Natasha Lako: Jemi në procesin e një metamorfoze, që nga zgjedhjet e fundit e deri tani

741
Sigal

Jemi në kushtet e një deliri shtetëror, që deri tani ka tradhtuar vetë shtetin, të cilin e ngarkon vetëm me funksione kombëtare. Jetojmë në një shtet, që ekziston vetëm për emergjencë

Nëse duhet vërtetë që të shikosh dhe të kuptosh realitetin, personazhet dhe vizionin e shoqërisë, është që të mbyllësh veshë dhe sy nga demagogjia politike, që derdhet si ujëvarë, mediat vizive dhe të shkruara, që ka pushtuar ato 24 orë të ditës dhe të dëgjosh ata që kohën, personazhet por edhe vizionet e kohës dhe të shoqërisë, i gdhendin në krijimet e tyre letrare, nga e cila është përcjellë, dhe do të përcillet edhe vetë trashëgimia shpirtërore, materiale e popullit. Shkrimtarja Natasha Lako, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, përcjell te lexuesit atë realitet shoqëror e politik që jetojmë, ashtu si gurron në krijimtarinë e saj, që njerëzit, duke ndjerë se janë ata personazhi i kohës dhe i realitetit, duhet të zgjedhin rrugën që duhet të ndjekin, ose duke reaguar ndaj atyre politikave dhe politikanëve, që spekulojnë, duke mos përmbushur premtimet dhe detyrimet,  në emrin e tij me votëbesimin që marrin, ose duhet të pranojnë kokë ulur fatin e mjerë, meqë e meritojnë. Secili lexues, pasi ta lexojë intervistën e shkrimtares Natasha Lako në “Telegraf”, le ta ndjejë vetveten e tij në skanerin e analizës së shkrimtares si personazhi që duhet të ndryshojë realitetin, për të mirën e tij dhe jo ta presë atë si dhuratë të babagjyshit të politikës shqiptare.

– Zonja Lako, cili është perceptimi juaj. Maxhoranca e majtë në këto kohë qeverisjeje, a e ka përmbushur kontratën me 1 milionë votat e elektoratit të vet, por edhe me popullin?

– Ju po i nisni pyetjet tuaja, duke i vënë rëndësi si  perceptimit individual, si konceptit popull. Perceptimi im i parë është se gjithnjë e më tepër, fjala popull po zëvendësohet me fjalën komb. Sipas kësaj mode, ju duhet të më pyesnit, nëse kjo maxhorancë e ka mbushur kontratën e vet me kombin. Mund të shkallëzosh në krenarinë kombëtare, të thuash kush është dhe kush nuk është komb i fuqishëm, në një garë të sigurt, por kjo nuk na tregon se si plotësohen programet për të përmirësuar jetën e njeriut. Kaq na duhet për t’i çuar në qorrsokak të gjithë përgjigjet për premtimet e programeve të alternuara elektorale. Komb do të thotë të shfaqesh para të tjerëve, me tipare të përbashkëta të jetës materiale dhe shpirtërore. Fjala komb nuk flet për të drejtat dhe liritë e perceptimeve të mia. Thua se jeta ime e brendshme dhe të përditshme nuk do të kishte rëndësi më. Komb do te thotë ndoshta edhe minus 1.000.000 dëshira. Kjo fjalë kaq e shtrenjtë po kthehet në një krijim virtual, ose ca më keq, po shndërrohet në shfaqje artistike. Kuptohet se zgjedhjet nuk kanë rëndësi brenda këtij nocioni të shpërdoruar. Mesa duket, kjo i intereson çdo qeverie shqiptare, një lloj alienimi i votës, në qoftë se mund te thuhet kështu edhe për votën si për njeriun që voton, dhe është diçka më duket se ndodh sa herë realiteti nuk përballohet dot. Pra, jemi në procesin e një metamorfoze, që nga zgjedhjet e fundit e deri tani.

– Cila është kritika juaj?

