automjeteve jashtë territorit të Durrësit, si në hyrje ashtu dhe në dalje. Në këto ditë të rënduara me trafik, në Durrës janë regjistruar, fatmirësisht, vetëm aksidente të konsideruara të lehta, pasi pasojë e tyre kanë qenë vetëm plagosje dhe dëmtime automjetesh. Policia ka evidentuar 27 aksidente me pasojë plagosje të lehta dhe 46 me dëmtime mjetesh. Pjesa më e vështirë dhe më problematike mbetet aksi Kavajë-Durrës dhe Durrës-Tiranë. Por, pavarësisht masave, fluksi i madh i emigrantëve këto ditë si dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit e shpejtësia tej normave, veçanërisht e emigrantëve tanë që punojnë në Greqi e Itali, vazhdojnë të krijojnë probleme në rrugë.

     Nga ARTUR AJAZI