Emigranti: Policët më morën 150 euro

    384
    Sigal

    Denoncohen dy policë të Qarkullimit

    Dy policë të Qarkullimit Rrugor në Durrës janë denoncuar në Prokurorinë e Durrësit nga një emigrant që kthehej nga Italia, për marrjen e 150 eurove mbrëmjen e 31 dhjetorit 2014. Burime hetimore thanë për “Telegraf” se “emigranti A.C që gjendet prej 12 vitesh në Itali bashkë me familjen e tij gruan dhe një vajzë 7 vjeçe, kishte ardhur prej tre ditësh në Shqipëri dhe mbrëmjen e 31 dhjetorit ishte duke udhëtuar nga qyteti i lindjes drejt Durrësit, për të kaluar Vitin e Ri, por është ndalur tek Ura e Dajlanit nga dy policë. Pas rreth 10 minutave debate dhe sqarime, duket se synimi i uniformave ka qenë “kafja e festave” dhe nuk kanë ngurruar t’i kërkojnë emigrantit jo pak, por 150 euro, madje duke i thënë atij se “po fole, ha edhe gjobë”. I gjendur ngushtë, pasi në automjetin e tij tip “Ford” me targa italiane kishte edhe familjen, ai ka pritur datën 2 janar, për të trokitur në organin e akuzës dhe ka denoncuar duke përshkruar në detaje gjithë skenën dhe zhvatjen e parave nga njerëzit me uniformë policie. Emigranti A.C ka mbërritur në Shqipëri qysh në datën 27.12.2014 dhe mbrëmjen e Vitit të Ri 31.12.2014 kishte vendosur ta kalonte me kunatin e tij në Durrës, por ajo që i ndodhi i ka lënë shije të hidhur. Sapo zbresin në porte dhe sapo kalojnë pikat kufitare emigrantët tanë çdo sezon dimëror dhe veror, përballen me “kontrollet e uniformave blu”, me njerëzit e ligjit, me ata që duhet t’i ndihmojnë bashkëpatriotët tanë, t’i udhëzojnë e drejtojnë, por edhe t’i ndëshkojnë kur gabojnë dhe jo t’i zhvatin eurot. Ngjarja është regjistruar nga prokurori i gatshëm që ishte ndodhur në Prokurorinë e Durrësit si denoncim, por nuk dihet se çfarë do të zbardhë hetimi. Emigranti A.C. më tepër se eurot e zhvatura, u shpreh se “më vjen keq, inat dhe turp për ato që ndodhin në vendin tim, ku nuk guxojmë të lëvizim lirisht në rrugët e atdheut tim, pasi kemi frikë edhe nga njerëzit me uniforma, ata që ligjin duhet ta kenë të shenjtë, por që në realitet e përdhosin”. Emigranti kishte tentuar të shkonte edhe në polici, por duket se vajtja atje nuk ka qenë shumë e këndshme, pasi as nuk e kishin qasur dhe nuk e kishte dëgjuar njeri duke i thënë se “ik, nuk ka njeri sot, janë me pushime për festat”. Fakti është se “gjoba” të tilla u vihen emigrantëve sa herë ata vijnë në vendlindjen e tyre me pushime apo për halle dhe probleme familjare, por shumica e tyre nuk flasin. Ky realitet i shëmtuar, që ka vite që ndodh me emigrantët tanë sa herë ata kthehen nga jashtë drejt vendbanimeve të tyre, duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund, duke mos toleruar dhe duke mos punësuar në polici dhe strukturat e tjera të shtetit, gjobaxhinj dhe njerëz me vese që as e njohin dhe as e zbatojnë ligjin. Kjo situatë ka ardhur dhe vazhdon të jetë si pasojë e punësimeve politike dhe klienteliste për fatin e keq në polici, e cila mbetet edhe kontakti i parë i çdo të huaji dhe emigranti me ligjin dhe shtetin shqiptar.

    Nga Tefik Osmani