– Ne si shqiptarë i largohemi si djalli nga temjani referimeve të sotme intelektuale. Kjo është një sëmundje e trashëguar. Do të ishte një rast i mirë të diskutonim më tepër për studimin e fundit  të Blendi Kajsiut mbi luftën kundër korrupsionit, që deri tani ka sjellë vetëm promovimin gati eksperimental të një shoqërie neoliberale, ku iniciativat private mbeten jashtë gjykimit. Nga ana tjetër, jemi në kushtet e një deliri shtetëror, që deri tani ka tradhtuar vetë shtetin, të cilin e ngarkon vetëm me funksione kombëtare. Jetojmë në një shtet që ekziston vetëm për emergjencë. Personalisht, nuk pres ndonjë gjë më të madhe nga një shoqëri që ka pranuar të shtrijë gjerë e gjate fjalën kryeplak në të gjithë territorin. Politikanëve, nga ana tjetër, u mjafton të ëndërrojnë vetëm frenat e kombit. Mund të them se nuk na bie më ndërmend për veprat më evokative, si ‘Rinoceronti”, apo “Duke pritur Godonë,” të cilat shprehin procese të metamorfozave dhe janë krijuar pothuaj paralelisht në kohë nga një ballkanas gjenial, si Jonesko dhe një irlandez, po aq gjenial, si Becket. Ky mospranim dhe mosnjohje thërret realitetet tona të djeshme, kur këta autorë nuk përmendeshin fare. Sot ngadalësia e mendimit ndoshta vjen nga një përtaci intelektuale.  Një analizë e thellë për veprat letrare do t’i ndihmonte ndoshta më shumë shqiptarët të bënin edhe analizat e fenomeneve të tyre të përditshme. Është rrezik të krijohet tradita e pamundësisë për të zhbiruar ndërgjegjen.

– Kjo qeveri a ka politike sociale më të mirë nga qeveria e shkuar?

– Ka propagandë më të mirë për marrëdhëniet sociale, por edhe individë që përpiqen me mundim të gjejnë mënyra për të mundur varfërinë e tejskajshme, si ndodh në Shkodër me një fondacion që duhet përshëndetur. Ajo që kemi para syve është individi shqiptar që ka treguar inteligjencë të rrallë për të përballuar jetesën për vete dhe për fëmijët. Përgjegjësia e secilit ‘për fëmijët’ është si e askujt tjetër në botë, madje një motiv për korrupsion “të ndershëm”.  Kjo përgjegjësi familjare dhe personale e ka bërë shtetin deri më sot, të mbyllë një sy për përgjegjësitë e veta. Ndërkohë, po të vështrosh rrugët e Tiranës, vazhdon të mbizotërojë për shumicën tregu i veshjeve ’Gabi’. Nuk ka vend tjetër të funksionojë kaq shumë tregu second hand. Ajo që më shqetëson tepër është se përse të gjithë analizat i bëjmë 25 vjeçare, thua që koha të ketë ndalur. Përshtrirja 25 vjeçare e problemeve tona, mendoj se ka shkak të njëjtat diferenca të mëdha për çështjet sociale që ka dhe ndërgjegjësimi ynë si qenie shoqërore. Ndoshta, kjo do të arrihet, kur në çdo qytet të Shqipërisë bibliotekat të kthehen në  qendra  të rëndësishme të jetës së çdo njeriu, e sidomos të nxënësve dhe studentëve. Ju do të thoni: “Çfarë lidhje ka ndihma sociale me një bibliotekë të vërtetë dhe funksionale?”, por ja që harku social përfshin si bibliotekën, ashtu edhe shkollën e “Lulit të vocërr”. Politika, ekonomia dhe kultura nuk mund të shkëputen asnjëherë nga njëra tjetra. Le të mos shkojmë kaq larg. Shkoni shihni në Varrezat e Sharrës parcelën më të re, të sapo krijuar si një zgjidhje. Gjendesh midis plehrave që nuk janë hequr ende, ose më keq akoma, nuk i shkon ndërmend njeriu t’i heqë.  Ky është degradimi i pafalshëm i ne të gjithëve.

Ju pyes si një krijuese. A mund të kultivohet në popull kultura e respektimit të ligjit me ashpërsimin e kodit penal, siç ndodhi, që mospagimi i energjisë elektrike dhe ndërtimet pa leje të dënohen me burg?

– Shkrimtari mund të jetë edhe pasionant i sistemit laisez-faire, që u aplikua këtu pothuaj për 25 vjet me radhë, për të goditur në një farë mënyre godinën e tmerrshme të një shteti totalitar, edhe pse ky sistem i ri na ka lënë peshqesh kaosin në mendjet tona, deri në  sistemin laisez-faire të plehrave që prodhojmë vetë.  Ky është një amalgam i ri i çuditshëm. Ne vazhduam të çlirojmë energjitë tona nëpërmjet amalgamit të quajtur tranzicion. Por shkrimtari gjithashtu e di shumë mirë, se një vepër e mirë ka një konstrukt të caktuar. Madje, atje qëndron edhe sekreti i një vepre artistike. Një shoqëri ka si konstrukt ligjin. Fatkeqësisht, pas rënies së diktaturës, ne gërshetuam lirinë liberale me dhunën shtetërore, duke përfshirë këtu edhe shtetrrethimin. Mos më lër të kthehem përsëri te Migjeni; shtatoret tona të mjerimit vazhdojnë të ngrihen ende. Meqë më pyetët si krijuese, unë do të shtoja se ka edhe shumë të tjerë që nuk paguajnë. Televizionet nuk i paguajnë shumicën e njerëzve që u mbushin emisionet, shtëpitë botuese nuk paguajnë autorët, ish qeveria nuk ka paguar firmat kontraktuese dhe duhet të dënohet për këtë, si u dënua; madje ka pronarë që nuk i paguajnë ata që i ftojnë për të punuar, duke harruar se lidhen me ta në partneritet të plotë.

Shteti duket se tani për tani parapëlqen marrëdhënien ligjore vetëm me personat fizike, aspak me ata juridikë, por sistemi për të korrigjuar është zinxhir. Është shumë interesante faza që po kalojmë. Ndërsa shoqëria shqiptare shpëtoi nga diktatura, politikanët e sotëm shqiptarë vazhdojnë betejën për të zotëruar popullin. Kjo ka qenë, dhe në shumë vende vazhdon të jetë, një betejë e rëndësishme, të cilën, vetëm demokracia e kthen në partneritet legjitim dhe njerëzor në barazinë para ligjit. Shqipëria nuk ka pushtuar ndonjëherë territore. Shtetarët shqiptare kanë ditur gjithnjë vetëm të pushtojnë popullin e tyre. Beteja për popullin është gjithnjë e më e vështirë, të mos themi e pamundur në një vend demokratik, ku tashmë secili i ka fituar të drejtat e tij. Ka kryetarë shtetesh, që doemos kërkojnë dashurinë e popullit të tyre. Por populli nuk blihet, duke e lejuar të mos paguajë detyrimet e veta. Është fyerje e madhe të përpiqesh ta blesh njeriun nëpërmjet halleve të tij. Rëndësi kanë rrugëzgjidhjet, jo pazare të tilla të dobëta, ku disa përfitojnë jashtëzakonisht prej të tjerëve. Ndryshe, ne shqiptarët do të ndryshojmë edhe konceptin se kush mbetet më i mençur, ai që paguan, apo ai që nuk paguan.

E keni pyetur ndonjëherë vetveten pse në këto 24 vjet jemi ende në stacionin e pritjes të trenit për të hipur e të shkojmë në familjen europiane?

– Këtë pyetje unë personalisht e kam bërë që kur kam filluar të shkruaj mbi 40 vjet më parë, në kohën kur dëshironin të na injektonin mendimin se Shqipëria ishte fanari ndriçues i Europës. Sigurisht, që shumica e njerëzve kudo që të ndodhet mendon se vendi i tij është qendër e botës. Kam marrë njëherë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, ku një ukrainase, duke rrotulluar një glob, e quante vendin e saj zemër të Europës. Nga ana tjetër, ne vetë kur flasim për Ballkanin, nuk përmendim asnjëherë ekzistencën e Bullgarisë, apo fjala vjen të Rumanisë, thua ato me anëtarësimin e tyre në BE  janë transferuar në një gadishull tjetër. Disa vjet më parë, para referendumit për të hyrë apo jo në BE, në disa gazeta nordike botohej një hartë e Europës, ku vende, si Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Serbia, atëherë në konflikte të përgjakshme, ishin shënuar me bojë të zezë së bashku me Shqipërinë, asokohe jashtë çdo konflikti. “Votoni po të doni për të mos hyrë në BE dhe shihni pastaj se me cilët do të mbeteni të rreshtuar”, u thuhej qytetarëve nordikë për t’i bindur të votonin pro anëtarësimit. Për fatin tonë të keq, si ato mikrobet në inkubacion të gjatë, rrethohemi ende nga harta e vjetër e ish-Jugosllavisë për të gjithë problemet tona, si për të kompensuar shpëtimin e Sllovenisë ose Kroacisë prej plagëve të tyre të rënda. Tashmë kemi kaluar nga grupimi i vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, në grupimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, thua se na bie për pjesë pak perëndim i vërtetë.

Kjo tregon se ende nuk kemi ditur të tregojmë profilin tonë të qartë dhe transparent, që të na kuptojnë se cilët jemi në të vërtetë, dhe rrjedhimisht edhe ne vetë të dimë ta çmbështjellim lëmshin e problemeve tona. Shkurt, jemi të mbërthyer në një kompleksitet të jashtëzakonshëm. Në gjurmët e fanarit tonë ndriçues, jo vetëm jemi mësuar me këtë gjendje të cilën e krijojmë vetë, por duket sikur dëshirojmë që të tjerët ta shohin këtë si avantazh të madh.

– A i dinë politikanët rregullat e mirëfunksionimit të demokracisë meqë jemi akoma në tranzicion? Apo nuk duan t’i respektojnë këto norma, rregulla e ligje të demokracisë?

– Sigurisht që po. Por unë nuk zgjedh rrugën më të lehtë e t’ua hedh fajin vetëm atyre. Unë mund të flas vetëm për veten time. Kam marrë patentën e makinës, por e kam përdorur shumë rrallë nga paaftësia ime për t’u përqendruar. Sa i respektoj unë rregullat e demokracisë brenda familjes, nuk e di. Qeveritarët shqiptarë nuk i ka bërë Zoti. Ata dhe ne mund të themi se makina e tyre shtetërore nuk funksion mirë, por e vërteta është që zor është të marrësh patentën europiane për të drejtuar. Ndonjëherë them se kanë një makinën shtetërore, por nuk kanë patente, si ata djemtë e mirë aventurierë që ia rrëmbejnë makinën babait. Unë nuk e di se çfarë dinë tani pas një eksperience të gjatë, politikanët. Çfarë lexojnë, kë adhurojnë. Di vetëm se Berisha në Europë ka mik Viktor Orban, i cili ka drejtuar me tendenca të qortueshme të neofashistëve të sotëm.  Di gjithashtu që  Rama, në konkurrencë me të gjithë llojet e politikanëve shqiptarë, Erdoganin, që ka futur së fundmi në burg edhe një kundërshtar politik 16 vjeçar, e ka deklaruar një nga miqtë e tij më të mirë. Politikanët tanë i njohin mirë të gjithë rrymat e sotme botërore. Shumicën e tyre unë kam pasur fatin t’i njoh personalisht, madje edhe më të rinjtë. Të gjithë i mundon kompleksi se janë udhëheqës të një kombi të vogël. Ky është një kompleks që i shtrëngon të tregohen madhështorë dhe misionarë të mëdhenj. Dëshira për ta mbajtur mirë me të gjithë rrymat e brendshme dhe të jashtme i detyron më tej të fillojnë të gënjejnë hapur. Do të shtoja, më mirë të mendojnë për  popullin e tyre si të ngjashëm me çdo popull tjetër.
– Po vetë ne si elektorat dhe popull ku fajësohemi?

– Nuk ka njeri të fajësojë popullin e vet. Për të parën herë e kam dëgjuar këtë, kur humbi zgjedhjet e fundit PD-ja. Kishte në PD përfaqësues që mendonin se madje nuk kishin nevojë as për perfeksion. Por zhvillimi vjen edhe nëpërmjet formave të tilla komplekse. Zhvillimi nuk është ndonjë tablo romantike, ose idilike. Njerëzve u pëlqen të ushqejnë konfiguracione naive, pavarësisht se mund të përdorin për vete të gjithë djallëzitë, apo manovrat e mundshme.

A keni ndjesinë që neve, si popull, politikanët që duan të dekriminalizojnë parlamentin,  do të na thonë me emra se cilët janë kriminelët dhe nga cila portë hynë ata në parlament?

– Ju po pyesni një shkrimtare që ka të drejtë të bëjë personazh çdo kriminel të këtij vendi. Le të supozoj, se në kinematografi unë kam të gjithë hapësirat që të vë në qendër të një filmi artistik një nga kriminelet më të mëdhenj të kohës së diktaturës, vetëm e vetëm pse në një moment është dënuar. Kam mundësi ta bëj spektatorin të dëgjojë për krimet e jashtëzakonshme të tij dhe prapë së prapë të derdhë lot kur i stisin një dënim. E di se kur të shfaqet filmi, asnjeri nuk do të reagojë, asnjë kritik, asnjë gazetar edhe sikur ekrani të kthehet në një strehë të ngrohtë humane për kriminelin politik, që përfundon i dënuar nga vetë diktatura; thua se kemi të bëjmë me ndonjë vjedhës elegant dhe mendjehollë, që vdes në fund te filmit, si Zhan Pol Belmondo në “À bout de souffle”, një nga filmat më të famshëm të Godard. Një shoqëri që përgjigjet në ketë formë artistike për një kriminel të vjetër, domosdo që do të pranojë çdo lloj krimineli të ri edhe në parlament. Një dembelizëm i tillë mendor i bën njerëzit të mësohen të presin reagime vetëm nga politika më e lartë, ose kur flet me të drejtë ambasadori amerikan, por ama vetëm kur mbushet kupa. Në anën tjetër, qeveritarët shqiptarë parapëlqejnë të mbajnë pranë gazetarë dhe gazetare që kanë dëshirë të diskutojnë për këpucët e tyre.
– A është oponence e sinqertë demokratike ajo që kërkon PD-ja, që të ikin kriminelët nga parlamenti jep edhe shifër, por pse, sipas jush, nuk i publikon emra? Apo është edhe kjo akuzë kartë elektorale?

– Fjala dekriminalizim po përdoret lart e poshtë, madje në arenën ndërkombëtare. E mira do të qe të jepeshin prova faktesh atje ku duhet. Të gjitha mund të jenë të vërteta, por kam frikë se politikanet tanë po mësohen me një politike të krijuar si në një reality shou. Po dominon konfliktualiteti batuta pas batutash, sa duket se nuk ka më shpresë për dramaturgji të mirëfilltë artistike. Jeta shqiptare nuk ka asnjë terren të hapur për të jetuar jashtë politikës. Në këtë kuptim, shkrimtarët mund të quhen shpëtimtarët e shoqërisë. Kjo është arsyeja pse këmbëngul për hapësirat letrare, për të cilat ka nevojë çdo shoqëri. Ndryshe, do të ishim në një botë të ndrydhur brenda një konservë politike. Ky mbetet rreziku më i madh që e kërcënon ende shoqërinë shqiptare.
– Sipas jush pse mbahen peng dosjet? Dhe ndonjë ligj i lustracionit, edhe nëse miratohet, a do të prekë ata që kanë monopolin mbi politikën tonë të sotme?

– Unë kam folur për hapjen e dosjeve 24 vjet të shkuara dhe jam ndodhur përpara trysnive të mëdha. Këtë e kam bërë nga salla e parlamentit.

– A mund të cilësohet tranzicioni ynë politik i stërzgjatur, një dimër i madh? A dimë se në ç’ muaj pas këtij dimri, do të na vijë pranvera e mirëfunksionimit të demokracisë tonë?
– Ju po pyesni një optimiste. Të gjithë problemet, për të cilët ju shtroni pikëpyetje, janë terrene letrare. Ky është terreni më pranë njeriut. Mund ta vësh politikën gjithnjë në top listë, por në zotërim të arenës së sotme shqiptare ajo, hë për hë, ka konkurrente të fortë botën e reklamave, botën e gatimit, si dhe botën e vajzave këngëtare; që jo vetëm janë të shumta, por edhe kryengritëset më fisnike dhe më të pafajshme të kësaj shoqërie. Unë preferoj të dua më shumë këto të fundit.
– Edhe ndonjë poezi, nëse dëshironi .
– Ndoshta ndonjëherë tjetër, kur të flasim më gjatë për letërsinë, si një domosdoshmëri shprehëse të botës. Është ajo që ekuilibron të gjithë gabimet njerëzore dhe bën katarsisin tonë. Më mirë të jesh i pushtuar nga letërsia, sesa nga një kryetar komune.

 Më jepni me pak fjalë, si e skiconi ju Edi Ramën?

– Baba të mirë, meqë arriti ta bekojë të birin te Papa.

-Lulzim Bashën??

– Qytetar, që ka mundësi të sjellë më shumë në realitetin shqiptar eksperiencën e vendit ku ka studiuar.
Ilir Metën?

– Skraparlli i vërtetë. Ka kuptuar njësoj, si e gjithë krahina e tij, se çdo të thotë që një popull të krijojë zonat e lira të kohës më të egër të pushtimit.

– Sali Berishën?

– Berishën e kam njohur nga afër në një nga vizitat e mia të para në Luvër. E mendoj deri tani si një nga njohësit më të mirë të pavijonit të artit egjiptian. Ka pasione të një njeriu me mendje të hapur, por duket sikur i ka ezauruar të gjithë dijet për Europën. Kam shpresë të lexoj një ditë nga Berisha një libër me kujtime të hapura dhe të sinqerta. Uroj vërtetë të ndërrojë kriteret dhe standardet e memoristikës shqiptare, me po atë guxim me të cilin ndikoi në ndryshimet e fillimit të viteve 90’ dhe ekuilibrat e reja.

– Presidentin Nishanin?

– President që ka nxitur një raport të veçantë të njerëzve të kamur me njerëzit e varfër, duke u mbështetur në mëshirën dhe dashurinë e të parëve. Nuk e di se çfarë u kërkon të dytëve.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA